Kritikat e BE-së entuziazmojnë Le Penin

Duke grumbulluar pothuajse 20 për qind të votave, e përzgjedhur nga një në pesë francezë, Le Pen ka ringjallur lëvizjen ultranacionaliste, që u duk se perëndoi pas rënies që pësoi në zgjedhjet e vitit 2007, kur pas arritjes deri në balotazh përballë Chirac në vitin 2002, lideri historik i së djathtës ekstreme, Jean-Marie le Pen, grumbulloi vetëm 11 për qind të votave.
Renditja e treta dhe paraqitja edhe më e mirë se sa ishte parashikuar nga sondazhet, bëri që Kancelarja Gjermane, Angela Merkel dhe kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, të paralajmëronin nga rreziku që vjen nga përkrahja e lëvizjeve nacionaliste.
Në një kundërpërgjigje të menjëhershme në rrjetin kombëtar “France 2”, Marine u shpreh: “Jam e entuziazmuar nga kritikat që kam marrë nga liderët europianë, sepse kjo tregon pikërisht që po shkohet drejt një federalizmi europian, që po humbet identitetin e kombeve”.