Basha: Së bashku do mundim Ramën. Olldashi: PD-ja të zgjerojë Kryesinë
Shkodër/Tiranë- Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga qyteti i Shkodrës ka deklaruar se demokratët e bashkuar do ta mundin sërish Edi Ramën si në vitin 2011.
Basha duke prezantuar platformën e tij për drejtimin e PD-së ka deklaruar: Rama na njeh mirë, nëse na ka harruar, do ia kujtojmë! Kush të ka mundur një herë, di dhe do të mundë përsëri. Sot, ndodhem para jush, në këtë moment të veçantë, i përulur para kontributit tuaj historik, për tju drejtuar në përballjen tjetër me kryesocialistin, përballje që do ta fitojmë, për ta nxjerrë edhe njëherë në opozitë dhe për të rikthyer në pushtet Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Ai tha se pika kryesore e platformës Basha është vlerësimi i kontributit të anëtarëve të PD.
Nuk ka arsye se pse, ne guxojmë të hedhim hapin historik të zgjedhjes së kryetarit të PD, në sistemin një anëtar-një votë dhe të ngurrojmë që ta përdorim votën dhe mendimin e anëtarëve të PD, për çdo vendim këtej e tutje në PD. Partia Demokratike do të njohë dhe kthejë në vlerësim kontributin historik të çdo anëtari të PD,-tha Basha.
Basha u ka kërkuar demokratëve, që të bashkuar të ndërtojnë platformën e tyre, për të marrë së shpejti në dorë qeverisjen e vendit.
Tju kujtojmë ditë për ditë zullumqarëve se kanë ardhur në pushtet duke premtuar 300 mijë vende pune dhe kanë filluar të projektojnë pushime masive të shqiptarëve nga puna, për ti zëvendësuar ata me militantë, erdhën në pushtet duke premtuar heqjen e taksave për 95% të shqiptarëve dhe vënien në përdorim të taksës progresive por që dje filluan të thurrin vargje për taksën e sheshtë të Sali Berishës. Sot, qytetarët shqiptarë presin dhe kanë të drejtë të presin siç kanë pritur dhe si kemi zhgënjyer asnjëherë, alternativën e re qeverisëse të Shqipërisë,- tha ai.
Olldashi: PD-ja duhet të zgjerojë Kryesinë
Ndërkohë kandidati tjetër, Sokol Olldashi në nje takim me strukturat e Grup-Seksionit të PD-së në Kombinat kërkoi që kryetarët e degeve në rrethe të jenë pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Kjo do të thotë që ne kemi nevojë të zgjerojmë kryesinë e përgjithshme të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Të kemi 36 kryetarë të degëve qëndër rrethi- ex officio anëtarë të Kryesisë dhe shtuar këtyre një korpus anëtarësh, të cilët do të bëjnë kryesinë në tërësi. Nga ana tjetër kemi nevojë të ndërtojmë një korpus këshillimor apo një hallkë të ndërmjetme , jo vendimmarrëse , por këshilluese për Kryetarin dhe për Kryesinë. Pra një grup, i cili ka të gjithë eksperiencën e ndërtuar nga PD në 23 vjet dhe që e vë në funksion të drejtimit politik të parties,-tha Olldashi.
Olldashi tha se ndër të tjera është e nevojeshme të bëhet inventarizimi i kontributeve te çdo anetari si dhe te vendosen mekanizma përgjegjësish dhe mekanizma stimujsh.