E Shtunë, 31 Tetor 2026

Post-vdekja e Kosta Trebickës

Ora 03:00

Ekspertët e Mjekësisë-Ligjore përfundojnë pas rreth 5 orësh ekzaminimin e kufomës së Kosta Trebickës. Rezultatet u bënë publike vetëm në orët e pasdites së djeshme.

Ora 08:00

Grupi i hetuesve niset sërish për në vendin e aksidentit, ku deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u kryen matje dhe ekspertime të gjurmëve në vendin e ngjarjes.

Ora 9:00

Hetuesit e çështjes vazhdojnë me marrjen e dëshmive nga personat që kanë gjetur trupin e aksidentuar të biznesmenit. Ky proces ka zgjatur për disa orë dhe pritet të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

Ora 12:00

Një grupi i dytë ekspertësh mbërrin në Korçë për të hetuar mbi vdekjen e Kosta Trebickës. Grupi nisi menjëherë punën për hetimet rreth sendeve personale të 50-vjeçarit, që u gjet i vdekur dje rreth 35 metra larg makinës së tij. Hetuesit këqyrën çdo cep të dhomës së hotelit ku biznesmeni shqiptaro-amerikan kishte prenotuar vetëm për një natë.

Ora 12:25

Mbërrin në Korçë përfaqësuesi i ambasadës amerikane. Ai takohet me drejtorin e Krimeve të Rënda, Tonin Vocajn, me të cilin bisedoi rreth të dhënave të deritanishme për vdekjen e Kosta Trebickës.

Ora 13:00

Eksperti amerikan niset drejt vendngjarjes. Sipas të dhënave të korrespondentes së “Korrierit”, ai ka kundërshtuar disa prej veprimeve të kryera nga hetuesit shqiptarë, siç ishte rasti i lëvizjes së automjetit të aksidentuar nga vendi i ngjarjes.

Ora 13:12

Kreu i PDS-së, Paskal Milo, reagoi për vdekjen misterioze të dëshmitarit të aferave të Gërdecit. Sipas tij, vdekja e Kosta Trebickës është një vrasje e denjë për stilin e “Kamorrës”. “Është momenti që qeveria të japë dorëheqjen. Është vrarë njeriu që dinte gjithçka për Gërdecin, ai që dinte lidhjet e Berishës me Gërdecin, prandaj prokuroria nuk duhet të tërhiqet për të zbuluar të vërtetën”, - tha Milo.

Ora 13:20

TIRANË - Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri i shpreh ngushëllimet familjes së biznesmenit Kosta Trebicka, për humbjen e njeriut të tyre të afërt. Zyra e shtypit pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë konfirmoi se lidhur me vdekjen e biznesmenit, ambasadës amerikane i është kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe agjenci të tjera qeveritare. “Ambasada amerikane në Tiranë do të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme”, garantoi ambasada amerikane në Shqipëri.

Ora 13:45

Ministria e Brendshme tha se nuk e kishte marrë në mbrojte Kosta Trebickën, pasi nuk i ishte kërkuar një gjë e tillë nga prokuroria. Edhe pse dëshmitar kyç në çështjen e trafikut të paligjshëm të armëve, Trebicka ishte lënë në mëshirë të fatit. Burime pranë Ministrisë së Brendshme bënë të ditur se nuk u kishte ardhur asnjë kërkesë nga Prokuroria e Përgjithshme për të marrë në mbrojtje dëshmitarin Trebicka.

Ora 13:50

Lëvizja “G 99” e cilëson dështim total të shtetit, faktin që nuk arriti të mbronte dëshmitarin kryesor të tij për tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Erion Veliaj tha se pret zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së Trebickës. “Shqipëria nuk është Rusia dhe nuk do lejojmë nëpërkëmbjen nga pushteti i frikës”, - tha Veliaj. Vdekja e Kosta Trebickës është cilësuar nga Veliaj si një ngjarje tepër e rëndë, e cila u shton frikën të gjithë shqiptarëve, të cilët duan të thonë të vërtetën dhe të denoncojnë korrupsionin.

