Kriza e fqinjëve dhe rritja e ekonomisë shqiptare
Rritja ekonomike e Shqipërisë është vlerësuar dhe përmendur nga shumë gazeta prestigjoze ndërkombëtare, nga organizata të ndryshme jo qeveritare dhe nga analistë europianë të ekonomisë. Madje edhe ish – ministra të Financës të Shqipërisë kanë vënë në dukje menaxhimin e mirë të qeverisë shqiptare në një kohë kur fqinjët tanë (Greqia dhe Italia) kanë patur probleme me të vërtetë të mëdha që si rrjedhojë kanë sjellë edhe rrëzimin e qeverive të dy shteteve fqinje. Në këtë kohë krize planetare kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e ka cilësuar buxhetin e vitit 2012 si më të madhin e historisë së vendit tonë. Por nëse ndërkombëtarët ndalen në arritjet e qeverisë shqiptare ka zëra nga brenda vendit të cilët duke mos dashur t’i shohin gjërat qartë kërkojnë të minimizojnë performancën e ekonomisë shqiptare. Nga ana tjetër kryeministri i vendit Sali Berisha vazhdon me vendosmëri të theksojë modelin e suksesshëm ekonomik të Shqipërisë një model ky që ka garantuar rritjen e investimeve të huaja në vend, një model që ka arritur të trefishojë eksportet dhe të garantojë rritjen e pagave. “Ky buxhet bëhet akoma më i madh po të kemi parasysh sfondin evropian dhe botëror, në të cilin u miratua buxheti, sfondi i një krize, të cilës fundin askush nuk ia di” – ka deklaruar kryeministri Berisha. Në fakt situata ekonomike, dihet tashmë se, nuk është nga më të mirat. Vetëm pak ditë më parë Parlamenti i vendit fqinj të Greqisë ka aprovuar manovrën financiare për vitin 2012, i cili në vetvete përmban masa shumë drastike. Në të njëjtën kohë me aprovimin e këtyre masave qeveria greke kërkon t’i japë Europës një mesazh të fortë: Greqia kërkon të qëndrojë në zonën euro duke resepktuar paktet e ndryshme të bëra me kreditorët. Në fakt edhe në fjalën e kryeministrit grek është vënë theksi tek vendosmëria që do të ketë qeveria e vendit fqinj për të kaluar krizën. “Historia nuk do të na e falë” - ka shtuar në fjalën e tij, të mbajtur në parlament, kryeministri Lukas Papademos. Sidoqoftë 258 parlamentarë grekë kanë votuar pro manovrës financiare ndërsa 44 të tjerë kanë votuar kundër. Nga ana tjetër bilanci i vitit 2012 ka shënuar edhe protestat e ndryshme në Greqi. Sepse parashikohet që të ketë një reduktim të pagave të funksionarëve dhe gjithashtu një reduktim edhe të numrit të punonjësve të sektorit publik. “Pozicioni ynë në Europë është i panegociueshëm” - ka deklaruar kryeministri Lukas Papademos për të shtuar më tej se: “Greqia është dhe do jetë pjesë e Europës së Bashkuar dhe e euros”. Gjithsesi ish zv/presidenti i Bankës qendrore europiane është i vetëdijshëm se për të qenë pjesë e Europës shteti i tij Greqia duhet që të zbatojë detyrimet. Por këto të fundit duket se janë me të vërtetë të vështira po të kemi parasysh faktin se për bilancin e vitit 2012 qeveria greke ka parashikuar një reduktim të defiçitit publik me 5,4% të Gdp së saj. Aktualisht Greqia është një vend në vështirësi madje edhe Transparency International vinte në dukje në raportin e saj vjetor që Greqia (por edhe Italia nga vendet e Bashkimit Europian) kishte një pozicion shumë të keq. Në fakt kjo organizatë ndërkombëtare kishte qenë shumë e qartë kur kishte theksuar se një prej shkaqeve kryesore të krizës greke ishte “pafuqia e pushtetit publik për të luftuar korrupsionin dhe evazionin fiskal”. Sidoqoftë ndodhemi përpara një problemi europian që nuk ka prekur vetëm Greqinë por edhe Italinë dhe ndonjë shtet tjetër të Bashkimit Europian. Është e vërtetë se nga 182 vende të kësaj liste Greqia ndodhet në vend të tetëdhjetë, Italia në vendin e 69 ndërsa vende si Gjermania apo Franca ndodheshin respektivisht në vend të 14 dhe 25. “Kriza europiane reflekton një menaxhim të dobët financiar, një mungesë transparence por edhe një përdorim të keq të fondev publike” - kishte deklaruar drejtori i Transparency International. “Qoftë në Europën e goditur nga kriza e debisë apo në botën arabe, në fillim të një epoke të re politike, drejtuesit duhet të vlerësojnë nevojën e një qeverisje të mirë” - ka shtuar Haguette Labelle i Transparency International . Po Shqipëria? A po qeveriset mirë Shqipëria? Shifrat janë të qarta. Eksportet krahasuar me vitin 2006 janë tre herë më të mëdha. Rrogat e arsimtarëve, mjekëve apo infermierëvë janë rritur me 120% pensionet minimale gjithashtu.
...