Kriza, Braçe: Zgjidhja, hetim i pakushtëzuar i zgjedhjeve

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, flet për gjetjen e 19 skeleteve të trupave në afërsi të Dajtit, qëndrimin e PS-së për këtë ngjarje, ndryshimet në SHISH, si dhe për tryezën e sotme
Krimet, Berisha mban përgjegjësi
për mosgjetjen e 4000 eshtrave
Z. Braçe ditët e fundit është bërë i ditur lajmi i gjetjes së 19 skeleteve të trupave që dyshohen se i përkasin personave të ekzekutuar gjatë sistemit komunist. Çfarë ndjesie të ka shkaktuar një lajm i tillë?
Trishtim! Është një ngjarje njerëzore, apo jo? Trishtim! Për të gjithë njerëzit e vrarë për bindjet e tyre. Por, edhe për ato familje që kanë humbur njerëzit e tyre. Imagjinoni njërën prej tyre, një kohëvuajtje, 30 apo 40 vjet në kërkim, që ka si fund jo një gëzim, por një dhimbje edhe më të madhe. Një skelet i gjetur njeriu që mund ta mbyllë dhimbjen brenda një "banese të fundit", të denjë për një qenie njerëzore. Por, gjithnjë, nëse fati ka qenë me të. Nëse jo, atëherë kohëvuajtja mund të kalojë në brezin tjetër! Një trashëgimi njerëzore që nuk i urohet askujt, por një amanet që shqiptarin se tret dhe e shoqëron prej vitesh! Më parë prej dhunës kriminale të diktaturës, sot për shkak të një emigrimi pa fund e rregulla, që ka ngjarë më shumë me trafikun e një getoje se sa me një zgjidhje më të mirë! Tani, mendoni sikur kjo të ishte familja juaj! Kjo është ndjesia ime!
Është edhe politike kjo?
Pa diskutim! Çdo ngjarje e tillë, në të dyja motet, dëshmon për natyrën e shtetit. Më parë totalitar e i dhunshëm, sot antisocial dhe i dështuar. Politika është mes këtyre kufijve. Unë mendoj se ajo, tani, kishte ditën të ishte dinjitoze, njerëzore. Por, për fat të keq është neveritëse! Nuk shërben, por përdor!
Zoti Braçe, ju nuk shkuat të vizitonit varret e hapura në Linzë, pse?
Shikoni, ka shumë gjëra që nuk shkojnë në këtë histori. Nxitimi për të ngritur pod mbi varre ishte turp. Nuk kishte, nuk ka as sot, ndonjë të dhënë të besueshme se të kujt janë ato skelete. Atëherë, kë të nderoja? Për politikë as që e mendoja se mund të shkohej atje. Kjo nga ana formale.
Mbi të gjitha, mendova se njerëzve të prekur nga kjo ngjarje nuk u nevojitej një pelegrinazh politik! Por, ai ndodhi dhe ishte turp! Në nivelin më të lartë, me deputetë, "gdhe i rruar" si mashkull, "kërcu i verdhe" si femër! Urdhëruar nga një politikëbërëse e neveritshme, fashiste e kamur, pronare e biznesit parlamentar. Por, edhe nga ai tjetri, Sali Berisha, kryeministri i fundit komunist në Ballkan, i cili, krimet e komunizmit dhe pasojat e tyre, nevojën për drejtësi të mijëra familjeve të dhunuara prej tyre e ka kthyer në një biznes politik, nga i cili merr pushtet dhe pasurohet! Të gjithë e dinë tashmë: Sali Berisha nuk është antikomunist, por bën si antikomunist!
Ne nuk jemi nga ky soj!
Ndërkohë, ngjarja u përdor politikisht sipas jush?
E vini në dyshim? E përjetuan të gjithë dhe u ka ardhur turp!
Ka dyshime të forta se "varreza" është identifikuar qysh në prill të vitit që shkoi. Prej asaj kohe u lejua që varret të gërmoheshin në mënyrë amatore, eshtrat të mblidheshin në mënyrë aspak profesionale, madje, duke dëmtuar një punë profesionale për identifikimin e tyre. Edhe pse kështu, u dha "leje" vetëm tani që "varreza" të bëhej publike, tamam tani kur Sali Berisha është në nevojë ekstreme për ngjarje të tilla. Brenda biznesit, për të cilin fola më lart.
