E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç bojkoton gjyqin

Prokurorët e OKB-së kanë çelur dje çështjen ndaj Radovan Karaxhiçit pavarësisht bojkotit të tij të vazhdueshëm duke cilësuar atë "liderin e padiskutueshëm" dhe "komandantin suprem" të serbëve të Bosnjës që ishte përgjegjës për të gjithë dhunën e ushtruar ndaj civilëve të pafajshëm në vitet e përgjakshme të Luftës së Bosnjës, që zgjati 4 vjet. Gjykatësit vendosën që çështja mund të vazhdonte edhe pa praninë e të akuzuarit. Karaxhiç ka refuzuar për të dytën ditë resht që të marrë pjesë në një proces që sipas tij është i padrejtë, pasi atij nuk i është lënë koha e duhur për të përgatitur mbrojtjen. Karaxhiç i kishte kërkuar gjykatës edhe 10 muaj shtesë në dispozicion të mbrojtjes, por kjo kërkesë nuk iu mor parasysh. Prokurori që e hapi seancën me parashtrimin e akuzave ndaj të pandehurit, tha se "Karaxhiç nxiti nacionalizmin gjakatar, urrejtjen dhe frikën për të zbatuar vizionin e spastrimit etnik në Bosnjë".
Në gjykatë kishin ardhur dhjetëra të mbijetuar të Luftës së Bosnjës dhe të afërm të viktimave të kësaj lufte. Ata e kanë ndjekur gjyqin në një sallë përmes një ekrani të madh. Ka pasur edhe nga ata që nuk e kanë pranuar tolerancën e gjykatësve për të mos e sjellë me forcë Karaxhiçin, që sipas tyre vazhdon që të bëjë rregullat e lojës edhe pse është pas hekurave të burgut. Për sa i përket përfaqësimit të Karaxhiçit ka shumë mundësi që nëse ai do të vazhdojë bojkotin të caktohet nga gjykata një gjykatës për të përfaqësuar interesat e të pandehurit Karaxhiç, i cili akuzohet për 11 krime, dy akuza për gjenocid dhe 9 akuza për krime të tjera lufte dhe kundër njerëzimit. Ndaj gjithë akuzave që i janë bërë Karaxhiçit ka deklaruar se ai është i pafajshëm. Nëse do të dënohet, ai do të përballet me maksimumin e akuzës që është burgimi i përjetshëm. Për prokurorët që kanë mbajtur dje fjalën e tyre, Karaxhiçi ishte forca lëvizëse që vuri në veprim gjithë makinën e përbindshme të luftës dhe të dhunës që për 4 vjet rresht mori jetën e mbi 100 mijë personave duke shënuar kështu edhe momentin më të përgjakshëm në historinë e Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të Luftës së Bosnjës, kur i doli urdhër-arresti, Karaxhiç u zhduk pa lënë gjurmë edhe pse autoritetet serbe janë akuzuar shpesh për fshehje të tij dhe të kriminelit tjetër Radko Mlladiç, shefit të ushtrisë së serbëve të Bosnjës, që aktualisht është në arrati. Vetëm një vit më parë ai u arrestua në Beograd, ndërsa kishte ndërruar tërësisht identitet dhe ishte shndërruar në një mjek "new age" që predikonte mënyra alternative të kurimit të sëmundjeve. Ai jetonte në mes të Beogradit, ndërsa ishte njeriu më i kërkuar në të gjithë Europën. Sipas prokurorëve, ekzistojnë prova të pakundërshtueshme që fajësojnë Karaxhiçin për ideim dhe pjesëmarrje aktive në aktet më të rënda të Luftës së Bosnjës. Karaxhiç ishte njeriu që para Luftës së Bosnjës deklaroi se do ta shndërronte Sarajevën në një kazan të zi në të cilin do të digjeshin të gjallë 300 mijë myslimanë. Prokurorët kanë përgatitur një listë të gjatë të dëshmitarëve që do të dëmtojnë kundër Karaxhiçit e që janë nga Srebrenica e vende të tjera të Bosnjës që u shndërruan në thertore falë politikës së Karaxhiçit dhe njerëzve që qëndronin pas tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›