E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret e përmbushura për MSA janë formale

Depolitizimi i administratës publike, reformimi i gjyqësorit, mos luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar janë disa nga parakushtet afatmesme të paraqitura në Studimin e Fizibilitetit të Komisionit Evropian për Kosovën e në të cilat Kosova po vazhdon të ketë ngecje, arsye këto që kushtëzojnë hapjen e negociatave nga ana e BE-së me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Grupi për Studime Juridike në një analizë rreth përgatitjes së Kosovës për negociatat me MSA-në, ka konstatuar se kriteret afatshkurtra të cilat Kosova i ka përmbushur janë formale dhe se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë ndonjë progres të dukshëm në reformimin e ndonjë sektori.

Dren Doli tha se rëndësia e përmbushjes së këtyre kritereve është e lartë, sepse nga to varen marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Ai, po ashtu, ka theksuar se kriteret afatmesme po ngecin dhe se, sipas raportit, nuk ka shenja pozitive për një lëvizje të shpejtë në këtë drejtim.

Në këtë raport është rekomanduar që Komisioni Evropian të rekomandojë marrjen e mandatit për negocimin e MSA-së me Kosovën në mbledhjen pranverore të Këshillit të BE-së, në mënyrë që të mos i shkaktojë vonesa tjera burokratike Kosovës në këtë proces si dhe Qeveria të tregoj seriozitet dhe përgjegjësinë në këtë proces./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›