E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikat, alarmante

Cënohet imazhi i Shqipërisë

Dy herë ish-kryeministri Pandeli Majko ngriti dje shqetësimin e futjes së marrëdhënieve me ndërkombëtarët në një krizë të vërtetë, për faj të ekzekutivit shqiptar. Nisur nga vërejtjet e ndërkombëtarëve, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës për deformimin e institucioneve, Majko, tha në një rrjet televiziv, se edhe tragjedia e Gërdecit ka pasur një ndikim jo të vogël në marrëdhëniet mes shtetit tonë dhe ndërkombëtarëve. “Ngjarja e Gërdecit është ngjarja më e rëndë e ndodhur në Shqipëri pas ngjarjeve të ‘97-ës dhe do të ndikojë shumë në marrëdhëniet e Shqipërisë me ndërkombëtarët, në logjikën e marrëdhënieve të vendit tonë me të tretët në kuadrin e procesit të integrimit tonë në NATO. Prandaj mendoj se kjo histori nuk mund të shikohet me dorashka. Duhet parë ashtu siç është”, konfirmoi Majko për “Korrierin”. Por sipas anëtarit të kryesisë së PS-së, situata ndërlikohet edhe më shumë, falë përplasjeve institucionale në vend të shkaktuara nga “pikërisht nënvizimi i marrëdhënieve korrekte që duhet të kenë institucionet politike, siç është qeveria apo parlamenti me presidentin, Prokurorinë e Përgjithshme etj., ndaj kam përshtypjen se dinë ku të trokasin”, - shton ai. Sipas tij, kritikat drejtuar funksionimit të shtetit, ekzekutivit e veçanërisht marrëdhënieve mes institucioneve, sigurisht që cënojnë imazhin e vendit tonë. Por, mbi të gjitha, ai vë theksin, se kritikat në këtë rast, ndryshe nga më parë apo nga ç’mund të ketë ngaherë, janë vërtet alarmante. “Në Shqipëri ka për të pasur gjithnjë probleme, sepse këtu nuk mund të thuhet që duhet patjetër të vendoset qeveria më e mirë në rruzull. Shqetësime dhe kritika do të ketë. Problemi është sensi i kritikave dhe fakti që shpesh këto kritika trokasin në mënyrë të tillë, që nuk shfaqen thjesht si kritikë, por shfaqin alarm. Kam përshtypjen se logjika në këtë këndvështrim shikohet më shumë në suazën e alarmit, sesa të kritikës”, - shprehet ish-kryeministri Pandeli Majko. Ai sqaron se aktualisht kritikat i referohen veprimtarisë dhe mënyrë së funksionimit thelbësor të shtetit. “Nuk diskutohen momente anësore të qeverisjes, të të drejtave të njeriut, por diskutohen elemente thelbësorë të funksionimit të shtetit, siç është marrëdhënia me Prokurorin e Përgjithshëm, që është garanti i ligjit në Shqipëri dhe marrëdhënia me presidentin, që është garanti i Kushtetutës dhe i marrëdhënieve institucionale në Shqipëri”, - deklaroi ai. Opozita i ka bërë thirrje mazhorancës që të tërhiqet nga disa nisma apo tentativa shumë më herët sesa ndërkombëtarët, siç ishte rasti i fundit i rrëzimit të kandidaturave të KLD-së. E njëjta gjë ndodhi edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, gjatë debatit për ligjin e “spiunëve”. Por si në rastin e parë është edhe në të dytin, ku mazhoranca nuk bëri kthesë mbrapa. Në krahun tjetër, pas reagimit të ndërkombëtarëve, votimi për anëtarët e KLD-së nuk ishte më i njëjti, e as ngulmimi për të miratuar brenda sesionit parlamentar të projektligjit të pastërtisë së figurave të zyrtarëve të lartë. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›