Krimet zgjedhore- Prokuroria e Përgjithshme: 44 kallëzime në total, 2 i kalojnë për kompetencë SPAK

Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar se deri më 7 maj, në prokuroritë pranë juridiksionit të saj janë regjistruar 44 kallëzime në total lidhur me krimet zgjedhore.
Në kallëzimet e regjistruara, SPAK ka pasur 9 denoncime të tilla, 6 janë nga subjektet politike, 19 nga policia gjyqësore dhe rastet e tjera nga qytetarët.
Nga raportimet e bëra në Prokurorinë e Përgjithshme rezulton se kallëzimet e mësipërme janë regjistruar konkretisht: 5 në Prokurorinë Fier, 3 në Prokurorinë Sarandë, 2 në Prokurorinë Durrës, 7 në Prokurorinë Tiranë, 2 në Prokurorinë Gjirokastër, 3 në Prokurorinë Kukës, 3 në Prokurorinë Lezhë, 9 në Prokurorinë Dibër, 2 në Prokurorinë Vlorë, 1 në Prokurorinë Korçë, 2 në Prokurorinë Shkodër dhe 5 në Prokurorinë Elbasan.
Prokuroria e Përgjithshme thotë se nga kallëzimet, dy i janë dërguar për kompetencë SPAK, një nga Prokuroria Durrës dhe një nga Fieri. Kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi.
Një ditë më parë edhe SPAK tha se në Platformën Online janë regjistruar 115 kallëzime për krime zgjedhore. SPAK ka ngritur zyrat e saj në 12 qarqe në funksion të Task-Forcës për luftimin e krimeve zgjedhore. Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka firmosur një protokoll me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim shkëmbimin e shpejtë të informacionit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
/rtsh.al/