Krijuesit e së ardhmes

Prej 27 nëntorit deri më 5 dhjetor, Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) ka organizuar një punëtori për fotografë ndërkombëtarë në Prishtinë. Gjatë këtyre ditëve, gjashtë fotografë nga disa vende të ndryshme të botës kanë bërë fotografi nëpër vende të ndryshme të Kosovës për të ilustruar temën qendrore të vitit, të vënë nga kjo organizatë, që titullohet ‘Pajtimi – krijuesit e së ardhmes’.
Ideja është iniciuar nga Randa Kourieh-Ranarivelo, përfaqësuese e GIZ nga Berlini dhe koordinatore e projektit dhe që prej fillimit punëtoritë janë udhëhequr nga Ralf Backer, drejtor artistik i punëtorisë.
“Fotografitë e krijuara në një kontekst të tillë të hapur dhe ndërkulturor kanë fuqinë për të iniciuar dialogun dhe për të frymëzuar njerëzit nëpër botë. Kjo është ajo çfarë na kanë treguar ekspozitat e kaluara”, u shpreh Randa Kourieh, organizatore e punëtorisë.
“Ne duam që fotografët t’i afrohen subjektit në mënyrën e tyre dhe të zgjerojnë perspektivën e tyre nëpërmjet dialogut me njëri tjetrin”, shtoi ajo.
Gjithsej gjashtë fotografë nga gjashtë vende kanë qenë të ftuar që çështjen e zhvillimit dhe pajtimit ta përpunojnë nëpërmjet fotografisë artistike. Ekspozita e rezultuar do të shihet në Gjermani dhe vende të tjera në vitin 2013. Fotografet që kanë marrë pjesë në punëtorinë në Prishtinë janë Gotsbayar Rentsendorj nga Mongolia, Csaba Meszaros nga Hungaria, Merlin Nadj-Torma nga Gjermania, Fadi Saleh nga Palestina, Jetmir Idrizi nga Kosova dhe Fatoumata Diabate nga Mali.
Fotografja Merlin Nadj-Torma nga Gjermania ka qenë edhe më herët në Kosovë. Ajo mendon se Kosova ka ndryshuar shumë për të mirë si në ekonomi si dhe njerëzit janë hapur më shumë.
“Kam qenë nëpër disa vende të Kosovës. Kemi qenë në Zym, në Mitrovicën Veriore, në Janjevë dhe në shumë vende. Unë kam dashur të kem një pamje për të gjithë vendin. Tema ime ka qenë ëndërrimi dhe kam dashur të kem një shumëllojshmëri të vendeve ku mund të ëndërrosh”, tha ajo.
Edhe fotografi kosovar ka Jetmir Idrizi, i cili vitin e kaluar ka marrë pjesë në një punëtori të tillë në Etiopi, thotë se ka përshtypje të mira rreth kësaj punëtorie.
“Është një ndihmë shumë e madhe të punosh me fotografë prej vendeve të ndryshme të botës. Të punosh në grup më është dukur një përvojë interesante. Mua më ka ra të dal të fotografoj bashkë me fotografin nga Palestina. Nuk kam parë asnjëherë dikë që është fascinuar kaq shumë me vendin tonë”, tha Idrizi.
Fokusi i fotografive të tij kanë qenë përmendoret e ish-Jugosllavisë që janë bërë gjatë viteve 70 dhe 80.
Ato përmendore janë bërë për nder të ushtarëve të Luftës Antifashiste. Idrizi thotë se gjithmonë i është dukur interesant se si ato monumente kanë arritur t’i rezistojnë luftës së fundit në Kosovë dhe pasluftës.
Sipas tij, arsyeja pse asnjëra palë në konflikt nuk i ka rrezuar ato monumente është se të dy palët kanë pasur lidhje me ato monumente dhe i kanë konsideruar si të vetat. Ai i ka fotografuar këto monumente dhe fotografitë i ka prerë në copa. “Me këtë kam dashur të them se komunikimi apo bashkimi që ka qenë është prerë dhe kur dikush do t’i shohë ato në ekspozitë do të mundohet t’i lidhë ato”, tha Idrizi.
Fotografitë e këtyre fotografëve, të cilat u përzgjodhën të martën, do të ekspozohen në Gjermani dhe në vende tjera të botës.