E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat, sërish probleme Topalli - PS

Kryetarja demokrate urdhëron mbajtjen nga dy herë të shumavepër të njëjtën masë disiplinore

Problemeve të mëparshme i janë shtuar edhe mbivendosje gjobash dhe urdhra absurdë për të paguar nga dy herë të njëjtin penalitet

TIRANË - Konflikti mes kryetares së Kuvendit dhe deputetëve socialistë për çështjen e pagave dhe penaliteteve financiare, ka arritur një nivel të ri. Problemeve të mëparshme i janë shtuar edhe mbivendosje gjobash dhe urdhra absurdë për të paguar nga dy herë të njëjtin penalitet. Kjo gjë mund të duket e çuditshme në pamje të parë, por në të vërtetë dokumentet që gazeta disponon e provojnë plotësisht që kryetares së Kuvendit nuk i del kollaj inati.


I ndëshkuari nga Topalli është sërish sekretari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili ka parë që në rrogën e tij, për punën e kryer në muajin e kaluar si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i komisioneve parlamentare, mungonin rreth 600 mijë lekë të vjetra. Më tej, vetë deputeti socialist ka kërkuar nga financa e Kuvendit që të sqarohet se pse i është mbajtur kjo shumë parash. Nga ana e financës së institucionit i ka ardhur përgjigja se "mbajtja e shumës është me urdhër nga shefja".


Pretendimi i dhënë nga financa dhe nga ajo që shikohet në tabelën e kreditimit për pagën e muajit qershor ka të bëjë me "mungesat për muajin maj" dhe "masa disiplinore" (ndëshkim) të marra nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.Por, e vetmja masë disiplinore "zyrtare" që ka marrë përfaqësuesi socialist në Kuvend është marrë në muajin prill. Për këtë masë disiplinore, atij i është mbajtur një here shuma e parave, prej 400 mijë lekë të vjetra, nga pagesa e tij mujore. Me sa duket masa disiplinore për të është dyfishuar. Që do të thotë, krahas masës disiplinore, e cila u mor nga kryetarja e Kuvendit, masë e cila është denoncuar zyrtarisht nga Partia Socialiste, sekretari i Grupit të PS ka paguar sërish këtë masë, për së dyti herë, megjithëse kanë kaluar tre muaj nga marrja e masës dhe pagesa e saj.

Masa në fjalë, të cilën deputeti Balla duhet ta paguajë dy herë, sipas Topallit, është marrë, pasi deputeti në fjalë akuzoi S. Berishën për vjedhje të votave dhe parave të taksapaguesve shqiptarë. Kjo ka sjellë edhe përjashtimin për dy javë nga salla për deputetin e PS, për ato që në motivacionin e firmosur nga Topalli përbëjnë "fyerje, fjalor të padenjë, shpifje e trillime kundrejt anëtarëve të Këshillit të Ministrave etj".

Më tej, vetë deputeti socialist ka kërkuar nga financa e Kuvendit që të sqarohet se pse i është mbajtur kjo shumë parash. Nga ana e financës së institucionit i ka ardhur përgjigja se "mbajtja e shumës është me urdhër nga shefja"

Marrëdhëniet e PS me Topallin

Marrëdhëniet e acaruara midis kryetares së Kuvendit dhe grupit Parlamentar Socialist ka bërë që deputetët socialistë të ideojnë ngritjen e një komisioni hetimor për shpërdorim
detyre dhe fondesh të institucionit. Kjo ide është propozuar nga deputeti Erjon Braçe, në një mbledhje të grupit Parlamentar Socialist. PS kërkon që buxheti të vendoset në funksion të 140 deputetëve dhe t'i lihet në dorë kryetares së Kuvendit. Për këtë arsye, deputetët kanë kërkuar edhe ndryshime në financat e Kuvendit, që lidhet kryesisht
me postin e Topallit.


Kryeparlamentarja akuzohet se shfrytëzon postin e saj për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme dhe tendencioze në pagesat e deputetëve të PS, duke i ndërprerë atyre pagën, dietat dhe shpenzimet për telefonin. Gjithashtu, një opsion për denoncimin e këtij abuzimi është marrja e një vendimi të përbashkët të deputetëve socialistë për ngritjen e një padie penale ndaj Administratës së Kuvendit.


Por, çdo deputeti i lind e drejta dhe është i lirë të ngrejë padi ndaj Kuvendit për rrogat dhe dietat e tyre. Topalli vetë është nën akuzë për përfitime financiare të padrejta nga buxheti i shtetit. Sipas selisë rozë, Kryetarja e Kuvendit ka deklaruar zyrtarisht në dokumente se banon në Shkodër, duke marrë dieta për udhëtimin drejt Tiranës çdo ditë për drejtimin e Kuvendit, kur të gjithë e dinë se ajo banon në zonën e "Bllokut", në kryeqytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›