E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çahet diga, prag katastrofe në fshatrat e Skraparit

Alarmi

Rezervuari i Kajcës në Përmet, me kapacitet 150 mijë metra kub ujë, rrezikon edhe qytetin e Beratit

Tejmbushja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 të mbrëmjes së djeshme dhe e gjithë kjo sasi ujë ka përfunduar në rezervuarin e fshatit Prishtë të komunës çepan të Skraparit, i cili mbart rreth 500 mijë metra kub ujë

Abedin Kaja

SKRAPAR - Shirat e dendur në zonën midis Përmetit dhe Skraparit kanë bërë që të tejmbushjet dhe më pas të çahet diga e rezervuarit me kapacitet 150 mijë metra kub ujë në fshatin Kajcë të Rrethit të Përmetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 të mbrëmjes së djeshme dhe e gjithë kjo sasi ujë ka përfunduar në rezervuarin e fshatit Prishtë të komunës çepan të Skraparit, i cili mbart rreth 500 mijë metra kub ujë. Pas çarjes së digës, sasia e ujit të rezervuarit Kajcë ka përmbytur dhjetëra hektarë tokë bujqësore të fshatit Prishtë të komunës çepan, ndërkohë që janë evakuuar rreth 70 banorë që rrezikojnë t’u përmbyten banesat në këtë fshat.

Shkarkimi i ujit të rezervuarit Kajcë në rezervuarin e fshatit Prishtë ka vënë në rrezik digën e këtij rezervuari, që gjithashtu pritet nga çahet çasti në çast. Nënprefekti i Skraparit, njëherazi edhe kryetar i shtabit të emergjencave civile në këtë rreth, ka bërë me dije se është hapur porta e rezervuarit të Prishtës, por sasia e madhe e ujit që derdhet në këtë rezervuar e ka vënë në rrezik digën e këtij rezervuari me kapacitet 500 mijë metra kub ujë. E gjithë kjo sasi ujë ka vënë në rrezik edhe 15 banesa të tjera të ndodhura në ish-Repartin Ushtarak dhe ish-NSHN-së, në qytetin e çorovodës, të cilët gjithashtu janë evakuuar. Nga shpërthimi i mundshëm i rezervuarit të Prishtës, që së bashku me sasinë e ujit të ardhur nga shpërthimi i digës së rezervuarit të Kajcës, sasia e ujit shkon në rreth 650 mijë metra kub ujë, që më pas shkarkohet në lumin Osum dhe që rrezikon dhjetëra shtëpi banimi, lokale të ngritura përgjatë lumit Osum, si dhe qindra hektarë tokë bujqësore. E gjithë sasia e ujit e ardhur nga rezervuari Kajcës dhe ai i Prishtës do të përshkojë edhe pjesën fundore të qytetit të Beratit ku ndodhen dhjetëra shtëpi banimi dhe lokale të ndërtuara përgjatë këtij lumi dhe që rrezikojnë të përmbyten.

Situata e krijuar ka alarmuar pushtetarët vendor të rrethit të Skraparit dhe atij të Beratit. Nën prefekti i Skraparit, Fadil Kapllani, njëherazi edhe kryetar i shtabit të emergjencave civile, nëpërmjet telefonit ka bërë të ditur se situata është shumë e vështirë, pasi përgjatë rrugës së ujit ndodhen dhjetëra shtëpi të banuara, si dhe qindra hektarë tokë bujqësore. “Ne jemi duke marrë të gjitha masat e domosdoshme për evakuimin e banorëve të fshatit Prishtë, si edhe ata që ndodhen në zonat përreth lumit Osum”, - ka thënë Kapllani.

Në alarm janë vënë edhe përfaqësuesit pushtetit vendor në qytetit e Beratit. Kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, ka pohuar për gazetën, se është ngritur grupi i punës, i cili punon për të marrë masat e nevojshme deri edhe evakuimin e banorëve, shtëpitë e të cilëve ndodhen përgjatë shtratit të lumit Osum.

Gjirokastër

Kalldrëmet

shndërrohen në

përrenj malorë

GJIROKASTëR - Bllokimi i kanalizimeve të ujërave të bardha gjatë këtyre ditëve me reshje të rrëmbyeshme shiu në qytetin e Gjirokastrës i ka shndërruar rrugët e kalldrëmta në përrenj malorë. Më problematike kjo situatë është në lagjet e sipërme të qytetit, ku si shkak i bllokimit të kolektorëve dhe mungesës së investimeve për mirëmbajtjen e tyre ujërat vërshojnë mbi segmentet rrugore, duke e bërë të pamundur në disa raste qarkullimin e automjeteve apo këmbësorëve. Sipas banorëve, në lagjet e sipërme të qytetit prej vitesh nuk është investuar në lidhje me rikonstruksionin e kanalizimeve të ujërave të bardha, duke bërë që gjatë ditëve të dimrit të jetë e vështirë lëvizja në këto rrugë. “Si shkak i rrugës mjaft të pjerrët dhe bllokimit të kanalizimeve në ditët me shi, ne e kemi të pamundur lëvizjen, pasi ujërat vërshojnë të gjithë mbi rrugë”, thotë një banor i lagjes “Dunavat”. Krahas problematikës që sjell për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorët, bllokimi i kolektorëve bën që ujërat e rrëmbyeshëm të dëmtojnë edhe rrugët e kalldrëmta të ndërtuara me gur të skalitur, të cilat janë simboli i qytetit të Gjirokastrës.

B. Sh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›