Përtej kësaj, në këto 20 vite, për pak më shumë se dhjetë vite, Sali Berisha ka pasur përgjegjësi, fuqi ekzekutive të pakufi, si President dhe si Kryeministër. Në asnjë ditë të kësaj periudhe të gjatë në pushtet, Sali Berisha nuk ndërtoi një proces shtetëror, serioz e profesional, për të zbuluar varrezat e shqiptarëve të pushkatuar me dhe pa gjyq për bindjet e tyre politike! Është e qartë, Sali Berishës nuk i ka interesuar ky proces, por biznesi i tij politik me krimet e komunizmit. Nuk po e bën as tani, thjesht jashtë nxjerrë fjalë në funksion të qëllimit politik!
Sot, unë e akuzoj për këtë! Me plot gojën dhe mbështetur në një mori provash. Ato dëshmojnë se Ai, kurrë nuk bëri një ligj që përcakton dhe normon këtë proces si shtetëror, nën përgjegjësinë e një institucioni serioz e profesional, të mbështetur me ekspertizë pse jo dhe të huaj, financim të mjaftueshëm për ta garantuar deri në fund! Nëse sot, 20 vite pas rrëzimit të diktaturës, ka mbi 4000 të pushkatuar, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur, kjo është përgjegjësia direkte e Sali Berishës! Nëse sot, 20 vite pas rrëzimit të diktaturës ky proces është kaotik, spontan, madje në disa raste jo i denjë dhe dëmtues, kjo është përgjegjësia direkte e Sali Berishës. Duhet të ketë turp për këtë! Si njeri, nëse ndjen, mendon, argumenton, gjykon, vendos ndonjëherë si njeri! Ka dyshime të mëdha, nëse ai është i tillë!
Jozefina Topalli është e dyta përgjegjëse pas tij. Më thoni, kur Jozefina ka ndërmarrë një iniciativë të tillë. Ka shpenzuar para për ceremoni kujtimi, në funksion të biznesit politik të përbashkët që ndan me Sali Berishën. Nga ky lloj biznesi ka fituar pushtet, ka marrë paratë e saj, si ish e përndjekur e si ish-pronare, "pa radhë", më parë se shumë të tjerë më të vuajtur se Ajo! Këtu mbeti, asgjë bëri!
Ata që janë vetëcaktuar, apo dhe ata që janë emëruar nga qeveritë e ndryshme për të drejtuar një proces të "rehabilitimit dhe integrimit të ish të përndjekurve të regjimit", mbledhur në një Institut, ç'kanë bërë? Vetëm ata kanë përfituar, janë akuzuar mes vetes për abuzime, duke i krijuar mundësinë fatlume Qeverisë të harrojë e varrosë një proces jetik si ky, natyrisht edhe rehabilitimin, dëmshpërblimin dhe integrimin e ish të përndjekurve politikë. Nuk po ua përmend emrat, por janë tamam ata që nxituan të bëjnë si politikanët mu mbi varre!
Natyrisht, ne kemi e marrim përgjegjësitë tona për këtë proces të munguar.
Ndaj, mendoj se sjellja për këtë ngjarje duhet të ishte e tani pa diskutim duhet të jetë tjetër. Një ligj, një institucion, ekspertizë profesionale, buxhet i veçantë, i mjaftueshëm për të identifikuar çdo varrezë, çdo skelet, natyrisht identifikim të arsyeve të pushkatimit për të ndarë të pushkatuarit për bindje nga ata për krime, dëmshpërblimin ligjor dhe një ceremoni të denjë njerëzore, për secilin, në banesën e fundit!
Ndërkohë që nuk kanë vonuar edhe përpjekjet për ta përdorur këtë ngjarje edhe politikisht ku sërish mazhoranca ka evidentuar nevojën e miratimit të një ligji për dënimin e krimeve dhe personave që i kanë shkaktuar ato gjatë atij regjimi. Thënë më ndryshe, nevojën e miratimit të ligjit të lustracionit, për të cilën ka paralajmëruar dhe mbajtjen e një referendumi popullor...
