Asgjësohen 3 mijë bimë narkotike
SHKODER- KORÇE - Rreth 3 mijë bimë narkotike u asgjësuan dje gjatë operacioneve të zhvilluar nga policia në Shkodër dhe në Korçë. Policia e Shkodrës bëri të ditur se asgjësoi 2050 rrënjë bimë narkotike në fshatin Mazrek të komunës Gur i Zi. "Në vendin e quajtur 'Brahimaj' të fshatit Mazrek, në një vend të shpyllëzuar dhe pa pronar u gjetën 10 parcela me 1500 rrënjë. Në Geraj, të fshatit Mazrek, po në vend të shpyllëzuar dhe pa pronar u gjetën 4 parcela me 450 rrënjë të tjera. Në Shpor të po këtij fshati u gjet 1 parcelë me 50 rrënjë bimë narkotike, ndërsa në vendin e quajtur 'Zhdjec' të fshatit Mazrek, u gjet 1 parcelë me 50 rrënjë kanabis", bëri të ditur policia. Edhe policia e Korçës kreu dje një operacion, duke arrestuar edhe një person. Luan Gishto, 42 vjeç, lindur në Mazrek dhe banues në Fier-Shegan të Lushnjës, u arrestua me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike. Ndalimi është bërë mbasi është zbuluar se kishte kultivuar 1089 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa në fshatin e tij të lindjes. Policia e kishte zbuluar parcelën e mbjellë me këtë bimë në fshatin Mazrek të komunës malore të Lekasit dhe priste që të zbulonte kultivuesin e saj. Në sajë të punës operative u arrit që ta kapte atë teksa ai shkoi për t'iu kryer shërbimet e duhura bimëve. Mësohet se policia korri dhe dogji bimët, ndërsa kultivuesin e tyre e arrestoi në kushtet e flagrancës. r.d/j.gj