Sot Krishtlindjet, festë në familjet shqiptare. Urojnë personalitetet
Mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë festojnë sot Krishtlindjet. Mbrëmë në katedralen e Shën Palit është mbajtur mesha e madhe e Krishtlindjes, ku merrnin pjesë qindra besimtarë. Lindja e Krishtit u përkujtua me devotshmëri edhe në kishat e tjera në mbarë vendin.
Imzot Rrok Mirdita u ka bërë thirrje besimtareve që të udhëhiqen nga mirësia dhe drejtësia. Kjo tha ai na kujton të gjithëve se sa e nevojshme është falja, pajtimi dhe mëshira.
Gjatë ditës së sotme, qytetarët e këtij besimi kryejnë sërish rite fetare por edhe festojnë në ambiente familjare, ditën e madhe të Krishtlindjes.
Me rastin e Festës së Krishtlindjes, nuk kane munguar urimet nga personalitetet e vendit. Presidenti, Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta Topi vizituan Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërinë e Tij, Anastasios Janullatos. "Është një ditë kur të gjithë pa përjashtim, pavarësisht besimit të tyre fetar duhet t'i ofrojnë njëri-tjetrit mirësi, paqe dhe dialog. Kjo vlen për të gjithë, pavarësisht nga profesionet që mbulojnë". Ky ishte mesazhi i Presidentit ne kete dite te shenjte.