E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristo Frashëri: Berisha shkatërroi shkencën e dijen në Shqipëri

kristoStudiuesi Kristo Frashëri, në një shkrim të publikuar në Shqiptarja.com, thotë se një nga shkaqet e humbjes së Berishës në këto zgjedhje ishte edhe qëndrimi që ai mbajti ndaj mendimit shkencor.

E thënë me fjalë të tjera, është politika obskurantiste që kryetari i këtij koalicioni mbajti në vijimësi ndaj institucioneve shkencore. Në praktikë, këtu nuk është fjala për të nxjerrë me këtë rast një mllef ndaj kryetarit të koalicionit, i cili nuk pranoi të dëgjonte asnjë këshillë, madje as tu përgjigjej sugjerimeve jo të pakta që atij iu bënë në vitin 2006 kur mori vendimin ogurzi të çmontimit të Akademisë së Shkencave. Me një kokëfortësi dogmatike, ai iu turr të vetmit institucion të ajkës së mendimit shkencor, Akademisë së Shkencave, derisa e shpartalloi me një frymë, pra derisa e ktheu në një kufomë të pavarrosur, shkruan Frashëri.

Sipas tij, reforma e vitit 2006 e shkatërroi Akademinë e Shkencave.

Poshtë e përpjetë thuhet se reforma apo pseudoreforma e vitit 2006 e shndërroi Akademinë operative në një akademi honorifike. Pyesim: Cili është përfitimi që pati Shqipëria nga kjo Akademi honorifike? Mos vallë ne jemi aq të pasur me Akademira operative sa vuanim për një Akademi honorifike? Cili është përfitimi që pati vendi, shkenca shqiptare, mendimi shkencor shqiptar nga shkëputja e instituteve prej Akademisë së Shkencave? Autorët e pseudoreformës trumbetonin se shkëputja e instituteve shkencore nga Akademia e Shkencave do ti jepte një hov përparimit dhe zhvillimit të shkencave.

Le të na thonë cili është programi i punës së saj të paktën për vitet që kemi përpara, për tu bindur se Shqipëria ka nevojë për Akademinë honorifike. Por çpo ndodh? Ndodhi që institutet të cilët mbetën jetimë, vetëm vegjetojnë dhe nuk dinë se çfarë bëjnë. Përsa i përket instituteve të shkencave shoqërore, të cilat u futën nën ombrellën e Qendrës së Studimeve Albanologjike, janë katandisur keq e mos më keq – aq keq sa kanë mbetur edhe pa zyra për arsye thjesht banale, sepse ndërtesa e tyre u privatizua. Mendoni: një shtet që i lë punonjësit shkencorë pa ndërtesë se ku të punojnë! Të paktën le të ngrinte çadrat ushtarake ku të punonin gjatë orarit zyrtar. Duket sikur vazhdon reforma e inauguruar në vitin 2006 për të shkaktuar vdekjen e ngadalshme të shkencave albanologjike, shkruan Frashëri./ep

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›