Alkool, cigare, seks dhe Facebook; kështu përgatitet Gjermania
Kombëtarja gjermane e futbollit, që vjen nga një vend strikt dhe më shumë rregulla, duket se është ndër më demokratiket për gjëra që ndalohen në përfaqësuese të tjera. Trajneri Joakim Lëv ka vendosur një numër rregullash për gjëra të ndryshme dhe revista Bild ka zbuluar disa prej tyre
GRATË
Gjithçka është e qartë: ditën pas ndeshjeve, lojtarët mund të marrin gratë, të dashurat dhe fëmijët në hotel! Taktike e thjeshtë: dashuri në vend të stërvitjes! Por nuk kemi vendosur ende nëse gratë do të qëndrojnë edhe natën, ka shpjeguar menaxheri i skuadrës, Oliver Bierhof.
ALKOOL
Lëv ka aprovuar në mënyrë specifike birrën dhe verën, por vetëm në sasi të moderuara. Ndaj një birrë para se të flihet është e aprovuar, pasi është e sigurt edhe nga ana mjekësore. Lëv i beson lojtarëve dhe për këtë arsye nuk ka dhënë urdhër për zbrazjen e milibareve në dhoma. Rregulli i mësipërm është në fuqi edhe për disa prej zëvendëstrajnerëve.
DUHANI
Trajneri i kombëtares gjermane, ish-duhanpirës, ka më shumë se një vit pa prekur cigaret. Por ai u ka lejuar lojtarëve të pinë duhan. Nuk e ndaloj, me përjashtim të mbledhjeve dhe kur ushqehemi, ka shpjeguar Lëv. Megjithatë, ai ka informacion se brenda grupit të lojtarëve, vetëm portieri rezervë Tim Uiese pi duhan, ndonëse jo rregullisht.
TWITTER DHE FACEBOOK
Trajneri i përfaqësueses gjermane ka vendosur ti lërë liri lojtarëve të përdorin rrjetet sociale por nën disa rregulla të qarta. Lojtarët mund të shprehin mendimet e tyre por asnjëherë mbi kombëtaren apo të flasin në mënyrë negative për kundërshtarët, gjyqtarët edhe kolegët. Shembulli më i qartë vjen nga ajo që Tomas Myler ka shkruar të martën në adresën e tij në Facebook. Përshëndetje nga Polonia. Mbërritëm shëndosh e mirë në Danzig. Strehohemi në një hotel të bukur, kushtet e stërvitjes janë shumë të mira. Për këdo që sheh komente të tilla, këto duken si kartolina!
SHËTITJET
Lojtarëve të kombëtares u lejohet të largohen nga hoteli. Por të gjithë duhet të kthehen nga ora 23:00 deri në mesnatë. Askush nuk duhet të largohet më shumë se një orë nga hoteli.
VESHJET
Çdo ditë, lojtarët do të marrin me postë në dhomat e tyre udhëzime të sakta për cilën uniformë stërvitje apo shëtitje do të veshin. Kur ka takime zyrtare, xhaketa e mbërthyer mirë është e detyrueshme.
Italia në kampin e Auschwitz
Mbrojtësi i Cagliarit, Davide Astori do të vihet në dispozicion të trajnerit të kombëtares italine Cesare Prandelli pas dëmtimit të Andrea Barzagli. Lojtari ishte vënë në dijeni nga tekniku Italian ditën e hënë, pasi ekzaminimet mjekësore kishin zbuluar probleme në pulpën e Barzagalit. Ditën e premte në bazë të të tjerave testeve mjekësore Prandelli pritet të vendos nëse do të mbajë në grup lojtarin e Juventusit apo do ti kërkojë Uefas zëvendësimin e tij me Astorin. Ndërkohë kombëtarja Italiane ka vizituar kampin e përqendrimit e Auschwitz i ndodhur në Poloni. Lojtarët e përfaqësueses azzure kanë vendosur kurora lulesh në vendin ku kryheshin ekzekutimet e personave të dënuar me vdekje. Gjithashtu Prandelli së bashku me lojtarët dhe drejtuesit e skuadrës kanë mbajtur disa minuta heshtje në nder të personave që humbën jetën në këtë kamp përqendrimi. Kombëtarja italiane nuk ishte e vetmja që kishte programuar vizitën në një ndër kampet më famëkeqe, pasi në të dalë të Birkenau lojtarët italianë kanë takuar ato të përfaqësueses holandeze ku i kanë uruar suksese njëri tjetrit në prag të Europianit. Italia ndeshjen e parë në Euro 2012 do ta ketë kundër Spanjës me 10 Qershor, kurse Hollanda do të përballet me Danimarkën në 9 Qershor.
Messi: Dua Botërorin më shumë se çdo gjë
Është vetëm 24-vjeç dhe ka fituar pothuajse të gjithë trofetë e mundshëm përveçse me kombëtaren e tij. Është pikërisht kjo ëndrra e yllit të Barcelonës Lionel Messit i cili ka deklaruar se një ditë dëshiron të fitojë Botërorin me përfaqësuesen e Argjentinës. Që kur isha në moshën 5 vjeçare gjithmonë isha duke luajtur me top. Të fitoj Botërorin është ëndrra ime e madhe. Messi komentoi dhe largimin e Pep Guardiolës nga Barcelona duke thurur elozhe për 44-vjeçarin, ndërkohë që shtoi se dëshiron të qëndrojë tek klubi katalanas. Më ka rritur si lojtar, sidomos taktikisht. Më ka shpjeguar gjëra të cilët nuk i kisha të qarta. E kam marrë vesh lajmin për largimin e tij ditën kur e deklaroi për mediat. Mund të them që ishte një javë e vështirë pasi kishim humbur me Realin por edhe u skuaflifikuam nga Champios League. Megjithatë unë do qëndroj tek Barca dhe shpresoj që gjithçka të jetë si më parë edhe pse pa Guardiolën. Tashmë ekipin e drejton Vilanova i cili ka një personalitet krejt të ndryshëm por gjithsesi shpresoj që të qëndroj sa më gjatë. Në përfundim sulmuesi foli dhe për mënyrën sesi ai e kalon kohën e lirë, jashtë fushës së gjelbër. Luaj me Playstation dhe zgjedh veten time. Me raste marr dhe ndonjë lojtar të Spanjës apo Argjentinës. Qesh vetëm kur arrij të shkëputem nga puna, kur jam me miqtë e mi dhe familjen. Falë tyre qëndroj me këmbë në tokë.