Basha nis garën: Nuk e kam për ambicie personale. U konsultova me Berishën për kandidimin
Kryetari i Bashkisë së Tiranës e nisi nga qyteti i Elbasanit garën për tu zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike.
Duke folur përpara të pranishmëve në teatrin e qytetit, Basha lavdëroi punët e qeverisë Berisha.
E di që jeni lodhur shumë në këtë fushatë ndaj dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për mundin dhe punën e të gjithëve ju që keni kontribuar në Partinë Demokratike. Me tunelin që ndërtoi qeveria e Partisë Demokratike, Elbasani po bëhet lagje e Tiranës. Tani ne vijmë nga Tirana në Elbasan për 30 minuta, ky ishte një premtim që ne e bëmë realitet, tha Basha.
Kryebashkiaku i Tiranës premtoi një analizë të thellë për humbjen në zgjedhje.
Basha u shpreh se gara për kryetar të PD-së nuk është ambicie personale. Ai theksoi sërish se po kandidon pasi është konsultuar me kryetarin në detyrë, Sali Berisha.
Në 23 qershor ne nuk korrëm rezultatin që shpresonim dhe që mendonim se meritonim. Ky moment duhet analizuar dhe ne do të bëjmë një analizë të plotë dhe që nuk do të jetë për të larë duart nga përgjegjësitë dhe as për të bërë koka turku, por do të jetë një analizë që ti shërbejë PD-së të analizojë pjesën e saj të përgjegjësisë, të nxjerrë mësime dhe të dali më e fortë për sfidën e radhës elektorale, u shpreh Basha.
Përgjegjësia fillon nga gjithsecili prej nesh. Kjo është një mundësi për të bashkuar secili prej nesh në këtë familje të madhe. Elementi i parë i reflektimit është që të jemi të gjithë bashkë dhe mos të lejojmë përçarje dhe shpifje që të hyjnë mes nesh. Secili prej nesh duhet të pranojë përgjegjësitë e veta. Kandidatura ime nuk është nisur nga ambicie personale, por duke u nisur nga përgjegjësitë dhe ky është një vendim mjaft i vështirë për mua, vijoi Basha.
Ne jemi sot e djathta e bashkuar shqiptare. Do të marrim përgjegjësi dhe do të mobilizohemi për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi krenarë për ato që i dhamë vendit në këto vite./ep