E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriminelja Plavsiç, rikthehet pas burgut në shtëpi

Ndërsa gjyqi për Karaxhiçin sapo ka filluar, duket se ka përfunduar po dje kalvari i dënimit të njërës prej bashkëpunëtoreve të tij më të ngushta, Biljana Plavsiç, gruas që zuri vendin e Karaxhiçit në presidencën e serbëve të Bosnjës. Dje ajo ka mbërritur në Beograd, pasi arriti që të fitonte një lirim të parakohshëm nga dënimi 11-vjeçar që kishte marrë në përfundim të gjykimit për akuzën e krimeve të luftës, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë në Hagë e dënoi Plavsiç në vitin 2003, por muajin e kaluar iu dha një lirim i parakohshëm, një vendim i kritikuar nga të afërmit e viktimave të Luftës së Bosnjës. Ajo ishte gruaja e vetme që u dënua në Hagë për krime lufte. "Nuk e di se çfarë të mendoj tani që jam e lirë pas 8 vitesh", ka deklaruar Plavsiç sapo është lënë e lirë. Plavsiç 79 vjeçe u bë Presidente e serbëve të Bosnjës në vitin 1996 duke pasuar Karaxhiçin. Ajo u dënua për ushtrim të persekutimit politik, racor dhe fetar dhe për ftesën që u bëri trupave paraushtarake nga Serbia për të marrë pjesë në forcat e serbëve të Bosnjës që kryen edhe spastrimin etnik në Bosnjë". Ndaj saj ranë akuzat e tjera për gjenocid dhe vrasje. Ajo që ra në sy ishte prania e Presidentit të serbëve të Bosnjës, Dodik, në pritjen që iu bë Plavsiç e që edhe njëherë flet për dasitë e mëdha që ekzistojnë në Bosnjë edhe pas kaq vitesh nga përfundimi i luftës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›