Ora 13:51

Prokuroria e Përgjithshme thotë zyrtarisht, se Kosta Trebicka nuk kishte mbrojtje të posaçme. “Organi i akuzës nuk ka disponuar informacione që vinin në rrezik jetën e shtetasit Kosta Trebicka dhe as vetë ai nuk ka parashtruar para këtij organi shqetësime për vënien në rrezik të jetës së tij”, - tha zyrtarisht prokuroria. Sipas saj, “duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje, për sqarimin e mëtejshëm të saj Prokurori i Përgjithshëm nëpërmjet ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë kërkesë dhe jemi në pritje për vënien në dispozicion të një grupi ekspertësh me njohuri të posaçme për të dhënë kontributin e tyre në ekzaminimin e ngjarjes”.

Ora 14:00

Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kryeministri i vendit, Sali Berisha, ngushëllon familjen e Kosta Trebickës për ngjarjen e rëndë dhe ka premtuar se do të sigurojë hetime tërësisht transparente dhe të plota. Gjithashtu, Berisha tha se ka urdhëruar angazhimin e ekspertëve më të mirë për zbardhjen e ngjarjes.

Ora 14:20

Kreu i grupit parlamentar të PDR-së, Tritan Shehu, tha se “lidhur me aksidentin, unë nuk jam ekspert i krimeve, por duhet të presim konkluzionet e ekspertizës dhe të mos bëjmë deklarime ,duke dhënë mendime të parakohshme. Realisht po punohet dhe janë vënë në lëvizje të gjitha strukturat e shtetit shqiptar për zbardhjen e së vërtetës së kësaj ngjarjeje tragjike”.

Ora 14:25

Lëvizja “Mjaft” reagoi pas vdekjes tragjike të Kosta Trebickës, që pati kurajën të denonconte publikisht skandalin më të tmerrshëm të kësaj dekade, duke bërë lidhjen ndërmjet tragjedisë së Gërdecit, trafikut ndërkombëtar të armëve dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit. Elisa Spiropali tha se tani me vdekjen e një dëshmitari thelbësor si Trebicka, tragjedia e Gërdecit ka më pak mundësi për t’u zbardhur dhe fajtorët më shumë mundësi për të dalë të pandëshkuar. “Në emër të të gjithë aktivistëve të “Mjaft” ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, i cili ishte një njeri i lirë që sfidoi krimin”, përfundoi Spiropali.

Ora 14:50

Gramoz Ruçi reagoi për heshtjen e qeverisë “Berisha” lidhur me mbrojtjen e dëshmitarit kyç në aferën e municioneve. “Dëshmia publike e qytetarit të mirë Kosta Trebicka, cënoi drejtpërdrejt qeverinë e Sali Berishës, dhe për këtë arsye kjo qeveri i ka borxh publikut të gjerë sqarimin e rrethanave të vdekjes së tij”, - tha Ruçi. Sipas deputetit të selisë rozë, Berisha duhet të tregojë se përse nuk u mbrojt dëshmitari kryesor i aferave të Gërdecit. “Sot, duke i shprehur ngushëllimet tona më të thella familjes Trebicka për këtë humbje të madhe, Partia Socialist shpreh gjithë mbështetjen morale dhe politike për prokurorinë drejt zbardhjes sa më të shpejtë të të gjitha ngjarjeve kriminale që lidhen me çështjen e Gërdecit”, tha Gramoz Ruçi në emër të PS-së.

Ora 16:00

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit publikon konkluzionet paraprake hetimore mbi shkaqet e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka. Zëdhënësi i kësaj drejtorie, Klodian Branko, tha se “nga konkluzionet paraprake rezulton se shkaku i vdekjes së shtetasit Kosta Trebicka ka qenë politrauma e shoqëruar me kontuzion (shembje) të kokës dhe të gjoksit, me dëmtime të organeve përkatëse me mekanizmin e goditje-përplasjes, karakteristikë kjo e traumave automobilistike. Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme rezulton se viktima Kosta Trebicka një natë para ngjarjes ka fjetur në hotel në Voskopojë dhe në orën 05:00 të mëngjesit ka dalë i vetëm nga hoteli dhe me mjetin e tij është nisur për gjueti”, - sqaroi Branko.

Ora 16:11

TIRANË - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, niset me helikopter në drejtim të Korçës, ku zhvilloi takime me drejtuesit e grupit hetimor rreth të dhënave që janë siguruar nga hetimi. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se gjatë kësaj vizite kryeprokurorja Rama shoqërohej nga prokurorët udhëheqësi i grupit hetimor të dosjes “Gërdeci”, Zamir Shtylla.

