Krishtlindjet, Rama uron daljen nga kriza, Berisha regjim vizash
TIRANE - Mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë festojnë sot Krishtlindjet. Mbrëmë në katedralen e Shën Palit është mbajtur mesha e madhe e Krishtlindjes, ku merrnin pjesë qindra besimtarë. Lindja e Krishtit u përkujtua me devotshmëri edhe në kishat e tjera në mbarë vendin.
Imzot Rrok Mirdita u ka bërë thirrje besimtareve që të udhëhiqen nga mirësia dhe drejtësia. Kjo tha ai na kujton të gjithëve se sa e nevojshme është falja, pajtimi dhe mëshira.
Gjatë ditës së sotme, qytetarët e këtij besimi kryejnë sërish rite fetare por edhe festojnë në ambiente familjare, ditën e madhe të Krishtlindjes.
Topi apelon për paqe dhe dialog
Me rastin e Festës së Krishtlindjes, nuk kane munguar urimet nga personalitetet e vendit. Presidenti, Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta Topi vizituan Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërinë e Tij, Anastasios Janullatos. "Është një ditë kur të gjithë pa përjashtim, pavarësisht besimit të tyre fetar duhet t'i ofrojnë njëri-tjetrit mirësi, paqe dhe dialog. Kjo vlen për të gjithë, pavarësisht nga profesionet që mbulojnë". Ky ishte mesazhi i Presidentit ne kete dite te shenjte.
Berisha: Krishtlindjet e tjera, si vend i lirë
Kryeministri Sali Berisha ka udhëtuar sot drejt Shkodrës për të përcjellë urimin e tij për festën më të madhe të të krishterëve, lindjen e Krishtit. Ai vizitoi Kishën Ortodokse dhe Katedralen e qytetit të Shkodrës. Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha uroi që "Krishtlindjet e tjera ti festojmë me një besim më të madh te Zoti, te vetja dhe te Shqipëria, si dhe të lëvizim të lirë në mbarë Evropën si qytetarë të një vendi të lire në v.2010.
PS, Rama uron daljen nga kriza
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, me rastin e festës së Krishtlindjeve zhvilloi të premten në mesditë një vizitë në Selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale, ku u prit nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos. "Ju uroj të gjithëve Gëzuar Krishtlindjet! Mbi të gjitha dua që ky urim t'iu shkojë të gjitha familjeve shqiptare që në këtë fundviti përballen me një krizë e cila ka nevojë për durim, ka nevojë për mundim, ka nevojë për sakrifica të veçanta, që unë uroj dhe shpresoj që nuk do të vazhdojnë për një kohë të gjatë", tha Rama në mesazhin e tij.