E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova pa kushte dhe shtetet e dështuara

OLSI BAZE

Fundi i pavarësisë së mbikëqyrur është, pa dyshim, një çast i rëndësishëm për shtetin e Kosovës. Kjo fazë kalimtare, e cila shihej nga ndërkombëtarët si një hap i rëndësishëm ku Kosova të jepte provat e qenësishme të të qenit shtet, duket se u arrit me sukses.
Klasa politike dhe institucionet e Kosovës dhanë provat organizative të tyre, por ende jo ato funksionale të shtetit.
Të gjithë duhet të gëzohemi që statusi i pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë po merr fund dhe këtë meritë e kanë, sigurisht, qytetarët e Kosovës. Kjo nuk do të thotë se autoriteti dhe legjitimiteti i qeverisë së Kosovës është i plotë dhe i ushtrueshëm kudo. Pikërisht ky autoritet dhe legjitimitet etatik do të jetë i kushtëzuar, dhe kjo gjë e kthen Kosovën në një shtet të dështuar.
Qyteti i Mitrovicës në Kosovë prej gati dy vitesh është kthyer në një lloj territori absurd, të cilin nuk e kontrollon as qeveria e Kosovës, as EULEX-i, as KFOR-i, por grupe kriminale dhe struktura paralele që sponsorizohen direkt nga qarqe politike në Beograd.
Në këtë kontekst, Veriu i Kosovës mbetet jashtë kontrollit të shtetit dhe nuk do të jetë çudi që shteti më i ri në Europë të klasifikohet dhe listohet në listën e shteteve të dështuara.
Koncepti politik i shtetit të dështuar u zhvillua nga organizata Fund for Peace, një thing tank i fuqishëm amerikan, i cili çdo vit boton listën e njohur me emrin Failed State index, e bazuar në dymbëdhjetë indikatorë të nëndarë në tri kategori: socialë, ekonomikë dhe politikë.
Sipas kritereve të kësaj organizate, dështimi shtetëror karakterizohet nga një mori simptomash, të cilat janë: diversiteti demografik, dhuna ndërkomunitare, emigracioni kronik dhe i vazhdueshëm, pabarazia e zhvillimi, rënia ekonomike, kriminaliteti i lartë, përkeqësimi i shërbimit publik, mosrespektim i të drejtave të njeriut dhe ndërhyrje e fuqive të tjera. Po ia lëmë opinionit të gjykojë se sa nga këto kritere e përfshijnë Kosovën, por është e sigurt që serbët po ushtrojnë dhunë ndaj komuniteteve, kriminaliteti është i lartë, shërbimi publik nuk ekziston dhe kemi haptazi një ndërhyrje të një shteti tjetër në Kosovë, që është Serbia.
Studiuesi amerikan Noam Chomski, shtete të dështuara, përkufizon shtetet dhe qeveritë e të cilave nuk kontrollojnë në mënyrë tërësore territorin e tyre dhe nuk përmbushin funksionet e tyre tradicionale etatike. Në rastin e Kosovës, në këtë aspekt nuk ka dështuar vetëm qeveria, por edhe strukturat ndërkombëtare në Kosovë, që janë EULEX-i dhe KFOR-i, të cilat nuk kontrollojnë gjithë territorin dhe nuk përmbushin detyrimet minimale etatike.
Maks Veber, në librin e tij Dijetari dhe politika, shtjelloi qartë në shekullin e 19-të koncepetin Gewaltmonopol, një përkufizim mbi shtetin, i cili zotëron dhe ushtron në mënyrë ekskluzive monopolin e dhunës fizike legjitime.
Nëse do ti referoheshim këtij përkufizimi të Veberit, një shtet i dështuar është i pamundur të ushtrojë këtë kompetencë ekskluzive dhe ekzistenca e vet varet në njëfarë mënyre nga kjo përmbushje dhe vendosja e këtij monopoli në të gjithë territorin e vet.
