E Diel, 1 Nëntor 2026

Ermonela, kurtizania sensuale mrekullon presidentin Napolitano

Ermonela Jaho e ka kurtizanen seksuale, të interpretuar për herë të parë në vitin 2005 në Operën e Marsejës dhe së fundi në një turne në Japoni me trupën e Royal Opera House Convent Garden të Londrës, një nga rolet e saj më të arrira. Ajo njihet në nivel ndërkombëtar si një nga interpretueset më të mira të Violetës në operan “Traviata” të Xhuzepe Verdit. “Është një nga personazhet që kam më shumë për zemër, sepse më jep mundësinë të shprehem më së miri”, thotë ajo. Por në Arenën e Veronas, në hapjen e sezonit të 89-të lirik, interpretimi i saj në rolin e Violetës është cilësuar nga të gjitha mediat italiane: Një triumf i vërtetë. Pjesë e suksesit të operas verdiane ishte padyshim Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare, që në petkun e Violetës, që në notat e para, mrekulloi publikun dhe kritikën. “Një Ermonelë e fuqishme, në rolin e protagonistes, u tregua soprano me temperament të fortë dhe zë të admirueshëm”, shkruanin për të gazetat e të nesërmes së premierës në Arena Verona. Performanca në Arenën e Veronës të premten ishte vërtet e veçantë për Ermonelën, e cila që prej vitit 1993 jeton në Itali, madje ka dhe nënshtetësi italiane. Në media ajo etiketohet si sopranoja shqiptare me nënshtetësi italiane e se Italia është atdheu i saj i dytë, e pranon dhe vetë sopranoja: “Natyrisht, në Itali ndihem si në shtëpinë time. Italia është atdheu im i dytë. Kam jetuar këtu një pjesë të mirë të jetës sime. Dua me gjithë zemër kulturën e mrekullueshme italiane dhe muzikën e këtij vendi, dhe ndihem pjesë e saj. Unë jam një prej jush, për më shume se prej 10 vjetësh. Kam nënshtetësi italiane dhe nuk mund të heq dorë nga Italia dhe Ravena ku unë banoj” - thotë Violeta Valery-ja shqiptare e skenave italiane. Sepse Ermonela, e lindur në Tiranë, ka ardhur në Itali që në vitin 1993, dhe këtu ka arritur të ngjitet në skenat më prestigjioze të botës, mes të cilave Royal Opera House Covent Garden në Londër, Metropolitan Opera në New York, Bayerische Staatsoper në Munih, Staatsoper në Berlin, Teatro San Carlo në Napoli, l'Opernhaus në Cyrih, Opéra National në Lion, Teatri i Operës në Këln. “Kur këndoj për publikun e Arena-s kam më shumë përgjegjësi dhe emocione, sesa kur këndoj në Royal Opera House Covent Garden në Londër apo në Metropolitan Opera në New York, sepse jam përballë publikut tim, që më bën të ndihem si në shtëpinë time. I jam shumë mirënjohëse Italisë, atdheut tim të dytë prej 18 vjetësh”. Në Arenën e Veronës ajo u duartrokit nga publiku për performancën e saj, ashtu si gjithmonë, sa herë që ndodhet në skenat italiane. “Në Arena është e nevojshme të japësh zemrën, që është shumë më shumë se të këndosh bukur. Unë jam realiste: nëse nuk lë zemrën në skenë, nëse nuk arrin t’i transmetosh gjithçka që ke brenda teje spektatorit, atëherë nuk mund të ankohesh përse publiku nuk me ndjek. Unë për vete jam e tillë: e ndiej se duhet të jap gjithçka nga vetja si të ishte interpretimi i fundit i jetës sime në skenë.” E duke qene se ajo lë në skenë zemrën e saj, u përzgjodh që të hapte sezonin lirik në Arena Verona, me rastin e 150-vjetorit të Bashkimit të Italisë. Në mes të spektatorëve ishte dhe presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano. “Të hapja sezonin lirik në 150-vjetorin e Unitetit të Italisë, me presidentin Napolitano të pranishëm, me operën time të preferuar, ishte një çast i mrekullueshëm, emocionues dhe unik, jo vetëm nga ana profesionale, por edhe humane. Madje, në fund të spektaklit Presidenti erdhi e na takoi ne artistëve. Do të më mbeten të pashlyera në zemër përgëzimet e tij, për zërin dhe italishten time të pastër që, sipas tij, edhe pse në një hapësirë gjigante si arena, kish arritur të kapte emocionin e çdo fjale”. Kreu u shtetit italian shoqërohej nga bashkëshortja e tij dhe ministri i Kulturës, Giancarlo Galan. Ndërkohë, ajo shprehet se Violeta që interpretoi në Arenën e Veronës është ndryshe nga të tjerat. “Kam realizuar në skenë shumë ‘Traviata’, por asnjëherë nuk është e këtij niveli. Më duket vetja si një nxënëse në ditën e parë të shkollës.”- sepse, siç thotë dhe sopranoja, rolet e saj të preferuara janë pikërisht ato që kanë patos, dramë, në të cilat ajo e ndien që mund të japë maksimumin, qoftë me zë e qoftë me ndjenja e me shpirt. “Mes shumë roleve që kam luajtur në skenat operistike përveç ‘Traviatës’, do të rendisja dhe ‘Madama Butterfly’, ‘Manon’, ‘Anna Bolena’, ‘Boheme’, ‘Don Carlos’, ‘Luisa Miller’, ‘Giulietta...”. Në skenën e Veronës për sezonin artistik, duke filluar nga 17 qershori do të ketë 9 shfaqje të operas “Traviata” të Xhuzepe Verdit, ku në rolin e Violetës janë zgjedhur emrat më të spikatur të skenës operistike: Ermonela Jaho, Lana Kos, dhe Inva Mula, që do të jenë përkrah Francesco Demuro e Francesco Meli-t në rolin e Alfredos. Përgatiti: Aida Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›