Kemi qenë të qartë e seriozë: Një ligj që hap dosjet, të gjitha dosjet, në një proces kushtetues ku gjithkush ka akses! Natyrisht që është i ndryshëm nga ai që përbën produktin e biznesit politik të Sali Berishës e Jozefina Topallit e përmbush nevojën e tyre jetike për dhunim të pushteteve të pavarura kushtetuese!
Në Kuvend është paraqitur një nismë e re e qeverisë për të bërë disa ndryshime në ligjin "Për Shërbimin Informativ Shtetëror". A jeni njohur ju me këto ndryshime dhe si do t'i vlerësonit?
Po, privatisht! Institucionalisht, nuk ka një proces transparent të hartimit, diskutimit e miratimit të këtij ligji. Qeveria, për qëllime personale të Sali Berishës ishte pa zë deri kur drafti i saj u bë publik. Dëgjoni, transparenca është elementi themelor në ligjbërje, veçanërisht për institucione të tilla të sigurisë kombëtare. Nisur nga përmbajtja, tani është e qartë se për qeverinë ka qenë jetike heshtja e fshehja si parime kyçe të hartimit të këtij ligji.
Sipas ligjit të mbërritur në Kuvend, Kryeministri Berisha merr kontrollin mbi SHIK:
- ndërpret mandatin e Drejtorit aktual të Shërbimit (shqetësim për të); garanton emërimin e një drejtuesi të ri besnik të ideologjisë së tij; (Neni 3 i projektligjit që ndryshon nenin 5/1 të ligjit ekzistues: "drejtori qëndron në detyrë për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë")
- vendos tutelë të plotë mbi veprimtarinë e Shërbimit, në çdo kohë dhe për çdo çështje që kryeministri urdhëron; deri më sot kontrolli për veprimtarinë e SHISH kryhej nga Kuvendi, ndërsa raportimi tek Kryeministri ishte vetëm për çështje të sigurisë kombëtare (Neni 2 i projektligjit që ndryshon nenin 5 të ligjit ekzistues: "drejtori i SHISH i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij).
- zgjeron objektin e punës së SHIK, nga siguria kombëtare, mbrojtja e sistemit të demokracisë parlamentare, parandalimi i krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave të pista, korrupsionit të funksionarëve publikë, deri tek certifikimi i personave sipas përcaktimeve ligjore; pasi merr kontrollin e Shërbimit, Berisha zgjeron fushën e veprimit për ta përdorur si "polici politike operacionale" mbi çdo institucion, por edhe shqiptar.
- urdhëron mbledhjen e informacioneve për shërbime të inteligjencës të shteteve të tjera, pa specifikuar apo normuar ligjërisht natyrën e informacioneve dhe shtetet shërbimet e të cilave do të vihen nën hetim; (neni 1, pika d e projektligjit që ndryshon nenin 3 të ligjit ekzistues, shton në të: "të mbledhë, me miratim të Kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera;")
- kushtëzon prej tij, bashkëpunimin e SHIK me shërbime partnere të huaja, pa specifikuar apo normuar ligjërisht natyrën e kushtëzimeve që kërkojnë miratimin e kryeministrit për këtë bashkëpunim; (neni 5 i projektligjit që ndryshon nenin 9 të ligjit ekzistues, shton në të: "Shërbimi Informativ i Shtetit, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë, me miratim të Kryeministrit, me shërbime informative të vendeve të huaja.")
Nisur nga natyra thellësisht politike, madje ekstreme e Sali Berishës, këto formulime janë mjaft për të garantuar një kontroll total politik, përdorim po politik e kriminal të SHISH!
Ndërkohë, ditët e fundit kemi parë dhe një reagim të faktorit ndërkombëtar që kundërshton disa nga këto ndryshime dhe më konkretisht ato që kanë të bëjnë me kufizimin e mandatit të kreut të këtij shërbimi dhe vendosjen e një lloj varësie të tij nga ekzekutivi....
