Kriza dhe debati për Euron
Ndërsa përpjekjet për masat antikrizë në eurozonë nuk reshtin (pas Samitit të BE-së javën e kaluar në Bruksel, dje përfundoi edhe takimi i Eurogrupit), studimet dhe propozimet në sensin tjetër, në atë të mundësisë së falimentimit pjesor, të qëndrimit apo largimit nga euroja e ndonjë prej vendeve (të vogla) në krizë, gjithashtu janë të shumta, duke dhënë opsione me rrugëzgjidhje të ndryshme. Pas Samitit të fundit të BE-së, ndërsa është shtuar besimi dhe flitet për më shumë Europë dhe masat e hapat konkretë për daljen nga kriza në vendet e prekura nga kriza në eurozonë po intensifikohen, frika se mund të ketë krisje të vogla në këtë proces mbetet ende. Pas kaq vitesh, për herë të parë tani po botohen dhe studime mbi pasojat e mundshme të një falimentimi të vendeve të veçanta të euros (p.sh. të Greqisë), ose shkatërrimin e plotë të sistemit të monedhës së përbashkët europiane, d.m.th të euros. Janë mbi 400 punime të kompanive të fuqishme të studimeve ekonomike, ekipeve kërkimore shkencore bankash, si dhe akademikësh të njohur që u paraqitën për këtë çështje në kërkim të çmimit Wolfson Economics Prize për vitin 2012, çmim ky i dytë për nga rëndësia, pas çmimit Nobel, i fituar nga kompania e kërkimeve ekonomike Capital Economics.
NGA SAMITI XX I BE-SE, NE TAKIMIN E EUROGRUPIT
Samiti i javës së kaluar i BE-së për krizën në eurozonë, i cili arriti një marrëveshje për marrjen e masave antikrizë, si: ndarjen e bankave nga qeveritë për shkak të borxhit, faktin që kreditorët, të cilët blejnë borxhe qeveritare nuk do të jenë në disavantazh nëse një vend falimenton, reduktimi i kufizimeve për huat për vendet në borxhe, krijimi i një organi (mekanizmi) mbikëqyrës për zonën bankare të eurozonës i drejtuar nga Banka Qendrore Europiane etj., vazhdimi i zbatimit të tyre dhe marrja e masave të mëtejshme duket se ishin në qendër të takimit të Eurogrupit, sidomos për menaxhimin e situatës së kësaj krize në Spanjë dhe Greqi.
Takimi i Eurogrupit, që zgjati më shumë se 10 orë, vendosi ti japë një vit më shumë kohë Spanjës, deri në vitin 2014, për të reduktuar deficitin e saj buxhetor në 3% të PBB, si dhe financimin e sektorit bankar spanjoll. Për rikapitalizimin e bankave spanjolle u vendos që kësti i parë i ndihmës europiane prej 30 miliardë eurosh të jepet deri në fund të këtij muaji, ndërsa kushtet e paketës së ndihmës prej 100 miliardë eurosh do të miratohen në takimin e jashtëzakonshëm të Eurogrupit më 20 korrik.
Sa i përket Greqisë, ministrat e Financave të Eurogrupit kanë diskutuar rezultatet paraprake të audituesve të Trojkës në Athinë dhe se do ti kthehen çështjes greke kur treshja të përfundojë vlerësimin dhe të përgatisë raportin përfundimtar për ecurinë e zbatimit të programit grek. Sa për këstin e ndihmës që Greqia pret më 20 gusht, Eurogrupi u angazhua se do të gjejë zgjidhje dhe se nuk ka asnjë arsye për tu shqetësuar.
ÇFARE NDODH NESE NJE SHTET IKEN NGA EUROJA?
Kriza globale e viteve të fundit, veçanërisht ajo në eurozonë, nuk mund të mos nxiste (gati dy vjet më parë) nisma studimesh nga institucione të rëndësishme dhe prestigjioze financiare, bankare e akademike, për tu dhënë përgjigje pyetjeve se çfarë mund të ndodhë nëse:
a)falimenton dhe del një shtet (rasti i Greqisë) nga euroja;
b)shpërbëhet plotësisht sistemi i euros dhe kalimi në monedhat kombëtare të vendeve anëtare.