Ora 16:33

Instituti i Mjekësisë Ligjore publikon rezultatet e autopsisë mbi shkakun e vdekjes së Kosta Trebickës. “Ekzaminimi i kufomës së shtetasit Kosta Trebicka u krye në morgun e spitalit rajonal të Korçës nga ora 22:00 e datës 12.09.2008 deri në 0:03 të datës 13.09.2008, me pjesëmarrjen e katër ekspertëve mjeko-ligjorë”, - tha zyrtarisht Instituti i Mjekësisë Ligjore. Sipas rezultateve paraprake, “kufoma i përket shtetasit Kosta Trebicka, i moshës 52 vjeç. Nga analiza paraprake mjekoligjore e veçorive të dëmtimeve të jashtme dhe atyre të brendshme të konstatuara, shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë politrauma e shoqëruar me kontuzion (shembje) të kokës dhe të gjoksit, me dëmtime të organeve përkatëse me mekanizmin e goditje-përplasjes, karakteristike të traumave automobilistike”, - bënë të ditur burime zyrtare nga Mjekësia Ligjore.

Ora 16:44

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama mbërrin në Korçë. Ajo ka zbritur nga helikopteri në stadiumin e futbollit “Skënderbej”, ku u prit dhe pati një bisedë të shkurtër me një grup ekspertësh nga ambasada amerikane në Tiranë, të cilët kanë mbërritur në qytetin e Korçës. Kryeprokurorja Rama, e cila shoqërohet nga prokurorët Zamir Shtylla dhe Sokol Stojani, që janë dhe prokurorë të çështjes së Gërdecit, shkoi më pas në Prokurorinë e Korçës, ku zhvilloi një takim. Grupi i ekspertëve nga ambasada amerikane në Tiranë ishin dje edhe në vendin e quajtur “Kullat e Gjergjevicës”, në rrethin e Korçës, ku një ditë më parë u gjet i pajetë biznesmeni Kosta Trebicka.

Ora 17:28

KORÇË - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, zhvillon një takim të mbyllur pothuaj dyorësh në Prokurorinë e Korçës. Sipas burimeve të kësaj prokurorie, gjatë takimit ajo u njoh me ecurinë e deritanishme të hetimeve rreth ngjarjes së djeshme, ku humbi jetën biznesmeni shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka. Pas takimit ajo nuk bëri asnjë prononcim për mediat, ndërsa prokurori i Korçës, Përparim Vukaj, u tha gazetarëve se “ende jemi në proces hetimi” dhe se kryeprokurorja Rama do të vazhdojë inspektimin e saj në vendin e quajtur “Kullat e Gjergjevicës”, në rrethin e Korçës.

Ora 17:30

Arkivoli me trupin e pajetë të Kosta Trebickës niset nga morgu i spitalit të Korçës drejt banesës së tij në kryeqytet, aty ku do të zhvillohet edhe ceremonia mortore. Banesën e të ndjerit gjatë gjithë ditës së djeshme e kanë vizituar miq dhe të afërm të Kosta Trebickës, si dhe figura politike, të cilët u kanë shprehur ngushëllimet familjarëve.

Ora 19:00

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës” deklaroi zyrtarisht se “biznesmeni shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka ka vdekur për shkak të aksidentit”. Nishani ka saktësuar se Trebicka ka qenë i vetëm në hotel dhe në gjueti, duke hedhur poshtë zërat se viktima shoqërohej nga një person tjetër.

“Në trup traumat ishin si ato të aksidenteve automobilistike. Gjithashtu, i ndjeri ka qenë i vetëm në hotel dhe është larguar i vetëm në orët e para të mëngjesit për gjueti. Ka dëshmitarë që e kanë konfirmuar këtë”, ka deklaruar Nishani. Ai ka hequr çdo përgjegjësi të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për mbrojtjen e Trebickës, duke qenë se ishte një nga elementët kyçë në trafikun e fishekëve nga Shqipëria drejt Afganistanit.

Ora 22:30

Kortezhi mortor me arkivolin ku ndodhet trupi i pa jetë i Kosta Trebickës, mbërriti në banesën e tij, në “Rrugën e Elbasanit”. Me dhjetëra familjarë e të afërm, kanë pritur me lotë në sy arkivolin me trupin e pa jetë të njeriut të tyre të dashur. Kjo do të jetë mbrëmja e fundit që Kosta Trebicka kalon në shtëpinë e tij, për t’u larguar rreth orës 15:00 drejt banesë së fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›