E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda: 31 vjet burg për drogën e "Taksistit"

 

TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda shpalli dje vendimin përfundimtar për tre personat e arrestuar nga operacioni policor "Taksisti" të akuzuar për trafikimin 4 kilogramëve drogë drejt Greqisë. Sipas vendimit të pesëshes gjykuese së kryesuar gjyqtari Xhelal Elezi, të pandehurit Aleksandër Kapaj, Përparim Llanaj dhe Blerand Grembi u dënuan me një total prej 31 vjetësh burg. Për shkak të aplikimit të gjykimit me kohë të shkurtuar në shqyrtimin e dosjes në ngarkim të tyre tek Krimet e Rënda, tre të pandehurit përfituan uljen e një të tretës së dënimit. Përfundimisht gjykata vendosi 7 vjet e 4 muaj për të pandehurin Kapaj dhe nga 6 vjet e 8 muaj burg për Llanajn dhe Grembin. Të pandehurit e kësaj dosjeje u arrestuan në tetor të vitit të kaluar për akuzën e "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike". Sipas organit të akuzës, nën drejtimin e Kapajt ata do të trafikonin lëndë narkotike në sasinë e 2.5 dhe 1.5 kilogramë, përkatësisht e llojit heroinë dhe kokainë. Po sipas prokurorisë lënda ishte siguruar në kryeqytet nga i pandehuri Kapaj, ndërsa ajo do të transportohej drejt Greqisë nga dy të pandehurit e tjerë. Sasia e drogës u gjend nga policia në automjetin "taksi" me traga FR 6541 C të këtij të fundit. Gjatë kontrollit policor të automjetit "taksi" të Grembit në pikëkalimin kufitar të Kakavijës policia gjeti të fshehur sasinë e lëndës narkotike. Pas arrestimit të tij u prangosën Kapaj e Llanaj.                                             ar.ba 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›