E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol, celularë dhe leva në burgun e Burrelit, ikën shefi i policisë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas informacioneve të marra, mësyn në burgun e sigurisë së lartë në Burrel. Pritet të ketë arrestime në radhët e policisë, pas materialeve të kapura

BURREL Një kontroll i befasishëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka zbuluar në qelitë e të dënuarve 7 celularë, një kallëp tritoli dhe një levë, sende këto të ndaluara dhe të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e të dënuarve. Të gjitha këto janë zbuluar dy ditë më parë, por vetëm dje janë bërë të njohura, pasi ishte urdhëruar mbajtja sekret e gjithçkaje, për të mos krijuar panik te të dënuarit e këtij burgu.

Zbulimi

Çështja shtrohet si u zbuluan këto sende? Burime të mirëbesuara sqarojnë se “dikush” ka vënë në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me problemet e krijuara në Burgun e Burrelit. Madje, thuhet se është thënë e zeza mbi të bardhë se autoritetet e Burgut të Burrelit kanë lidhje me disa të dënuar, duke veçuar Zani Çaushin, të cilit kohët e fundit i janë rikthyer edhe pëllumbat që ai mbante në mjediset e vendit të vuajtjes së dënimit.

Këto informacione janë faktuar gjatë kontrollit të forcave speciale të drejtuara nga drejtori i përgjithshëm i policisë së burgjeve, Shpëtim Baçi. Më shumë se 30 efektivë kanë nisur kontrollet në çdo qeli mbrëmjen e dy ditëve më parë. Gati të gjithë të dënuarit u janë bindur forcave të ardhura nga Tirana, ndërkaq Zani Çaushi ka kundërshtuar kontrollin e tyre në qelinë e tij. Ky kundërshtim ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi efektivët e policisë së burgjeve kanë përdorur forcën për ta “bindur” atë. Sapo kanë nisur kontrollin në qeli, specialet kanë gjetur një celular dhe pasi e kanë parë me kujdes kanë konstatuar se nuk kishte kartë brenda. I kanë kërkuar të dorëzojë dhe kartën dhe ai nuk ka pranuar. Pikërisht në këto momente ka patur një përplasje të fortë dhe thuhet se Zani është dhunuar brenda në qeli.

Tritoli

Mirëpo kontrolli nuk është ndalur këtu. Në derën e qelisë së këtij të dënuari është gjetur një kallëp tritoli me fitil. “Dera e çdo qelie konsiderohet e blinduar. Ajo ka dy fletë të forta metalike dhe brenda është bosh. Të dënuarit që e kanë strehuar tritolin kanë shfrytëzuar dritaren e qelisë, hapësirën mes dy llamarinave për të fshehur tritolin. Askush nuk thotë me saktësi kush e ka futur lëndën plasëse në qeli dhe ku do përdorej ajo. Por një gjë është e sigurt. Futja e tritolit në mjediset e brendshme të Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel, vetëm qëllime të mira nuk ka patur. Grupi hetimor i ngritur me shpejtësi, me specialistë të DPB, me prokurorë të Matit, oficerë të policisë gjyqësore dhe ekspertë të kriminalistikës po heton çdo detaj të gjetjes së tritolit, levës së hekurit dhe celularëve. Janë marrë në pyetje të dënuarit që u kapën me celularë, oficerë të burgut dhe specialistë të regjimit të brendshëm. Asgjë nuk bëhet publike në lidhje me hetimet, por thuhet se viktima e parë pas gjetjes së sendeve të ndaluara ka qenë shefi i policisë së burgut, Shkëlqim Dodolli. Ai është shkarkuar nga detyra dhe në vend të tij DPB ka caktuar një shef policie të komanduar. Mësohet se hetimet do të përcaktojnë shkallën e përgjegjësisë së drejtorit të këtij institucioni, Fari Dema, shefit të policisë, Dodolli, dhe oficerëve që kanë patur për detyrë të ushtrojnë kontrolle të imtësishme. Burime jo zyrtare thonë se mund të ketë arrestime të personave përgjegjës dhe masa administrative të forta nga Drejtoria e Burgjeve.

PAJTIM HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›