E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikat e Editës

Edita Tahiri doli në publik pas disa javë heshtjeje. Zëvendëskryeministrja nuk tha diçka të re për dialogun politik Kosovë-Serbi që pritet të nisë në tetor, por fajësoi Beogradin për mosrespektimin e marrëveshjeve të arritura gjatë bisedimeve teknike në Bruksel. Kritika pati edhe për Bashkimin Europian.

Ka disa muaj që nuk ka folur fare për opinion sa i përket dialogut të deritanishëm me Serbinë, të cilin vetë e kishte udhëhequr.

Ndërsa, pikërisht në kohën kur po bisedohet për nisjen e një dialogu të ri me Serbinë, dikur në vjeshtën e këtij viti, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka dhënë vlerësimet e saj për rrjedhën dhe rezultatet e dialogut të mëhershëm.

Kjo iniciativë për të dalë në opinion pas kaq muajve duket më tepër si vazhdim i përpjekjes së qeveritarëve për t’u dukur mirë në qeverisje edhe gjatë kohës së pushimeve.

Sidoqoftë, Tahiri nga foltorja qeveritare përcolli disa mesazhe.

Ajo e fajësoi tërësish shtetin serb për moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa e ftoi Bashkimin Europian që të luajë rolin e garantuesit për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Për sa u përket marrëveshjeve të Brukselit, vlerësoj se ky proces ka ngecje të mëdha - në përgjithësi do të thosha me zbatime të pjesshme, me vonesa, shmangie, shkelje të obligimeve që janë rezultat i mungesës së vullnetit politik për t’i respektuar ato”, ka thënë Tahiri para gazetarëve të dielën.

“Duke marrë parasysh rëndësinë e marrëveshjeve për lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe avancimin e proceseve të integrimeve europiane, shfrytëzoj rastin të ftoj BE’në që të rrisë angazhimet dhe presionet ndaj Serbisë për të zbatuar të gjitha marrëveshjet dhe në mënyrë të veçantë të zbatojë marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit”, shtoi Tahiri.

Kërkesë tjetër e saj drejtuar autoriteteve të BE’së ishte edhe përmbushja e premtimeve të tyre karshi Kosovës në proceset e integrimit europian.

“Po ashtu ftoj BE’në që të rrisë angazhimet e saj në përmbushjen e vendimeve dhe premtimeve për Kosovën, duke përfshirë këtu vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale dhe anëtarësimin e Kosovës në BERZH”, ka thënë Zëvendëskryeministrja Tahiri.

Por, pavarësisht pakënaqësive të cilat ajo i shpalosi në lidhje me rezultatet praktike të dialogut të mëhershëm, Tahiri përsëriti qëndrimin e Shefit të saj, Hashim Thaçi, se janë të gatshëm për dialog të radhës.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për dialog dhe bashkëpunim sepse ato janë vlera tona demokratike dhe janë pjesë e filozofisë sonë shtetërore dhe moderne”.

Vazhdimin e dialogut, ndërkaq, e kërkojnë me ngulm tash e sa kohë si autoritetet evropiane, ashtu edhe ato amerikane. Madje tash e duan një dialog të ashtuquajtur politik dhe nën udhëheqje liderësh.

Tahiri nuk qartësoi nëse do të jetë pjesë e atyre bisedimeve apo jo, madje nuk e qartësoi as mundësinë e fillimit të një dialogu të rangut politik, pavarësisht se ky besohet të nisë në tetor të këtij viti. Mirëpo, kur u pyet nëse Veriu do të shtrohet në tryezën e bisedimeve me Serbinë në etapa të radhës, ajo tha se për këtë duhet një uniteti politik, por edhe kombëtar.

“Qeveria e Kosovës por edhe të gjitha institucionet e kanë parasysh pra që temat apo çështjet që mund të kenë peshë të interesit nacional duhet të ndërtojnë dhe të marrin vendime mbi disa parime, e ato janë vendime që burojnë nga respektimi i Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të vendit, respektimi dhe arritja e uniteti politik dhe kombëtar, si dhe të respektohen vijat e kuqe që janë të definuar institucionalisht”, ka thënë Zëvendëskryeministrja.

Idenë e një uniteti kombëtar në bisedimet me Serbinë e pati shpalosur pak ditë më parë edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje duke propozuar përfshirjen e Tiranës në bisedimet politike me Serbinë, që pritet të nisin në tetorin e këtij viti.

Tahiri tha se propozimet pozitive për çfarëdo interesi nacional janë të mirëseardhura, mirëpo ka kujtuar që Kosova është shtet i pavarur dhe si i tillë do të flasë për veten.

“Unë besoj që edhe Vetëvendosja e di që më 17 shkurt 2008 Kosova ka deklaruar pavarësinë dhe është shtet i pavarur dhe sovran. Po punojmë për anëtarësimin e plotë të Kosovës në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare duke përfshirë edhe OKB’në, pra jemi sovranë për vendimet tona, Kosova flet dhe do të flasë për vetveten”, ka thënë Tahiri.

Kjo e fundit ndërkaq duke folur për gjithsecilën marrëveshje dhe rezultatet e saj, ka veçuar atë për menaxhimin e integruar të kufijve, të njohur si IBM, si më të rëndësishëm. Sipas Tahirit, me pranimin e kësaj marrëveshjeje, Serbia “de facto” njeh integritetin territorial të Kosovës, andaj edhe ka kërkuar nga BE’ja që të rrisë presionin ndaj Serbisë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Ndryshe, Edita Tahiri ka udhëhequr bisedimet e ashtuquajtura teknike me Serbinë që nga marsi i vitit të kaluar, kur edhe kishin filluar ato e deri te nënshkrimi i marrëveshjes së fundit për përfaqësimin rajonal të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›