E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPB gati përgjigjet e pyetësorit për studimin e fizibilitetit

Ministria e Punëve të Brendshme, e cila bart pothuajse barrën kryesore në procesin e integrimit evropian, tashmë i ka bërë gati përgjigjet e pyetësorit për studimin e fizibilitetit, të parashtruara nga Komisioni i Bashkimit Evropian. 

Lajmin e ka konfirmuar për “Epokën e re” ministri i MPB, Bajram Rexhepi. 

“MPB-ja është përgjigjur 16 pyetjeve të cilat i ka parashtruar Komisioni i BE-së lidhur me procesin e studimit të fizibilitetit, i cili do t’i hapë rrugë Kosovës për t’i nisur negociatat për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA). Këto pyetje kryesisht kanë të bëjnë me sundimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Rexhepi. 

Rexhepi ka bërë me dije se disa prej pyetjeve të parashtruara për MPB-në kërkojnë harmonizim me pyetjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe atë të Infrastrukturës. 

“Pas përgatitjes të përgjigjeve nga të gjitha institucionet qendrore, Ministria e Integrimeve Evropiane do t’i bëjë bashkë dhe do t’ia prezantojë Misionit Faktmbledhës të Komisionit të Bashkimit Evropian”, është shprehur Rexhepi. 

Më 7 maj të këtij viti Ministria e Integrimit Evropian (MIE) ka pranuar pyetësorin nga Komisioni i BE-së me mbi 450 pyetje për të gjitha institucionet qendrore të Republikës së Kosovës. Ky pyetësor përmban kryesisht pyetje nga fusha politike, legjislative dhe ekonomike. 

MIE-ja para disa ditësh i ka shpërndarë këto pyetje në të gjitha institucionet qendrore shtetërore. Deri nesër (e premte) të gjitha institucionet duhet t’i dërgojnë përgjigjet e tyre në MIE. Ndërkaq, më 21 maj të këtij viti MIE-ja do të raportojë në qeveri për të gjitha ato institucione të cilat kanë respektuar apo jo afatet dhe kualitetin e kërkuar të përgjigjeve në pyetësorin e Komisionit të BE-së lidhur me studimin e fizibilitetit. 

Duke u bazuar në përgjigjet e institucioneve të Republikës së Kosovës, më 1 qershor MIE-ja do të konsolidojë dokumentin final dhe më 8 qershor do t’ia dorëzojë Komisionit të BE-së. Pas dorëzimit të përgjigjeve te Komisioni i BE-së, më 18 qershor në Kosovë do të arrijë Misioni Faktmbledhës i këtij institucioni, me qëllim të verifikimit të përgjigjeve të pyetësorit lidhur me studimin e fizibilitetit, i cili do t’u hapë rrugë negociatave për MSA. 

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›