E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalë të mëdha për vizat

Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në Zonën Schengen më 2013. Këto janë pritjet e ministrave Vlora Çitaku dhe Bajram Rexhepi, të cilët të shtunën u zotuan se deri në fund të këtij viti do t’i përmbushin 95 kriteret e Udhërrëfyesit. Ata nuk presin pengesa të natyrës politike në këtë proces.

Fundi i këtij viti thuhet se do ta gjejë Kosovën të gatshme për procesin e liberalizimit të vizave në aspektin teknik.

Sipas qeveritarëve, deri në fund të vitit 2012 do të plotësohen të gjitha kriteret që parashihen me Udhërrëfyesin e Bashkimit Europian për procesin ne liberalizimit të vizave, e që janë 95.

Pritjet për këtë i kanë shfaqur të shtunën në një konferencë të përbashkët për media, dy ministrat kyçë në këtë proces, ai i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku.

Rexhepi për më tepër është shprehur optimist se qysh vitin e ardhshëm, Kosovës do t’i hiqet regjimi i vizave.

“Me punën që po bëjmë, shpresoj se në vitin tjetër ta marrim liberalizimin, por ka shumë punë pastaj edhe nga ana e BE’së”, ka thënë Rexhepi.

Realizimi i këtij skenari, ndërkaq, sipas Ministres Çitaku, nuk do të ketë kurrfarë pengesash politike, pavarësisht mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga pesë shtete të BE’së.

“Procesi i liberalizimit të vizave nuk pres të ketë pengesa politike për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet e Bashkimit Europian. Normalisht, ky proces në fund fare varet nga disponimi; përmbushja e kritereve është një gjë, vendimi merret në nivel politik. Mirëpo, nëse i shohim politikat e kaluara, pengesat politike asnjëherë nuk kanë prodhuar pasoja për ecjen përpara të këtij procesi”, ka thënë Çitaku të shtunën.

Që të dy ministrat ndër të tjera shpalosën të arriturat e dikastereve që udhëheqin duke njoftuar se janë në finalizimin e një raporti që do t’u dorëzohet mekanizmave ndërkombëtarë me 15 shtator të këtij viti, në lidhje me gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit si dhe procesin e liberalizimit të vizave.

“Sekretariati ka pranuar të gjitha inputet nga institucionet për fillimin e përgatitjes së raportit të gatishmërisë dhe ka finalizuar të gjitha udhëzimet”, ka thënë Çitaku.

“Raporti si i tillë do të ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë është raporti i përgjithshëm, i cili do të pasqyrojë gjendjen reale dhe kapacitetet e institucioneve për t’u përballur me përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit, si dhe pjesa e dytë do të përmbajë vlerësimin e përputhshmërisë së legjislacionit vendor me acquis communautaire, natyrisht vetëm për ato ligje të cilat figurojnë në kritere të Udhërrëfyesit”, shtoi ajo.

Ministrja Çitaku ndërkaq, tha se viti që po lëmë ka shënuar konkretizimin e agjendës europiane, prej së cilës veçoi Marrëveshjen e Stabilizim - Asocimit si më të vështirën për institucionet e Kosovës. “Këto procese shënojnë ndërmarrjen e hapave konkretë në përafrimin e Kosovës drejt integrimit europian”, ka thënë ajo.

Ministri Rexhepi ndërkaq, i bindur se kosovarët në vitin e ardhshëm do të mund të lëvizin lirshëm pa viza nëpër Europë, tha se edhe qytetarët e Kosovës mund të kontribuojnë në procesin e liberalizimit të vizave duke kuptuar se nuk ka mundësi të ketë azil politik dhe ekonomik.

Ndryshe, Raporti i Gatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për MSA’në si dhe procesin e liberalizimit të vizave, pritet të dorëzohet në fillim të shtatorit të këtij viti tek autoritetet e Komisionit Europian. Ky i fundit pritet që në fund të vitit të japë vlerësimet dhe rekomandimet e tij për sfidat që mund të identifikohen në procesin e përmbushjes së kritereve të Udhërrëfyesit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›