E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në shifra alarmante. PS: Policia të mbrojë qytetarët. Burgaj: Nuk ndikohemi

SHIRIT-POLICIETiranë- Partia Socialiste përmes Saimir Tahirit i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të bëjnë detyrën për ti siguruar qytetarëve dhe vendit një tranzicon të qetë qeverisës.

I bëjmë sot thirrje të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të ndershëm të Policisë së Shtetit: Ngrihuni në këmbë e bëni detyrën për të garantuar sigurinë publike dhe paprekshmërinë e qytetarëve shqiptarë!

Tregoni se shteti është në këmbë pavarësisht se bien qeveritë! Tregoni se vetë Policia e Shtetit është në këmbë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.

I bëjmë thirrje oficerëve dhe punonjësve të përkushtuar të policisë së shtetit: Keni mbështetjen dhe besimin tonë për të bërë gjithçka është në dorën tuaj për të garantuar misionin kryesor: qytetarët shqiptarë kanë të drejtën absolute të jetojnë e të gëzojnë të qetë shëndetin, jetën dhe pronën e tyre dhe ne duhet ta garantojmë pa asnjë kusht,-tha ai.

Tahiri tha se vendi po përjeton një përshkallëzim kriminal të përmasave alarmante, të paparë e dëgjuar ndonjëherë më parë.

Shqipëria është zhytur nën thundrën e kriminalitetit. Bëhet fjalë për krime të paralajmëruara, të denoncuara ose krime aq evidente e të hapura, sa Policia e Shtetit duhet ti kishte ditur dhe ti kishte parandaluar përpara se të vinin pasojat fatale.

Megjithëse ka një Kryeministër e një Qeveri në detyrë, shteti është lënë si mall pa zot, qytetarët janë braktisur në mëshirë të fatit ndërsa Policia është kthyer në agjenci mortore që numëron viktimat.

Ne jemi të bindur se qytetarët meritojnë një tranzicinon paqësor të pushtetit, jo tranzicion të përgjakur të pushtetit, me anarki, vetëgjyqësi, armë të përhapura në masë njëlloj si në vitin 97, e po kështu me vrasje, plagosje, grabitje, banda, dhe larje hesapesh,-tha Tahiri.

PS-ja tha se pas shtatorit, do fillojë një kapitull i ri, edhe për Policinë e Shtetit.

Pas shtatorit, të gjithë bashkë, do rilindim shpirtin, misionin dhe fuqinë e shtetit ligjor, duke rilindur skuadrën e policisë së shtetit.

I bëjmë thirrje dhe atyre pak njerëzve që në këto ditë, e çojnë nëpër mend të shkelin ligjin apo të lajnë hesape kriminale. Ndaluni dhe bëni llogaritë mirë, përndryshe koha që forca e ligjit dhe drejtësisë të bëjë llogaritë me ju, vjen më shpejt se çe mendoni!,-tha Tahiri.

Ndërkohë po sot kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj në një takim me strukturat në Lezhë komentoi edhe situatën e krimit në vend.

Nuk duhet të ndikohemi nga periudha e tranzicionit të pushteteve dhe nga asnjë faktor tjetër në asnjë moment, por të vazhdojmë punën me korrektësi,- tha Burgaj.

Sipas Burgajt, policia nuk mund të përfshihet në tranzicionin e qeverisjes dhe tha se do të jetë në shërbim të qytetarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›