Tre plumba të dashurës, pastaj vetëvritet

TIRANË - “Ti do të vish me mua në shtëpinë tonë. Do të vish tani, përndryshe të vrava”. Por kundërshtimi i fortë i saj ka bërë që 45-vjeçari, baba i dy fëmijëve, t’i shponte kraharorin me plumba, e më pas t’i hidhte vetes trutë në erë. Ka qenë ora 16:00 e pasdites së djeshme, kur Anila Laze, 34 vjeçe, lindur në Skrapar e banuese në kryeqytet, ka qenë duke u kthyer nga puna për në shtëpi. Por Hazir Sallahi, burri me të cilin bashkëjetonte prej 2 vjetësh, e ka ndaluar përpara ish-Punishtes Artistike në vendin e quajtur Varri i Bamit, në zonën e “Porcelanit”. E kishte ruajtur prej disa minutash, pasi e dinte që do të kalonte andej. Në momentin që e ka parë, ka nisur t’i kërkojë llogari e t’i japë urdhër që të kthehej bashkë me të në apartamentin në të cilin bashkëjetonin. Kanë debatuar për afro çerek ore, Sallahi duke këmbëngulur në të tijën e Laze në faktin që e kishte ndarë mendjen. “Nuk kthehem në shtëpi me ty. Nuk dua”, - ka ngulur këmbë 34-vjeçarja. Duke parë që femra të cilën e donte, por që mësohet ta ketë tradhtuar vetëm disa ditë më parë, roja i një objekti privat në atë zonë e ka kërcënuar se do ta vriste. Pa i dhënë asaj mundësinë të nxirrte fjalë të tjera nga goja, ka nxjerrë nga xhepi një pistoletë, armën organike të shërbimit, duke e qëlluar tri herë rresht në kraharor. I tmerruar nga ajo që bëri, Sallahi ka bërë vetëm pak hapa dhe i ka hedhur trutë në erë vetes. E kështu, rreth orës 16:15 minuta gjithçka kishte marrë fund.
Ngjarja
Rreth orës 16:30, Komisariati Nr. 4 i policisë së Tiranës ka marrë njoftimin se në ish-Artistiken e Porcelanit kishte dy viktima. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policore, specialistë të Sektorit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, përfshi edhe drejtorin e policisë së kryeqytetit, Muhamet Rrumbullakun. Ata kanë nisur punën për këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku gjetën pesë gëzhoja.
Shkaku i vrasjes së dyfishtë
Nga hetimet paraprake të grupit hetimor që u ngrit për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, rezulton se shkak i vrasjes së dyfishtë mendohet të ketë qenë xhelozia. Nga burime konfidenciale mësohet se 50-vjeçari, i cili ishte i divorcuar, kishte kapur disa ditë më parë në flagrancë Lazen me një mashkull tjetër. Viktima, e cila punonte si kamariere në një lokal në zonën e “Porcelanit”, menjëherë pas tradhtisë kishte ikur nga apartamenti në të cilin jetonte me Sallahin. Ky i fundit, edhe pse i tradhtuar, i kishte kërkuar prej ditësh asaj që të ktheheshin bashkë. Por Laze e kishte quajtur çështjen e mbyllur, për të nisur një jetë të re larg tij. Në atë moment kanë nisur edhe problemet mes tyre, që përfunduan me tragjedinë.
Dëshmitarja okulare
Një vajzë 17-vjeçare, e cila banon aty pranë, ka qenë duke u kthyer për në shtëpi. Nga ana tjetër e trotuarit ka parë një burrë e grua duke debatuar. “Kam dëgjuar të gjithë zënkën mes tyre. Ai i kërkonte që gruaja të kthehej në shtëpi, se përndryshe do ta vriste. Kaq kam dëgjuar e kam shpejtuar hapat. Por pa kaluar mirë rrugën, dëgjova tri të shtëna. Kam kthyer menjëherë kokën në mënyrë instiktive dhe kam parë femrën të shtrirë në tokë. Pas disa sekondash qëlloi veten edhe ai burri”, - sqaron duke u dridhur ende adoleshentja, e cila ka parë me përpikëri si kanë shkuar gjërat.