Sigurisht! Shikoni, ne nuk jemi më një vend i vetmuar, tashmë jemi vend anëtar i NATO-s dhe në mes të një procesi për tu familjarizuar me BE-në. Ka rregulla të shkruara, të pranuara edhe nga Shqipëria, për funksionimin e të tilla institucioneve në mes të këtyre familjeve. Pavarësia politike, funksionimi ligjor e profesional, bashkëpunimi dhe ndërveprimi operacional, në funksion të sigurisë kombëtare dhe asaj të përbashkët të familjeve ku bëjmë pjesë, veçmas kundër rrezikut global të terrorizmit, janë detyrime që nuk mund të anashkalohen! Berisha po e kalon këtë kufi vendosur nga këto rregulla!
Matanë këtij kufiri, Berisha ka një përvojë të afërt, shumë të rrezikshme e kriminale: përdorim politik të Shërbimit dhe përfshirje në operacione kriminale kundër opozitës së kohës; përfshirje në operacione kriminale, për qëllime personale të mbrojtjes nga dekonspirimi i veprimeve në dëm të sigurisë kombëtare dhe korruptive; demotivim të Shërbimit para veprimtarisë zyrtare që instaloi në Shqipëri celulat e terrorit fundamentalist, duke ofruar mbrojtje shtetërore për to!
Një seri të dhënash serioze, publikuar së fundi, shoqëruar me këto formulime ligjore, paralajmërojnë një rrezik të madh! Mesa duket, Kryeministri në vështirësi e në mes të një krize politike, institucionale, ekonomike, të përsëritur, i rrënuar nga korrupsioni e me bilanc tragjik njerëzor prej tij, po kërkon shpëtim tek aleatët e tij të fund 96-ës, fillim 97-ës!
Sot pritet që të mbahet tryeza e thirrur nga Presidenti i Republikës mes Ramës dhe Berishës për zgjidhjen e krizës politike në vend. Çfarë prisni prej kësaj tryeze?
Ne po shkojmë në tryezë serioze, shumë të përgatitur dhe të gatshëm të arrijmë një zgjidhje. Nuk besoj se Sali Berisha është i tillë, të paktën nisur nga ajo që thotë gurmazi i tij anegdodik, Aleksi i Fejziut!
Pra, ne nuk po ulemi në tavolinë për kafe, për më tepër për kafe turke! Ne po shkojmë në tryezë për të zgjidhur krizën akute që po rëndohet çdo orë. Si pjesë e krizës ciklike që mban peng Shqipërinë prej 20 vitesh. Ajo buron nga zgjedhje të dhunuara e të vjedhura. Këto zgjedhje kanë cenuar të drejtën kushtetuese, themelore, për çdo shqiptar, duke u hequr mundësinë të zgjedhin si duan të jetojnë dhe nga kush e si të qeverisen! Praktikisht, me disa përjashtime, zgjedhjet politike në këto 20 vite nuk kanë materializuar vullnetin e shqiptarëve. Pushtetet e dala prej tyre kanë degraduar në regjime të korruptuara. E përsëritur në mënyrë ciklike kjo, na ka lënë shumë prapa, por tashmë ka nxjerrë në treg dhe një "shtet të dështuar".
Nisur nga këtu, zgjidhja që vjen përmes hetimit kushtetues, të përbashkët e të pa kufi, të zgjedhjeve të 28 Qershorit është mundësia e vetme për të dalë nga ky cikël rrënues për Shqipërinë e çdo familje shqiptari. Natyrisht, ky cikël ka pasuruar përmes korrupsionit këtë kastë politike në pushtet, formatuar në disa familje biologjike që kemi përballë. Ky është rreziku më i madh dhe arsyeja përse zgjidhja e krizës largohet e përjashtohet si mundësi. Kriza këta po i bezdis, por po i pasuron!
Dita e djeshme ka qenë një pikë kthese kur Grupi Parlamentar Socialist e Demokrat në Parlamentin Evropian i ka dhënë një mbështetje pa ekuivok kërkesës sonë për hetim të plotë të zgjedhjeve duke përfshirë dhe hapjen e kutive të fletëve të votimit!
Krijimi i Frontit për Shqipërinë dhe paralajmërimi juaj për protestë permanente, a nuk po i hedh benzinë zjarrit?
