Shkëmbim zjarri me policinë, vritet një 16-vjeçar

Uniformat blu ishin në ndjekje të dy personave të dyshuar si autorë të grabitjes me armë të tre ulqinakëve katër ditë më pare
Drejtuesi i automjetit dhe një tjetër person janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke lënë të vdekur në sediljen e pasme të makinës shokun e tyre 16-vjeçar
LEZHË - Një 16-vjeçar ka mbetur i vdekur nga një shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe dy personave të dyshuar si grabitës. Ngjarjaka ndodhur të shtunën pasdite në fshatin Balldren të Lezhës. Viktima është shtetasi A.S., i cili ndodhej në sediljen e pasme të një automjeti tip "Benz" ku udhëtonte bashkë me të vëllanë dhe një tjetër person, të cilët dyshoheshin si autorë të grabitjes me armë e maska të ndodhur katër ditë më parë në aksin Lezhë-Shkodër.
Ngjarja
Forca të Policisë dhe disa të rinj që udhëtoninnë një automjet kanë shkëmbyer zjarr për
disa minuta. Të shtënat kanë terrorizuar banorët dhe drejtuesit e automjeteve, ku një polic është plagosur dhe një person është vrarë. E gjithë skena e një filmi "aksioni policesk" është zhvilluar në superstradën Lezhë-Balldre. Automjeti tip "Benz" me targa TR 7870R në të cilin po udhëtonin 3 të rinjtë është ndaluar në postbllokun e policisë pas sinjalit të dhënë nga kjo e fundit. Por automjeti ka goditur një punonjës të policisë rrugore e pikërisht Dritan Lorencin, 40 vjeç, duke e lënë atë të plagosur dhe automjeti është drejtuar me shpejtësi në drejtim të fshatit Balldre, duke u ndjekur nga pas nga patrulla të policisë.
Lorenci është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës ndërsa kolegët e tij janë vënë në ndjekje të tre të rinjve. Burime në vendngjarje kanë bërë të ditur se shkëmbimi i zjarrit ka nisur në dalje të qytetit të Lezhës dhe në hyrje të fshatit Balldre,
ku është braktisur automjeti. Drejtuesi i automjetit dhe një tjetër person janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke lënë të vdekur në sediljen e pasme të makinës shokun e tyre 16- vjeçar. Forca të shumta të policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërkohë që kanë nisur operacionet për kapjen e dy të rinjve.
Hetimi
Dëshmitarë okularë janë shprehur të shokuar nga kjo ngjarje duke theksuar se kanë parë automjetin të vijë me shpejtësi dhe në mënyrë të rrufeshme dy vetë kanë dalë nga makina duke u zhdukur me vrap në fshatin Balldre. Në të gjitha rrugët kryesore janë ngritur postblloqe të policisë.
Sipas të dhënave paraprake të policisë dyshohet që të rinjtë të jenë autorë të grabitjes me armë të ndodhur në orën 18:30 në superstraden Lezhë - Shkodër, në afërsi të kryqëzimit me rrugen dytësore të fshatit Kallmet, ku 2 vetë kanë ndaluar automjetin me të cilin po udhëtonin 3 ulqinakë dhe iu kanë grabitur atyre 20 mijë dollarë, ndërkohë që njërin prej ulqinakëve e kanë goditur me tytën e pistoletës. Të rinjtë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, kanë qenë në shenjestër të policisë dhe uniforma të shumta policore janë vënë në ndjekje të tyre.
Rreth 2 orë pas shkëmbimit të zjarrit, policia ka identifikuar viktimën, i cili është shtetasi me inicialët A.S.,16 vjeç, dhe sipas burimeve të policisë, viktima ishte vëllai i një shtetasi 28-vjeçar i dyshuar si autori kryesor i grabitjes së 4 ditëve më parë.