Votimi i diasporës në Greqi, Topalli: Po manipulohet procesi, monitorim ndërkombëtar

Drejtuesja politike për Diasporën nga radhët e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, në një deklaratë për media ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të OSBE-ODIHR, KQZ dhe SPAK-ut mbi procesin e votimit të diasporës në Greqi.
Topalli pretendon se ato që duhet të ishin qendrat e shërbimeve postare, në fakt janë lokale të lojërave të fatit, ku persona të paidentifikuar marrin me dhjetëra qindra zarfe votimi dhe i kthejnë në të njëjtat “lokale” pa vendosur firmën dhe pa dorëzuar shenjën e identifikimit.
Sipas saj, procesi i votimit të diasporës në Greqi po manipulohet.
“Vazhdojnë të vijnë indicie, informacione në ato që quhen qendra të shërbimeve postare që zakonisht janë lokale të lojërave të fatit, njerëz të paidentifikuar, pa I kërkuar ID, por marrin 10-20-50-100 zarfe votimi dhe i kthejnë në lokale pa vendosur firmën e tyre dhe pa dorëzuar shenjën e ID. Nëse një votë hidhen në një lokal të lojërave të fatit dhe në errësirë pa identifikim e firmë të personit që I merr, kjo votë s’mund të vlerësohet.
Nuk jemi thjesht në kushtet e shkeljeve ligjore, ky fenomen është shpërndarë në gjithë territorin, kjo e ka emrin manipulim të procesit zgjedhor në Greqi”, tha Topalli.
Topalli i kërkoi misionit të OSBE-ODIHR që të kryejnë monitorim ndërkombëtar; KQZ-së kryerjen e auditimit të kutive të votimit dhe mënyrës së transportit të zarfeve nga Greqia në Shqipëri; dhe SPAK-ut, hetim penal.
“Unë i kërkoj ODIHR-OSBE të kenë fokus të veçantë me procesin që po ndodh në Greqi. Një monitorim ndërkombëtar i vëzhgues vete huaj mbi procesin që ka kaluar jashtë kontrollit dhe ne i kemi dyshime që po kryhet nga partia në pushtet, kërkojmë monitorim ndërkombëtar.
I kërkojmë KQZ që të bëjë auditimin e të gjithë kutive të votimit, mënyrën e transportit nga Greqia në Tiranë.
I kërkojmë SPAK të bëjë hetim penal e ti përgjigjet pyetjeve cilët janë ata që përdorin e kryejnë veprime ekstra ligjore dhe po marrin pa identifikim, nënshkrim, votën që është vullnet i besimit të qytetarëve shqiptar”, deklaroi Topalli.
/rtsh.al/