Krimet e komunizmit vijnë në ekspozitën e Muzeut Kombëtar
>Në datën 20 shkurt një ekspozitë me një përmbajtje të veçantë do të vijë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, e cila do të përmbaje materiale mbi krimet e komunizmit në vendin tonë. Për këtë qëllim në Muzeun Historik Kombëtar, është mbledhur një grup pune nën drejtimin e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.
Ekspozita do të hapet në datën 20 shkurt, në përvjetorin e 18- të të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Në grupin e punës bëjnë pjesë drejtues të MTKRS si dhe institucioneve qendrore të saj, të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Arkivit të Ministrisë së Brendshme , RTSH, etj. Në qendër të këtij takimi ishte miratimi në parim, i asaj që do të përbëjë thelbin kryesor të kësaj ekspozite e cila në një të ardhme të afërt do të jetë edhe boshti i ngritjes së një muzeu të veçantë për krimet e komunizmit. Pjesëmarrësit në takim treguan propozimet e tyre në lidhje me materialet fotografike, filmime, por dhe dokumentare, që parashikohet të prezantohen në mjediset e kësaj ekspozite.