E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi horror në Mallakastër, ja si u ekzekutua dhe u dogj çifti për paratë e kasafortës

Krimi i rëndë që ka tronditur Mallakastrën dhe tërë Shqipërinë duket se ka ndodhur pasi tre persona tentuan të vjedhin familjen Myftaraj.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Belishovë të komunës Qendër. Fati i zi i çiftit Myftaraj ka qenë se ata kanë qenë të pasur. Punonin gjithë ditën, i shoqi punonte sa për shtatë, por kishin edhe një dyqan. Të ardhurat i mblidhnin në një kasafortë. Pikërisht ajo ka qenë synimi i tre hajdutëve, që kanë kapërcyer murin rrethues të shtëpisë dhe kanë tentuar të vjedhin kasafortën.

Gruaja, Azbie Myftaraj, 54 vjeç, ka qenë e vetme në shtëpi, pasi i shoqi punonte si roje në puset e naftës në Drenovë. Hajdutët e kanë ekzekutuar atë me një hanxhar në qafë.

Më pas kanë tentuar të hapin kasafortën me një gur fresibël. Por në banesë është kthyer i shoqi i Azbies, Enveri 59 vjeçar. Ai është përleshur me hajdutët, që kanë arritur të marrin çiften që kishte Enveri në banesë dhe e kanë qëlluar atë në gjoks.

Më pas dy trupat i kanë marrë dhe i kanë futur në dyqanin që kishte familja në banesë, duke i vënë flakën.

Çifti kishte katër fëmijë, tre vajza dhe një djalë, të cilët nuk e kanë përballuar dot humbjen e prindërve dhe disa herë kanë kaluar në gjendje të fikëti ditën e djeshme, kur edhe i kanë varrosur prindërit.

Vëllai i viktimës, Flamur Myftaraj, ka rrëfyer për Panoramën se e ka gjetur trupin e vëllait të shkrumbuar, kurse kunata i ishte djegë vetëm tek këmbët. Ai thotë se kur erdhi zjarrfikësja ishte tepër vonë, pasi gjithçka kishte mbaruar.

Ai thotë se çifti ishte në gjendje të mirë ekonomike, pasi burri punonte tokat, vilte perimet dhe pemët, merrej me blegtori, por punonte edhe roje. Kurse e shoqja punonte në një dyqan të vogël që kishin te shtëpia. Ky ishte mëkati i tyre, kishin pak më shumë para.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›