Nuk është kështu! Deri tani, ka deklarata të qarta dhe veprime konkrete nga Sali Berisha, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, deputetet e tyre, të cilët e paraqesin tryezën si formalitet dhe jo si një mundësi për të zgjidhur krizën! Ata po kërkojnë dështimin e saj. Ata e kanë mohuar krizën politike e institucionale në vend, e kanë treguar si krizë për pushtet në PS, kanë shpenzuar për ta krijuar këtë në PS dhe i vetmi investim publik i tyre është emërimi i opozitës në Kuvend!
Protestat e paralajmëruara nuk kanë lidhje me dialogun, por me refuzimin e zgjidhjes.
Shikoni, Sali Berisha ia ka arritur të mbysë frymën e protestës brenda çdo shqiptari (janë gati 60%), që vuajnë nën qeverinë e tij herë me gënjeshtra, herë duke blerë, herë duke përçarë, herë duke dhunuar. Kjo nuk ka ndryshuar asgjë për mirë në familjet e shqiptarëve. Është një realitet virtual, ku vërtiten si iluzione rritja ekonomike, rritja e pagave e pensioneve, vende të sigurta pune, heqja e vizave, mirëqenia e rritur apo lumturia e ngjitur shumë shkallë çdo vit, gënjeshtra të jetuara që të gjitha. Por, kjo po shpërthen tani si një depresion masiv, shoqëror. Shihni ç'po ndodh, shqiptarët e mjerë nuk kundërshtojnë e ngrenë zërin kundër Sali Berishës dhe varfërisë së papranueshme që ai po ju detyron, por i vënë zjarrin vetes, hidhen nga katet e larta, vrasin nëna, gra e fëmijë! Kjo është e tmerrshme!!
Protesta jonë synon ta shpëtojë këtë Shqipëri që për shkak të Berishës po vetëflijohet me ritme të frikshme!
Protesta për lirinë, kundër regjimit në krizë të Sali Berishës është e vetmja zgjidhje që shpëton Shqipërinë dhe të ardhmen e shqiptarëve. Dhe kjo është përtej hetimit të zgjedhjeve!
Cila do ishte formula e zgjidhjes së kësaj situate për ju dhe a duhet të kërkojë PS-ja në këtë tryezë edhe një lloj balancimi të institucioneve si në vitin 2002?
Hetimi kushtetues, i përbashkët, i plotë e pakufi i zgjedhjeve të 28 qershorit, duke përfshirë materialet e votimit dhe fletët e votimit! Nuk bëjmë pazar e nuk i këmbejmë me asgjë!
Pavarësisht suksesit të këtij takimi, deputetët e PS-së do të hyjnë në kuvend para se të skadojë afati kushtetues?
Ju kam sqaruar edhe më parë, nuk ka afat kushtetues për të hyrë në Kuvend! Ka një afat, vendosur nga Jozefina Topalli që kalendarizon shantazhin e saj përkundër deputetëve socialistë. Ka caktuar një datë edhe Sali Berisha në përmbushje të investimit të tij publik e financiar për të përçarë PS-në dhe emëruar opozitën në Kuvendin e Shqipërisë! Data përputhet, por argumenti kushtetues çalon sa Topalli!
Jozefina po flet për zjarr mbi mandatet e opozitës. Duhet të zgjohet e të kuptojë se po ndez zjarr në Kuvend dhe muret e sallës së Kuvendit janë prej tallashi të vjetër! Shkrepësja e saj mbi mandatet e deputetëve të opozitës përvëlon Kuvendin! Dhe më besoni, ky do të jetë krimi i përsëritur i një politikaneje fashiste, marrë përsipër nga ajo! Kryetarja e Kuvendit duhet të heqë zjarrin nga goja e saj dhe të lërë mënjanë rolin e flakëhedhëses, do të jetë e dobishme për shëndetin mendor të saj. Të angazhohet për dialogun dhe zgjidhjen e krizës. Ky është angazhimi ynë i palëkundur nga cilido afat oral.
Meqë, ditë më parë, bëri edhe një "njoftim" të personalizuar, po gjej rastin t'i përgjigjem: vendin tim në Kuvend, si deputet përfaqësues i popullit, nuk mund ta zërë dot cilido individ i pavotuar dhe emëruar prej saj e Sali Berishës!
