E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, PS: Ndryshimet në buxhet, thellojnë varfërinë

Beqja: Berisha numëron si punësim të ri sa herë që Damir Fazlliç vjen në Tiranë e sa herë largohet. Kriza ka sjellë varfërim dhe buxheti i ndryshuar e thellon këtë

TIRANË - Partia Socialiste vlerësoi dje se buxheti i ndryshuar thellon varfërinë e sjellë nga kriza ekonomike. Në një komunikim për mediat, deputeti socialist, Ilir Beqja, deklaroi se buxheti i shtetit i vitit 2010 ishte dhe është një buxhet i krizës dhe i varfërimit
të shqiptarëve. "Ndryshimet në buxhet vërtetojnë se vendi është në krizë. Është në
krizë ekonomia e vendit, janë në krizë edhe sipërmarrësit", tha ai.


Ai shtoi se në 6-mujorin e parë 2010 të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur me 3,6 %, ekzaktësisht sa inflacioni mesatar 6-mujor. Pra, rritja reale e ekonomisë është zero. Ata që e vuajnë më shumë krizën janë buxhetet familjare. Të ardhurat personale të shqiptarëve janë ulur me 8.9 % krahasuar me një vit më parë. Socialistët deklarojnë gjithashtu se situatë të përkeqësuar ekonomike dëshmon edhe realizimi i të ardhurave vetëm në muajin qershor. Sipas tyre, në qershor 2010, krahasuar me qershor 2009, rritja e të ardhurave në vlerë nominale është 0%. Që do të thotë se kriza po thellohet në muajin qershor.


"Papunësia reale është mbi 30 %. Është rritur edhe papunësia zyrtare. Këtë detyrohet ta pranojë edhe INSTAT. Nuk ka mijëra vende të reja pune siç gënjen Sali Berisha. Vetëm nëse Berisha numëron si punësim të ri sa herë që Damir Fazlliç vjen në Tiranë e sa herë largohet. Kriza ka sjellë varfërim dhe buxheti i ndryshuar e thellon këtë varfëri", kritikoi politikat qeverisëse, Ilir Beqja. Nga ana tjetër, socialistët ngritën shqetësimin se në 6 muaj nuk është paguar asnjë qindarkë për kompensimin e shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta. Deputeti i PS solli në vëmendje se ministri
Prifti deklaroi në nëntor 2009 se janë 2 miliardë lekë kompensime.


"Në dhjetor, Kuvendi miratoi 1 miliard lekë. Tani ky fond ulet në 650 milionë lekë, duke u pakësuar me 3 herë. Qeveria gënjeu atëherë për kompensimin e energjisë elektrike, ashtu siç gënjeu këto ditë për pasurinë e tij. Vetëm shtesa e pasurisë së Dritan Priftit për vitin 2009 është e barabartë me kompensimin e çmimit të energjisë elektrike për 80 mijë familje", deklaroi Ilir Beqja. Deklarata nga selia rozë vjen një ditë përpara diskutimit në seancën plenare për projektin e qeverisë mbi ndryshimet e buxhetit të shtetit të vitit 2010.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›