E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantimi i Skënderbeut, debati monolog i Schmitt-it

>Skënderbeu i Shmitt-it prezantohet në Vjenë. Prezantimi ngjall reagime në komunitetin shqiptar, Nga Shpëtim Redo, Vjenë
Instituti për Historinë e Europës Lindore, ku profesor Oliver Schmitt jep mësim, organizoi më 15 janar prezantimin e librit Skënderbeu. Falë ndërhyrjes private të sekretarit të Ambasadës së Shqipërisë, zotit Engin Ceka këtij organizimi ju bashkëngjit edhe shoqata e të rinjve shqiptarë në Austri Rinia. Duke u bazuar në faktin që ky libër i këtij autori ka ngjallur një debat në rrethet akademike në Shqipëri e më gjerë, ndaj ftesës së dërguar nga shoqata Rinia, pati një reagim jo pozitiv. Shumë shqiptarë në Vjenë shtronin pyetjen se perse duhet që ne shqiptarët të mundësojmë prezantimin e një romani shkencor të bazuar në hulumtime sipërfaqësore e hamendje akademike. Megjithatë siç duket Kryetari i Shoqatës Rinia, zoti Erald Vucini (i ngazëlluar që po kontaktohet nga një punonjës i Ambasadës Shqiptare këtu në Vjenë, duke mos ditur që veprimi i zotit Ceka qe privat dhe jo linja e shtetit shqiptar) i dha një rëndësi të veçantë këtij organizimi, i cili ishte komplet ndesh me qëllimet dhe detyrat që ka kjo shoqate këtu në Austri. Shoqata, ndër të tjera është  themeluar që të promovojë vlerën dhe kulturën e popullit shqiptar këtu në Austri dhe jo ti shtrojë qilimin e kuq një autori që shkruan gjëegjëza historike antishqiptare. Gjithashtu për ne shqiptarët qe tepër fyes edhe gjesti që në hyrje të sallës ku do të mbahej prezantimi i këtij libri u kontrolluam për armë nga security. Shumë pyesnin të habitur se çdo me thënë kjo. Ne si komunitet shqiptar, kemi marrë pjesë në shumë debate edhe gjatë luftës në Kosovë e më pas , por një gjest i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë. Gjithashtu tepër qesharak qe fakti që prof. Schmitt nuk lejoi as një kamera që të filmonte evenimentin në fjalë. Pas prezantimit nga ana e Schmitt-it, ku tezat e tij tashme dihen, fjalën e mori përkthyesi i librit z. Ardian Klosi ku ju prezantoi të pranishmeve Odisenë e botimit të këtij libri, që autori në fjale nuk po e boton dot në gjuhën e tij amtare në gjermanisht. Zoti Klosi tregoi që qe shume i surprizuar për të pavërtetën që mësojnë fëmijët shqiptarë në librat shkollorë mbi Skënderbeun në Shqipëri. Ai gjithashtu sqaroi që më përpara nuk ka qenë shumë i interesuar në këtë temë, por pasi ka përkthyer librat e Schmitt është bërë specialist në këtë fushë. Sa pak kohë duhet për tu bërë specialist në Shqipëri. Gjithashtu të habit fakti që një përkthyes ja jep të drejtën vetes për të diskutuar, apo shkon edhe më tej për të sugjeruar ndërrimin e teksteve shkollore,  pasi ka studiuar dy libra të Skënderbeut, nga 500 të tillë që ekzistojnë. Botimi i monografisë mbi Skënderbeun i Oliver Shmitt-it (Oliver Schmitt) ka ndezur debatin mbi personazhin dhe mitin e Skënderbeut. Libri ka shërbyer si një katalizator i debatit, si një ngacmim për shpërthimin e diskutimeve. Ndërkohë që shumë prej shqiptarëve që janë njohur me këtë botim janë kudër tij. Skënderbeu i Shmitt-it është paraqitur prej përkthyesit dhe botuesit, si një çmitizim i Skënderbeut mitik të historiografisë shqiptare, gjë e cila  ka ngjallur reagime nga disa intelektualë. Debati për figurën e Skënderbeut ka marrë një dimension, ndërsa në qarkullim kanë dalë edhe materiale kritike ndaj librit të Oliver Shmitt, i cili tenton të sjellë një imazh tjetër të heroit tonë kombëtar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›