E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krim pas krimi

Nga Marjon Gorica

Gjithçka ndryshe, vetëm vrasje, rrëmbime, aksidente, larje hesapesh, janë këto të cilat ne dëgjojmë e shohim në media. Persona të fajshëm dhe të pafajshëm të cilët humbin jetën çdo minutë e orë në Shqipëri. Sipas bilanceve të bëra nuk ka ditë e cila të mos shënojë të paktën një jetë të humbur.

Krime nga më monstruozet janë ato që ndodhin në një nga shtetet e Europës e quajtur Shqipëri. Vendi i cili mesa duket po zë vendin e parë të krimit në rajon. Kriminalitetit në vendin tonë çdo ditë e më shumë shtohet duke çuar kështu në një rritje të numrit të krimeve, por cili është shkaku i kaq shumë krimesh dhe për të cilat shpesh herë autori nuk gjendet?

Mos vallë përballja me ligjin është fare e lehtë dhe i bënë këta persona të mos mendojnë dy herë por të veprojnë në çdo moment dhe si të duan?

I vetmi vend i cili njihet me shumë për trafikime, vrasje e rrëmbime është Shqipëria, pse i duhet njollosur emri tashmë që kërkojmë të jemi pjesë e Bashkimit Europian, kësaj shtëpie të madhe që shpresojmë tia shohim derën pas disa vitesh pasi këto ngjarje të cilat po ndodhin tani e bëjnë të pa mundur integrimin e vendit tonë në BE.

Ditët e fundit kemi dëgjuar ngjarje nga më të ndryshmet.

Rasti i datës 5 qershor ku mbeti i vrarë një fëmijë 9 vjeç në Mamurras, një fëmijë i pa fajshëm i cili për faj të dikujt humbi jetën komplet rastësisht pa e shijuar aspak atë.

Gjithashtu raste të tjera emigrantësh të kthyer në vend, por të mos harrohet të përfshihet dhe vetëvrasja që në shumë raste ndikohet nga faktorët social ekonomikë familjarë.

Mesa duket ka ardhur momenti që të rikthehet dënimi me vdekje për këta persona të cilët marrin jetë njerëzish, nuk meritojnë të jetojnë e të hanë paratë e shtetit në burgje. Këta vrasës vetëm duke i kthyer dënimin me vdekje mundet që ti ndalosh. Heqja e dënimit me vdekje për Shqipërinë ishte krimi më i madh pasi mjaftë persona përfitojnë nga kjo, nuk e kanë aspak problem të bëjnë disa vite burg duke ngrënë e duke pirë nga fondet e shtetit dhe nesër shfaqen sërish duke vrarë e duke therur.

Dënimi me vdekje i shtetit gjithashtu parandalon dhe vetëgjyqësinë e cila më pas ngre akoma më shumë shifrat alarmante të kriminalitetit duke bërë kështu që vrasjet të bëhen sa më të shpeshta dhe kjo sjellën një ndikim negativ për familjet të cilat ngujohen dhe për këtë arsye shumë fëmijë ngelen dhe të pa arsimuar, edukuar dhe me shumë probleme të tjera.

Krimi ka kapur përmasa alarmante dhe rastet janë bërë aq të shpeshta sa kanë ngjallur ankth e panik. Duke patur parasysh disa statistika të 24 orëve të fundit të bie në sy mungesa e një shteti ose ndodh e kundërta që shteti nuk ka më forcën për ti reduktuar këto si ngjarje.

Krimi ka marrë përmasa lufte! Në një vend si Shqipëria drejtori i përgjithshëm i policisë duhet të jap dorëheqjen pasi asnjë veprim për parandalimin e këtyre ngjarjeve kaq të rënda, gjithashtu më shqetësuesja është se policia e shtetit nuk arrin që të kapë autorët e këtyre ngjarjeve.

Kriminaliteti po e zhduk Shqipërinë çdo ditë e nga pak.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›