Krimet e komunizmit, “ligjet” pro Institutit Kërkimor

Diskutimi mbërrin në Kuvend
Komisioni i ligjeve i hapi rrugën krijimit të një Instituti Kërkimor që do të studiojë krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri.
Sipas propozimit të mbërritur nga këshilli i ministrave, ky institut pasi të ketë skanuar dhe analizuar faktet e mbledhura, do të bëjë edhe publikimin e tyre, informacion që do të shërbejë dhe si referencë për tekstet mësimore.
Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit do të jetë Institucion i pavarur me drejtues, persona pa një biografi politike. 29 nëntori i vitit 1944 deri në 8 dhjetor të 1990, janë përcaktuar si data simbolike ku do të fokusohet puna kërkimore e këtij instituti. Megjithatë deputetë në komisionin e ligjeve, kërkuan që si datë fundore të jetë momenti kur Sigurimi i Shtetit pushoi së ekzistuari juridikisht.
Dy ditë më parë, komisioni i ligjeve vendosi 20 shkurtin, si datën e përkujtimit ë viktimave të komunizmit.
Vendimi u mor në komisionin e ligjeve, gjatë shqyrtimit të projektligjit për “Simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve, të komunizmit në Shqipëri”.
Gjithashtu, gjatë diskutimit nen për nen, u vendos edhe ngritja e një obelisku përkujtimor në një nga sheshet qendrore të kryeqytetit.
Në projektligj përcaktohet dhe ngritja e disa monumenteve përkujtimore në zona të ndryshme të vendit, në nder të viktimave të diktaturës komuniste.