Sa para marrin të përmbyturit nga HEC-et
Publikohet lista e çmimeve sipas të cilave do të kompensohen dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në Shkodër e Lezhë
Qeveria përcakton me detaje mënyrën se si do të bëhet dëmshpërblimi. Një lopë 90 mijë lekë, delja 13 mijë lekë
Zbardhet lista e çmimeve me të cilat do të bëhet dëmshpërblimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në Shkodër dhe në Lezhë. Qeveria ka miratuar tabelën e plotë në të cilën përcaktohen në mënyrë të detajuar paratë që do t'iu jepen të prekurve nga përmbytjet të cilëve u janë dëmtuar kafshët shtëpiake, prodhimet bujqësore apo edhe orenditë.
Prej disa javësh, grupet e vlerësimit janë duke punuar në terren për përmbylljen e kësaj procedure. Më pas lista e të dëmtuarve me vlerën përkatëse që duhet dëmshpërblyer i dërgohet Këshillit të Ministrave i cili miraton lëvrimin e fondeve. Deri më tani nuk ka një shifër për sa i përket fatures së përgjithshme të dëmeve të përmbytjeve në Shkodër për shkak të hapjes së portave të HEC-eve mbi Drin në fillim të këtij viti. Por referuar listës së çmimeve që qeveria ka parashikuar të dëmshpërblejë të prekurit për çdo njësi, duket se fatura përfundimtare do të jetë e majme.
Dëmet në banesa, objektet e biznesit, ndërtesat me karakter bujqësor, etj., do të llogariten mbi bazën e çmimeve të miratuara nga Enti i Banesave për qarqet Shkodër e Lezhë për vitin 2008. Ndërsa për vlerësimin e humbjeve në makineri dhe pajisje do të përdoret dokumentacioni i depozituar pranë organeve të tatimeve dhe doganave. Për sa i përket pajisjeve shtëpiake dëmshpërblimi do të bëhet mbi bazën e çmimeve të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ndryshe do të veprohet me orenditë dhe mobiljet dëmshpërblimi i të cilave do të varet nga numri i personave në familje. Për familjet të cilat kanë pësuar dëme në mobilje dhe orendi të tjera, qeveria ka vendosur t'iu ofrojë nga 50 mijë lekë për frymë, me kushtin që shuma e përgjithshme të mos shkojë më shumë se 200 mijë lekë.
Për sa i përket dëmeve të shkaktuara në gjënë e gjallë, të mbjella dhe bazë ushqimore, dëmshpërblimi do të bëhet mbi bazën e çmimeve të tregut të marra nga Ministria e Bujqësisë.
Kështu, për çdo lopë vendi të ngordhur fermeret do të marrin 90 mijë lekë, ndërsa lopët e racës do të dëmshpërblehen me 140 mijë lekë. Një dele është vlerësuar 13 mijë lekë ndërsa viçi 40 mijë lekë.
Në listën e dëmshpërblimit bëjnë pjesë edhe pemet frutore. Për çdo fidan të mbjellë i cili nuk ka hyrë ende në prodhim fermeri do të përfitojë 4.500 lekë, ndërsa për ato që kanë hyrë ne prodhim 6.000 lekë. Ndryshe është vepruar me ullirin. Pemët e reja të ullirit që nuk kanë hyrë në prodhim do të dëmshpërblehen me 7.800 lekë ndërsa ato që janë në prodhim të plotë 12.700 lekë.