Kriza politike, sot takimi Berisha-Rama

Dy forcat kryesore politike do të përfaqësohen nga drejtuesit e tyre më të lartë. Takimi, i mbyllur për mediat
"Vetëm në përfundim të takimit pritet që të ketë një njoftim zyrtar nga ana e presidencës për rezultatin e bisedimeve"
TIRANË - Pas një lufte të gjatë politike, që shpesh herë nuk ka kursyer dhe jetën personale dhe familjarët, dy kundërshtarët politikë, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i opozitës, Edi Rama, do të ulen sot në tryezën e thirrur nga Kreu i shtetit për të tentuar gjetjen e një zgjidhje për krizën politike, që po vuan vendi prej disa muajsh. Takimi do të mbahet në Presidencë dhe nën drejtimin e kryetarit të shtetit, Bamir Topi, dy liderët politikë do të ballafaqojnë argumentet e tyre, për sa i përket çështjes së kutive të votimit, me qëllim përafrimin e qëndrimeve të tyre në kërkim të arritjes së një kompromisi, pavarësisht se nga ajo që kanë shprehur deri në orët e fundit dy partitë e mëdha një gjë e tillë duket thuajse e pamundur të ndodhë të paktën në këtë tryezë.
Tryeza
Takimi do të nisë sot në orën 11 dhe të dy forcat kryesore politike do të përfaqësohen nga drejtuesit e tyre më të lartë. Kështu, Partia Demokratike përveç kryeministrit Berisha do të përfaqësohet në këtë tryezë edhe me nënkryetarin e saj dhe kryetarin e grupit parlamentar, Astrit Patozi, ndërsa socialistët, përveç Edi Ramës, do të ulin në tryezë edhe kreun e Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçin, një njohës i mirë ky i negociatave mes palëve, pasi ka qenë protagonist edhe i një tryeze të ngjashme të mbajtur në vitin 2002. Mbledhja mësohet se do të mbahet në sallën takimeve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ndërsa do të nisë me praninë e kamerave, të cilat do të lejohen vetëm sa të marrin pamje dhe për të vijuar më pas me dyer të mbyllura. Vetëm në përfundim të takimit pritet që të ketë një njoftim zyrtar nga ana e presidencës për rezultatin e takimit, por natyrisht ku nuk përjashtohet edhe një reagim i protagonistëve të kësaj tryeze, gjithmonë në rast se do të jetë arritur ndonjë mirëkuptim.
Negociatat
Pavarësisht vullnetit të shprehur nga dy forcat kryesore politike për tu ulur në një tavolinë, duket se arritja e një rezultati konkret gjatë këtij takimi është e vështirë. Kjo pasi edhe gjatë ditës së djeshme nga selitë respektive është përcjellë mesazhi i qartë se secila palë shkon në këtë takim me qëndrimet e tyre të bëra publike, pra socialistët kërkojnë hapjen e kutive, ndërsa demokratët e kundërshtojnë në mënyrë kategorike një kërkesë të tillë. Megjithatë, burime pranë PD-së bëjnë të ditur se takimi i sotëm pritet të jetë thjesht një akt formal për të vendosur vetëm komunikimin mes palëve, i cili duhet të vijojë edhe pas kësaj tryeze në rang teknikësh, nga ecuria e të cilëve do të varet më pas dhe arritja e një marrëveshje. Të njëjtat burime konfirmojnë se do të jenë pikërisht bisedimet pas kësaj tryeze ato që do të tentojnë arritjen e një marrëveshje mes palëve, e cila duhet të jetë gati në prag të vizitës, që do të zhvillojnë në vendin tonë Komiteti Presidencial i Këshillit të Europës në datën 22 shkurt. Për këtë arsye, mësohet se për takimin e sotëm nuk është hartuar ndonjë projekt-marrëveshje që mund të firmosej nga dy liderët kryesorë në praninë e presidentit. Por, duket se me këtë skenar nuk janë dakord socialistët, të cilët mësohet se shkojnë në këtë tryezë për të gjetur një zgjidhje në të dhe për të mos u tejzgjatur më pas me bisedime të tjera. Kështu, konfirmohet se pala socialiste në këtë tryezë nuk do të pranojë që të negociohet më pas në rang teknikësh.