E Shtunë, 31 Tetor 2026

Personalitetet kuqezinj ngrenë kombëtaren

Lorik Cana, Altin Lala dhe Ervin Skela janë heronj të padiskutueshëm në klubet e tyre, edhe Arian Beqaj, Klodian Duro e Hamdi Salihi nuk gëzojnë më pak status. Fat për Hanin

Një rol të madh po luan statusi i lojtarëve shqiptarë në skuadrat ku ata luajnë nëpër Evropë. Arian Beqaj, për momentin, është më i vlerësuari dhe më vendimtari lojtar i Anortosisit të Famagustës, kampione e Qipros, që për herë të parë në histori hyri në fazën finale të Ligës së Kampionëve. Debatik Curri sidomos, por edhe Armend Dallku janë lojtarët më të dalluar të Vorsklës së Poltavës në kampionatin ukrainas, ashtu si Klodian Duro që është cilësuar magjistari i Omonias qipriote, ekip që vazhdon aventurën në Kupën UEFA.

Për Lorik Canën nuk mund të shtohet asnjë fjalë nga ato që dihen tashmë. Idhulli i tifozëve, kapiteni i klubit më të famshëm të Francës, Olimpikut të Marsejës, lojtari lider dhe ndoshta më i shtrenjti në kampionatin francez, i kërkuar radhazi nga Reali i Madridit, Arsenali, Bajerni, Roma. Loriku është një bamirës i njohur, pranë rangut të Ronaldos apo Zinedin Zidanit, me të cilët ka organizuar disa ndeshje për qëllime të tilla.

“Lorik Cana ngrihet herët dhe në orën 06.55 paraqitet në qendrën stërvitore marsejeze, vetëm një minutë pasi aty ka shkelur trajneri Erik Gerec”. Ky është konstatimi që bën gazetari i televizionit zyrtar të klubit, konstatim që e tregon qartë përse Loriku e meriton të jetë lideri. “Në 08.43 Gerec e fton Lorikun për një kafe, - vazhdon OM TV, - në një moment kërkohen njerëz për të mbledhur topat e lënë në fushë që nga stërvitja e pasdites së një dite më parë. Loriku hedh sytë në të katër anët për të gjetur “vullnetarë”. I takon, kot nuk është kapiten”.

Altin Lala prej 10 vjetësh është një “hanoveran” dhe prej të paktën 5-6 vjetër një “fyer” në klubin tradicional gjerman. Edhe ai është një lider, ashtu si Cana një protagonist në bamirësi, duke i shtuar edhe një dimension të ri identitetit të tij të rëndësishëm në Gjermani. Diku Altini del në takim me fëmijët, diku duke garuar me kuaj, më tej bamirës dhe në fund si sipërmarrës bashkë me kompaninë e madhe gjermane të farmaceutikës “Rosman” për të hapur degë të saj në Shqipëri.

Rroga e Altinit është mbi 1 milion euro në vit, ai merret si shembull për gjermanët që nuk duan fëmijë duke pasur një dalë poliglot dhe një vajzë si prej Hollivudi. Ja si shkruan “Noje Prese”: “Ne duam t’iu paraqesim gra dhe burra që duan të kundërshtojnë paragjykimet e sotëm. Sot kemi Altin Lalën, që në gjirin e familjes së tij gjen harmoninë”. Lojtarët shqiptarë nuk janë thjesht futbollistë të mirë, por edhe shembuj për t’u ndjekur një traditë që fillesën e ka që tek Altin Rraklli në epokën e tij te Frajburgu.

Ervin Skela është personazhi kryesor i Energisë së Kotbusit ... bashkë me trajnerin Bojan Prashnikar .Një talent i pastër dhe një karakter po aq i tillë. Fjalën idhull po e lodhim si shumë, por edhe për Ervinin ia vlen të përdoret. Tifozët e duan, e ngrenë në qiell, po këtë raport ka pasur me ta edhe tek Ajntrahti i Frankfurtit apo Arminia e Bilefeldit. Aq përgjegjësi ndjen në vetvete mesfushori saqë e ka krejtësisht të natyrshme që të marrë topin dhe të gjuajë vetë penalltitë, një rol vërtet prej protagonisti.

Asnjë nga lojtarët e sotëm shqiptarë, me përjashtim të kapitenit Lala (63 ndeshje), nuk i ka numrat për të konkurruar me kapitenët legjendarë të së shkuarës si Rudi Vata, Foto Strakosha, Igli Tare, Altin Rraklli apo Alban Bushi. Madje shumica dërrmuese nuk i kanë numrat që kishin Bledar Kola, Arian Xhumba apo Sulejman Demollari.

Por për Lorik Canën nuk ka rëndësi që ka vetëm 26 ndeshje me fanellën, për Dallkun që ka vetëm 22 apo për Currin me vetëm 12 (!!). Po kështu, Hyka e kalon fare i patronditur faktin që është rreshtuar në fushë 7 herë, ndërsa shpresa të tilla si Salihi e Berisha kenë përkatësisht 6 dhe 8 ndeshje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›