Kjo përgjigje vlen edhe për një takim klientësh të tyre që shiten e blihen në pazarin e gjësë së gjallë, thonë se janë socialistë, të përzgjedhur me ankand, për të përmbushur skemën për emërimin e opozitës!
Për viktimat e komunizmit
Berisha kurrë nuk bëri një ligj që përcakton dhe normon këtë proces si shtetëror, nën përgjegjësinë e një institucioni serioz e profesional... Nëse sot, 20 vite pas rrëzimit të diktaturës, ka mbi 4000 të pushkatuar, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur, kjo është përgjegjësia direkte e Sali Berishës! Nëse sot, 20 vite pas rrëzimit të diktaturës ky proces është kaotik, spontan, madje në disa raste jo i denjë dhe dëmtues, kjo është përgjegjësia direkte e Sali Berishës.
Për varrin në Dajt
Ka dyshime të forta se "varreza" është identifikuar qysh në prill të vitit që shkoi. Prej asaj kohe u lejua që varret të gërmoheshin në mënyrë amatore, eshtrat të mblidheshin në mënyrë aspak profesionale, madje, duke dëmtuar një punë profesionale për identifikimin e tyre. Edhe pse kështu, u dha "leje" vetëm tani që "varreza" të bëhej publike, tamam tani kur Sali Berisha është në nevojë ekstreme për ngjarje të tilla, brenda biznesit për të cilin fola me lart.
Ligji për SHISH-in
Institucionalisht, nuk ka një proces transparent të hartimit, diskutimit e miratimit të këtij ligji. Qeveria, për qëllime personale të Sali Berishës ishte pa zë deri kur drafti i saj u bë publik. Dëgjoni, transparenca është elementi themelor në ligjbërje, veçanërisht për institucione të tilla të sigurisë kombëtare. Nisur nga përmbajtja, tani është e qartë se për qeverinë ka qenë jetike heshtja e fshehja, si parime kyç të hartimit të këtij ligji.
Për tryezën
Deri tani, ka deklarata të qarta dhe veprime konkrete nga Sali Berisha, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, deputetet e tyre, të cilët e paraqesin tryezën si formalitet dhe jo si një mundësi për të zgjidhur krizën! Ata po kërkojnë dështimin e saj. Ata e kanë mohuar krizën politike e institucionale në vend, e kanë treguar si krizë për pushtet në PS, kanë shpenzuar për ta krijuar këtë në PS dhe i vetmi investim publik i tyre është emërimi i opozitës në Kuvend!
Për protestat
Protestat e paralajmëruara nuk kanë lidhje me dialogun, por me refuzimin e zgjidhjes.
Shikoni, Sali Berisha ia ka arritur të mbysë frymën e protestës brenda çdo shqiptari (janë gati 60%), që vuajnë nën qeverinë e tij herë me gënjeshtra, herë duke blerë, herë duke përçarë, herë duke dhunuar. Kjo nuk ka ndryshuar asgjë për mirë në familjet e shqiptarëve. Është një realitet virtual, ku vërtiten si iluzione rritja ekonomike, rritja e pagave e pensioneve, vende të sigurta pune, heqja e vizave, mirëqenia e rritur apo lumturia e ngjitur shumë shkallë çdo vit, gënjeshtra të jetuara që të gjitha.
Për djegien e mandateve
Ju kam sqaruar edhe më parë, nuk ka afat kushtetues për të hyrë në Kuvend! Ka një afat, vendosur nga Jozefina Topalli që kalendarizon shantazhin e saj përkundër deputeteve socialistë. Ka caktuar një datë edhe Sali Berisha në përmbushje të investimit të tij publik e financiar për të përçarë PS-në dhe emëruar opozitën në Kuvendin e Shqipërisë! Data përputhet, por argumenti kushtetues çalon sa Topalli!
Jozefina po flet për zjarr mbi mandatet e opozitës. Duhet të zgjohet e të kuptojë se po ndez zjarr në Kuvend dhe muret e sallës së Kuvendit janë prej tallashi të vjetër!