Në këtë aspekt duhet analizuar pamundësia e qeverisë të Kosovës për të ushtruar monopolin e dhunës fizike legjitime në një pjesë të konsiderueshme të territorit të saj, madje çdo orvatje e saj për të rivendosur autoritetin e saj legjitim është mbyllur me një dështim dhe turp politik. Mund të citojmë vendimin e qeverisë për të marrë në kontroll dy pika kufitare në Veri të Kosovës, veprim që u shoqërua me një dëbim të forcave të policisë nga elementë kriminalë, të cilët madje vranë edhe një pjesëtar të forcave të sigurisë së Kosovës vitin e shkuar. Kulmi arrin deri aty sa elementë radikalë serbë sillen në Veri si paramilitarë duke plagosur jo vetëm forcat e sigurisë së Kosovës, por edhe forcat e NATO-s të dislokuara aty.
Kjo situatë, e cila rrezikon ta klasifikojë Kosovën gjithnjë e më shumë drejt këtij statusi të një shteti të dështuar, bëhet me tronditës kur prezenca ndërkombëtare, e cila në thelb është aty për të mundësuar shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e ligjit në të gjithë territorin e Kosovës. KFOR dhe EULEX po kthehen në struktura të dështuara failed stractures, dhe kjo situatë përbën një precedent të rrezikshëm qoftë për NATO-n, qoftë për BE-në, sepse ato kanë dështuar në mision e tyre.
Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, monopoli i dhunës fizike legjitime është venë në pikëpyetje në shtete ku kanë ekzistuar grupe guerile ose paraushtarake, organizata kriminale dhe terroriste, të cilat kanë imponuar autoritetin e tyre në një pjesë të territorit të kontrolluar prej tyre dhe ku shteti nuk mund të imponojë respektin e autoritetit të ligjit në mënyrë uniforme në të gjithë territorin. Në Mitrovicën e veriut është e tashmë e qartë se veprojnë grupe paraushtarake serbe dhe kriminale, të cilat kanë imponuar ligjin e tyre duke vrarë qytetarë të pafajshëm, duke shkaktuar një destabilizim demografik për shkak të largimit të popullatave civile në zonat e kontrolluar nga grupe kriminale dhe ushtarake të paguara nga një shtet tjetër, ose që veprojnë për interesat e tyre kriminale.
Jemi në prezencë të një dhune, e cila është e fragmentuar dhe e privatizuar nga individë dhe organizata kriminale. Për këtë arsye, shteti i dështuar futet në një rreth vicioz dhe brishtësia e vet është një arsye dobësimi suplementare, pasi ai nuk mund ti luftojë këto grupe dhe krijohen zona të quajtura gri, në të cilat lulëzojnë trafiqet e të gjitha llojeve: qenieve njerëzore, armët, droga.
Grupet paralele në Veri të Kosovës, qofshin ato kriminale ose paralele, përfitojnë nga këto trafiqe për të krijuar mënyra dhe mjete të ekzistencës së tyre, duke e privuar shtetin nga mjetet legjitime për të rivendosur autoritetin e vet duke shkëputur atë nga burimet e veta.
Në këtë kontekst, një shtet që nuk mund të përmbushë detyrimet dhe autoritetin e vet brenda territorit të vet, e ka po ashtu të pamundur të përmbushë detyrimet e veta ndërkombëtare.
Fundi i pavarësisë së mbikëqyrur është një hap i madh për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, dhe duhet përshëndetur si një ngjarje e madhe për Ballkanin dhe shqiptarët. Sfida e vërtetë fillon sot për autoritetet e Kosovës, të cilat me çdo kusht duhet të luftojnë dhe punojnë që të mos kthehen çdo ditë e më shumë në një shtet të dështuar, pavarësisht qëndrimeve të faktorëve ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë. Ky realitet i hidhur është pranuar për shkak dhe në emër të statusit pavarësi e mbikëqyrur, i cili paralizonte veprimet etatike të forta që sot shteti i Kosovës nuk ka arsye të mos imponohet si e vetmi monopol i dhunës fizike legjitime duke refuzuar të jetë shtet i dështuar në Europë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›