Kristi Gjezi Shprehet me tinguj...

Edhe pse është një nga talentet që po lakohet shpesh në qarqet parisiene, pakkush nga ne ka dëgjuar për Kristi Gjezin, violinistin 18-vjeçar, i cili u largua nga Shqipëria që në moshën katërvjeçare. Fitues i një sërë konkursesh ndërkombëtare, Kristi i shtohet listës së gjatë të shqiptarëve që po bëjnë “namin” në botë. Me prejardhje familjare muzikantësh, ai e zhvilloi talentin e tij që fëmijë, duke sakrifikuar fëmijërinë e lojërave me bashkëmoshatarët, për t’u bërë një artist i kompletuar, me personalitetin vetjak. Mesa duket ka gjetur rrugën e duhur për të ecur përpara, falë punës sistematike dhe talentit që premton shumë në të ardhmen. Si një artist virtuoz, instrumentisti ka performuar në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës. Tingujt e violinës sollën “për së gjalli” Bet’hovenin me sonatën “Primavera” dhe Eugene Isaye me sonatën “Aurora”, ku fitoi admirimin e specialistëve dhe artdashësve, që mbushën hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Sipas tyre, Gjezi u shqua për teknikën e pasur interpretuese edhe në veprën e Henri Wieniavskit, “Koncerti polonez”, ndërsa së bashku me shoqëruesin në piano, Lancienin, interpretuan në përfundim të koncertit sonatën nr. 3 nga Johaness Brahms dhe “Fantazinë” nga “Carmen” të Pablo Sarazates. Instrumentisti 18-vjeçar që jeton dhe zhvillon veprimtarinë e tij koncertore në Francë është mirëpritur për të dytën herë brenda një viti në vendlindjen babait të tij, Pirro Gjezi, ish-solist violinist i Teatrit të Operës dhe Baletit në vitet 1980. Në të parën intervistë dhënë për “Korrierin”, artisti virtuoz që mbërtheu dëgjuesit me klasin e tij, duke korrur pas çdo pjese duartrokitjet e merituara, rrëfen mbi karrierën e tij artistike, si dhe projektet më të afërta.
-Ju jeni kaq i ri dhe keni arritur të jeni një violinist kaq i suksesshëm. Mund të na tregoni disa nga sfidat më të forta në karrierën tuaj të deritanishme.
“Kam pasur fatin që të jetoj në Francë, dhe kjo gjë më ka dhënë mundësi që të marr pjesë në shumë aktivitete, si koncerte, konkurse ndërkombëtare etj. Mendoj se çelësi i suksesit është puna e vazhduar sistematike dhe me kriter. Kam fituar disa konkurse ndërkombëtarë, siç është ai i “Perpignanit”, ku jam vlerësuar me çmimin e parë, për të vijuar me konkursin e talenteve të reja në Avinion, po me çmim të parë, si dhe interpretimi më i mirë i veprës kontemporane në program etj”.
-Pavarësisht faktit që nuk njiheni shumë në Shqipëri, a mendoni se keni arritur majat e suksesit?
“Megjithëse kam ardhur dy-tri herë në Shqipëri, nuk besoj se jam i njohur, por mendoj të vij edhe herë të tjera për të luajtur, sepse kam kënaqësi të interpretoj për publikun e vendit tim. Për sa i përket pyetjes, mendoj se kam ende shumë për të dhënë”.
-Të qenit bir i një violinisti të njohur, ju ka ndihmuar apo penguar në karrierën tuaj muzikore?
“Është e vërtetë që kam pasur ndihmën profesionale nga babai im, por njëkohësisht dëshiroj të krijoj personalitetin tim si artist dhe si violinist. Në qoftë se do të bënin pak humor, nuk do të dëshiroja që të thoshin “Është djali i Pirro Gjezit”, por në të kundërtën, “babai i Kristi Gjezit”.
-Babai juaj ka qenë njeriu i parë që ju lidhi me violinën. Vazhdoni ta keni akoma atë një udhërrëfyes?
“Përveç babait tim, kam pasur edhe profesorë të tjerë në konservatorin e Bordosë dhe të Parisit, ku sivjet mbaroj ciklin e perfeksionimit ose masterin. Por shpesh kam kënaqësi të luaj përpara, ndërsa më pas pa dyshim që marr këshilla shumë të vlefshme”.
-Projektet tuaja të momentit dhe ato në të ardhmen tuaj?
“Pas konkursit “Fmaji” m’u dha mundësia që të luaja gjashtë koncerte këtë verë me orkestra të ndryshme në Paris. Pas disa ditësh do të luaj koncertin në sol-maxhor të W.A Mozart etj., dhe të finalizoj punën time në dhjetor me koncertin e J. Brahms. Do të marr pjesë gjithashtu në nëntor në një konkurs ndërkombëtar që quhet “J. Thibaud”.
-Pjesëmarrja juaj në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në Durrës ka fituar admirimin e artdashësve dhe specialistëve të muzikës. Emocionet tuaja te ktheheni të luani në vendlindjen e babait tuaj?
“Siç e thashë më lart, kam një kënaqësi të veçantë të luaj në qytetin e vendlindjes së babait tim, në Durrës, dhe sigurisht që emocionet janë më të mëdha. Unë ndjej me eksperiencën time modeste artistike ngrohtësinë e publikut, por njëkohësisht ndjej më shumë përgjegjësi në cilësinë e interpretimin këtu”.
-Kush është ndjesia që doni të sillni me anë të telave të violinës?
“Të luash në një instrument është si të shprehesh jo me anën e fjalës, por me anën e tingujve ndjenjat e tua, një ekspresion ndoshta më i sofistikuar, ku dalin ide më të përgjithshme, si lirizmi, dramaturgia, emocionet të thjeshta të çdo njeriu, ose të një shoqërie”.
-Përveç kësaj, pasione të tjera tuajat?
“Pa dyshim që kam si çdo i ri pasionet e mia, përveç muzikës, si për shembull loja e shahut etj”.
Çmimet
- Në Perpignan”, çmimin e parë (2001), Francë
-në Avininon, “Concours International de violon d'Avignon”, çmimin e parë. (2005), Francë.
-Afër Parisit, konkursi “Fmaji”, “Festivali i Muzikës së Vjeshtës për Interpretuesit e Rinj”, (Festival musical d'automne des jeunes interprètes), çmimin e parë dhe interpretimi më i mirë në veprën kontemporane në program, (shkurt 2008), Francë
- Konkurs ndërkombëtar “Tibor Varga”, çmimi e tretë (07/2008), Zvicër.