E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrahim, u kry

Aventura e Rrahim Pacollit në krye të AKR’së përfundoi të hënën. Këshilli Drejtues ia mori atij pozitën e Udhëheqësit - të cilën ia kishte dhënë vetëm një javë më parë. Në krye të partisë, u rikthye Behgjet Pacolli. Ky vendim konsiderohet antidemokratik nga anëtarë të AKR’së. Nga Faton Ismajli më 04 tetor 2011 në ora 08:47

Paralajmërimi i Behgjet Pacollit se djali i axhës së tij, Rrahimi, e ka shkurt në krye të AKR’së doli i saktë.

Kështu, nga e hëna, Rrahim Pacolli nuk është në të njëjtin rang me shefat e partive të tjera politike.

Ai nuk qëndroi as një javë në krye të AKR’së.

Në partinë e pestë në Kosovë u rikthye Behgjet Pacolli.

Të hënën ai u votua nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të AKR’së, derisa vetëm një zyrtar abstenoi.

Abstenimi i Gëzim Mehmetit u fsheh nga AKR’ja, e cila dërgoi njoftimin për rizgjedhjen e Zëvendëskryeministrit në postin partiak.

“Z. Behgjet Pacolli u rikthye si President i AKR’së me shumicën absolute të votave të Këshillit Drejtues. (83 për, asnjë kundër)”, thuhet në komunikatë.
“Sot, në rrethanat të tjera, z. Pacolli nuk ka asnjë pengesë për t’u rikthyer në krye të partisë dhe ky ka qenë edhe vullnet i të gjitha strukturave të partisë”, thuhet në një komunikatën të AKR’së.

Kryetari i Degës së Tretë të AKR’së në Prishtinë, Gëzim Mehmeti thotë se ka abstenuar për shkak se rikthimi i Pacollit është jodemokratik dhe antistatutar.

Ish-udhëheqësi Rrahim Pacolli ka thënë se është i kënaqur që është rikthyer Behgjet në AKR. Megjithëse është shprehur se nuk i di arsyet pse kanë ndryshuar qëndrimin aq shpejt anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, të cilët e kanë votuar atë një javë më parë për ta udhëhequr subjektin e pestë politik në Kosovë.

“Ndoshta janë frikësuar se do t’i humbin postet ministrore”, ka ironizuar Rrahim Pacolli, në një prononcim për Express të hënën.

Ai nuk ka dashur të japë konstatime rreth rikthimit të Behgjet Pacollit në krye të partisë.

“Makolli është jurist i mirë dhe këtë përgjigje mund ta japë ai”, ka thënë Pacolli.

Rrahimi Pacolli ka mohuar se i ka mbetur hatri pse nuk e lanë në krye të AKR’së deri në kohën e mbajtjes së Kongresit.

“S’kam pse mos me qenë në disponim. Këshilli më ka zgjedhur para një jave dhe tash kanë vendosur që të rikthehet Kryetari prapë. Krejt është OK”, ka deklaruar ai.

Behgjet Pacolli kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në AKR, madje edhe si anëtar i thjeshtë, kur pati marrë postin e Shefit të Shtetit më 22 shkurt të këtij viti. Prej asaj kohe, partia ishte udhëhequr me ushtrues detyre.

Mënyrën se si është rikthyer Pacolli në krye të AKR’së e ka kundërshtuar fort Gëzim Mehmeti.

Ai ka thënë se kjo nuk e ndihmon Pacollin, AKR’në dhe demokracinë në Kosovë.

“Nuk jam kundër kthimit të z. Pacolli në AKR, por sot ka pasur shkelje statutore. Kjo mënyrë e zgjedhjes nuk i bën nder demokracisë dhe z. Pacolli. Kush e ka dhënë këtë propozim, ka gabuar”, ka deklaruar Mehmeti.

Ai ka edhe një shpjegim se pse edhe anëtarët e tjerë nuk kanë kundërshtuar kthimin e Pacollit në krye të partisë.

“Ndoshta po frikësohen”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Pacolli është dashur së pari të anëtarësohet në AKR, e pastaj të propozohet për kryetar.

“Në bazë të statutit, ne është dashur të shkojmë në mbajtjen e Kongresit, sepse Presidenti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet. Edhe ushtruesit të detyrës i ka kaluar mandati gjashtëmujor, kështu, që të gjitha kushtet janë plotësuar për zgjedhje të brendshme në AKR”, ka shpjeguar ai.

Aleanca Kosova e Re, e themeluar më 2006, nga biznesmeni më i pasur në Kosovë, Behgjet Pacolli ishte renditur si partia e tretë në zgjedhjet e vitit 2007.

Por në zgjedhjet e fundit ajo u përgjysmua.

Në zgjedhjet nacionale të dhjetorit të vitit 2010, Koalicioni Kosova e Re, në të cilin ishin bashkë me AKR’në e Pacollit edhe Partia e Drejtësisë, PSDK e Çekut, Grupi 15 dhe Partia e Pensionistëve, ka fituar 7.29 për qind të votave të zgjedhësve që kanë votuar. Krahasuar me vitin 2007, AKR’ja në zgjedhjet e fundit në votën proporcionale humbi 16.809 vota.

Aktualisht, AKR’ja ka në Kuvendin e Kosovës vetëm katër deputetë – Myzejene Selmani, Emin Gërbeshi, Sevdije Lama dhe Suzan Novoberdali. E në Qeveri, partia e Pacollit ka dy zëvendëskryeministra, dy ministra dhe disa poste të zëvendësministrave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›