E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristal, "zhduken" procesverbalet e Renco Bosit

TIRANE- Zhduken” 39 procesverbalet e notave të Renzo Bos si-t në Universitetin jopublik “Kristal” në Tiranë. Hetuesit e çështjes “Bosi” kanë zbarkuar sërish pranë universitetit privat për të sekuestruar të gjitha procesverbalet e notave të djalit të ish-kreut të partisë Lega Nord, Umberto Bossi. Renzo Bossi rezulton të jetë pajisur me një diplomë nga universiteti jopublik. Burime nga prokuroria thanë se asnjë prej 39 procesverbaleve nuk është gjetur, çka shton edhe më tepër hijet e dyshimit për mënyrën sesi është firmosur diploma universitare në emër të Bossi-t, në një kohë që është vetë ky i fundit ka deklaruar se nuk di asnjë fjalë shqip dhe nuk ka qenë kurrë në Shqipëri, duke hedhur poshtë kategorikisht të ketë kërkuar pajisjen e tij me dokumentin universitar. Zyrtarë të universitetit “Kristal” janë shprehur se dy vite pasi studentët mbarojnë ciklin e studimeve asgjësojnë të gjithë procesverbalet e notave, duke dashur në këtë mënyrë të ‘justifikojnë’ mosgjetjen e procesverbaleve të notave të Renzo Bossi-t. Nëse zhdukja e procesverbaleve është ose jo një procedurë e rregullt, apo një lëvizje e qëllimshme për të fshehur skandalin e rastit “Bosi” po verifikohet nga hetuesit e Task- Forcë. 

PROCESVERBALET 
Misteri rreth lëshimit të një diplome në emër të Renzo Bossi- t, të djalit të ish-kreut të partisë Lega Nord, Umberto Bossi, sa vjen e shtohet kur së fundmi hetuesit janë vënë në dijeni të faktit se në universitetin jopublik “Kristal” nuk gjendet asnjë prej 39 procesverbaleve të notave të cilat pretendohet të ketë marrë italiani përgjatë tri viteve të studimeve. “Nuk janë gjetur procesverbalet e notave të Renzo Bossi-t. Pretendimi është se materiale të tilla ruhen për një afat dyvjeçar më pas asgjësohen. Nëse është ose jo i ligjshëm asgjësimi, ky fakt do të verifikohet”, - tha një zyrtar i prokurorisë. Ai theksoi se, mosgjetja e procesverbaleve pengon jo pak hetimin për të hedhur dritë mbi mënyrën sesi Renzo Bossi u pajis me diplomë universitare në Tiranë. Skandali i diplomës së Renzo Bossi-t u zbulua në kuadër të hetimeve që po kryheshin mbi financimet e dyshimta të partisë Lega Nord, që ishte drejtuar nga i ati Umberto Bossi. Gjetja e një diplome universitare të lëshuar nga universiteti jopublik në Shqipëri ngriti dyshimet se ishte “blerë” me paratë e partisë. Njësia Taskforcë nisi hetimet për universitetin “Kristal” për rastin “Bosi” në një kohë që djali i Umberto Bossi-t dyshohet që nuk ka përfunduar as shkollën e mesme në Itali, ndërsa në Shqipëri ka mundur të marrë diplomë. Hetimet janë shtrirë dhe në Itali ku është kërkuar informacion lidhur me shkollimin që ka kryer në shtetin fqinj Renzo Bossi.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›