E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria akordon pension të posaçëm për 117-vjeçaren Qamile Marra

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Me propozim të kryeministrit Edi Rama, Këshilli i Ministrave vendosi sot dhënien e një shtese të pensionit të posaçëm shtetëror për Qamile Marrën, 117-vjeçaren nga fshati Ferras i Beratit.

Sipas vendimit, Qamile Metan Marra do të përfitojë një shtesë pensioni të posaçëm në masën e dhjetëfishit të pensionit social. Shuma e pensionit të saj, së bashku me përfitimet e tjera të parashikuara nga legjislacioni dhe këtë shtesë, nuk do të kalojë dymbëdhjetëfishin e pensionit social.

Në 117 vitet e jetës, nënë Qamilja ka parë të rriten pesë breza të familjes. Historia e saj tërhoqi vëmendjen e medieve për jetëgjatësinë e rrallë dhe energjinë me të cilën vazhdon të merret me punët e vogla të përditshme.

Pas një jete pune në bujqësi, siç ajo rrëfeu për mediet, kujdeset për oborrin, e rrethuar nga familjarët. Krahas elementëve njerëzorë, familjarët ndanë publikisht edhe dëshirën që nënë Qamilja të përfitonte një pension të posaçëm.

Tashmë, me propozimin e kryeministrit Edi Rama, Këshilli i Ministrave i ka akorduar Qamile Metan Marrës një shtesë pensioni të posaçëm shtetëror, që sjell më shumë mbështetje financiare për të dhe familjen e saj.

/m.q/r.e/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›