Plot një vit më parë (7 korrik 2011), Banka holandeze ING botoi modelin ekonometrik të hartuar nga grupi studimor i saj me në krye Mark Cliffi-n mbi pasojat e mundshme të sistemit monetar të euros me dy variante, në përgjigje të pyetjeve të mesipërme. Studimi i botuar me titullin enigmatik Quantifying the Unthinkable (Një shprehje sasiore e së papërfytyrueshmes), vazhdon të jetë objekt i një analize të veçantë nga shumë institucione financiare e bankare, media e gazeta serioze si Financial Times, The Guardian dhe të përditshme të tjera. Ai dhe situata e krizës e krijuar nuk mund të mos nxiste dhe të çonte më tej mendimin e ekonomistëve. Nëse situata në një shtet apo më shumë përkeqësohet, cila është rruga që duhet ndjekur? Duke iu referuar drejtuesit kryesor të studimit, Mark Cliffi-t, në këtë studim paraqiten pasojat e krizës të euros me shifra konkrete të nxjerra nga modelimi i të dhënave me dy variante.
Modeli i variantit të parë llogariste pasojat e falimentimit të kontrolluar të Greqisë, daljes së saj nga euroja dhe kalimi në monedhën e saj kombëtare, dhrahminë. Sipas këtij varianti, modeli arin për vitet 2010-2012, në këto parashikime për uljen e PBB, normën e inflacionit, kurset valutore dhe çmimet e pasurive të patundshme, janë pak më të dhimbshme se një falimentim total i vetë sistemit të euros.
Modeli i variantit të dytë supozon shpërbërjen totale të sistemit të euros dhe kalimi i secilit vend anëtar në monedhën e tij kombëtare. Sipas këtij varianti parashikohej ndryshimi i treguesve kryesorë në të gjitha vendet kryesore të eurozonës, që karakterizoheshin kryesisht nga përkeqësime të dukshme, si:
Rënia e PBB në %: (Greqi 9; Irlanda -5; Spanja 4; Italia -4; Portugalia -3; Belgjika 2; Holanda -2; Franca -2; Gjermania -1).
Siç shihet, në këtë variant të dytë, rënia e PBB parashikohet më e vogël, sepse ndodhin përkeqësime në kurset e këmbimit të monedhave kombëtare ndaj markës gjermane të rivendosur.
Ulja e kurseve të monedhave kombëtare të rivendosura ndaj markës gjermane parashikohet si vijon: (Në Austri, Belgjikë, Finlandë dhe Holandë; -9%; në Francë – 18%; në Itali -22%; në Irlandë, Portugali, Spanjë -45% dhe në Greqi -80%).
Shqetësuese do të jenë dhe ndryshimet e nivelit të çmimeve të banesave, të cilat parashikohen të bien: (Në Greqi, -35%; në Irlandë – 4%; në Itali – 5%; në Spanjë – 5%; në Portugali -2%).
Në bazë të këtyre skenarëve kuptohet lehtë se një krizë e thellë e sistemit monetar të Bashkimit Europian do të krijonte jo vetëm një krizë të thellë ekonomike, por dhe shumë ndryshime të tjera në raportet e vendeve anëtare, si dhe në raportet e tyre me vendet e tjera, e në radhë të parë me SHBA, por dhe me gjithë ekonominë globale. Është për këtë arsye që drejtuesi i studimit të përmendur i Bankës holandeze ING, Mark Cliff, në një nga intervistat e tij të fundit, theksonte: Luhatjet e tregjeve pas falimentimit të Bankës amerikane të investimeve Lehman Brothers në vitin 2008, do të duken krejt të padhimbshme në krahasim me ato që mund të shkaktohen nga shkatërrimi i euros. Akoma dhe në rastin e Greqisë, sipas këtij studimi, largimi i saj nga euroja nuk do të ndihmonte në përballimin e problemeve të saj ekonomiko-financiare, por do të shkaktonte keqësimin e treguesit të borxhit të saj si përqindje ndaj PBB.
TE LARGOHESH NGA EUROJA, NJE GUIDE PRAKTIKE
Tashmë kjo është një çështje që mund të ndodhë. Dhe duhej zgjidhur. Jo për të dëmtuar procesin e euros, por për të menaxhuar me sukses situatën e krijuar me të në këtë krizë.
Kompania e kërkimeve ekonomike Capital Economics, fitoi çmimin Wolfson Economics Prize për vitin 2012. Ky është çmimi i dytë për nga rëndësia pas çmimit Nobel.
Çmimi me një vlerë prej 250 000 paundësh është dhënë për përgjigjen kundrejt pyetjes: Nëse një shtet anëtar largohet nga unioni ekonomik dhe monetar, cila është rruga më e mirë që procesi ekonomik të menaxhohet në mënyrë të tillë që të sigurojë themele solide për prosperitetin dhe rritjen ekonomike të unionit?.
Punimi i Capital Economics konkurroi bashkë me 400 punime të tjera të kompanive të fuqishme të studimeve ekonomike, ekipeve kërkimore shkencore bankash, si dhe akademikësh të njohur. Juria, në mënyrë unan
