Kriza e re PD-LSI?
Erjon Isufi
Kunati i Bashës flet për mbeturinat
Debati mbi biznesin e mbeturinave, riciklimit dhe kontingjentit të personave janë të punësuar te plehrat ka çelur debat të gjerë. Partia Socialiste dhe anëtarë të majtë të këshillit bashkiak kanë deklaruar se kreu i Bashkisë së Tiranës ka autorizuar policinë bashkiake për pezullimin e punës në plehra për të favorizuar kunatin e tij. Dje ka reaguar zyrtarisht, kunati i kreut të bashkisë, Lulzim Basha, i cili pretendon se të gjitha deklaratat dhe reagimet e opozitës, të pasqyruara edhe në media janë shpifje dhe mashtrime. Akuzat e ngritura në lidhje me personin tim janë shpifje dhe mashtrime. Gjithashtu, ju bëj me dije se për disa nga shpifjet në adresën time unë kam paditur shpifësit, të cilët vazhdojnë të mos paraqiten në gjykatë në mënyrë që të shmangin verdiktin. Shpreh keqardhjen që me sulmet personale që bëhen në adresën time për qëllime politike, ka deklaruar Erjon Isufi, kunati i kreut të bashkisë, Lulzim Basha.
Sakaq, të njëjtin argument ka dhënë edhe Bashkia e Tiranës në një njoftim zyrtar. Sipas zyrës së shtypit, akuzat e ngritura nga PS dhe përfaqësues të saj janë shpifje dhe mashtrime.
Sëmuren këshilltarët e LSI-së, por dhe Kosovrasti
Lorina Mixha
Mbledhja e këshillit bashkiak, parashikuar të zhvillohej ditën e enjte u pezullua për një sërë arsyesh. E para dhe më e përfolura lidhet me arsyen për të mos hapur diskutimin për vendimin e lojërave të fatit. Në axhendën e mbledhjes u parashikua marrja e një liste të gjatë vendimesh të rëndësishme. Ndërkohë që vendimi me më shumë impakt në rangjet e sipërmarrjeve dhe lobimeve të fuqishme, lidhej me taksën dhe ndryshimet për lojërat e fatit. Ky argument u përgënjeshtrua nga zyrtarë të bashkisë dhe përfaqësues të mazhorancës në këshillin bashkiak. Aktualisht, sipas Njësisë së Mbikëqyrjes se Lojërave të Fatit, në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 20 kazino elektronike të licencuara me 81 salla me kompjuterë dhe makina elektronike, 7 subjekte të licencuara për baste sportive me 801 pika shitjeje, si dhe 10 bingo. Gjithsej janë 55 këshilltarë bashkiakë, 28 Aleanca për Qytetarin, dhe 27 Aleanca për të Ardhmen. Sipas bashkisë, mbledhja nuk do të zhvillohej për shkak të mungesës së disa këshilltarëve. Rezulton se në mbledhje mungonin tre nga anëtarët e LSI-së dhe tre anëtarë të tjerë të PD-së. Bashkia sqaroi pak minuta pasi kishte kaluar ora 18:00, se mbledhja anulohej për shkak të mungesës së këshilltarëve, për arsye shëndetësore dhe sepse ndodheshin jashtë vendit. Njëri nga këshilltarët e PD-së konfirmoi për gazetën Shqip, se dy nga të sëmurët ishin kryetari i këshillit bashkiak, Njazi Kosovrasti dhe nënkryetari Zamir Ndroqi. Kishte njoftuar se do të mungonte në mbledhje për arsye subjektive edhe këshilltarja e PD-së, Arjana Bekteshi. Njëri nga argumentet e diskutuara dje, pas pezullimit të mbledhjes së parlamentit vendor është edhe për shkak të mungesës së dy krerëve. Sakaq, më shumë se për lojërat e fatit, anëtarët e majtë kanë argumentuar se mungesa e anëtarëve të LSI-së është një mesazh i qartë politik që referon krisje mes marrëdhënieve Basha- Meta, këto kohët e fundit.
Lëvizja Socialiste për Integrim
Shezai Rrokaj, kreu i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroi se tre anëtarët e LSI-së nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në mbledhje për shkak se dy prej tyre kanë qenë jashtë shtetit, ndërsa një nga anëtarët ka munguar për shkaqe shëndetësore. Në cilësinë e kreut të grupimit të anëtarëve të LSI-së mund të them se nuk ka asnjë krisje mes kësaj force politike dhe mazhorancës, por mungesa e anëtarëve nuk ka as lidhje për sa u takon spekulimeve që janë ngritur për vendimin e lojërave të fatit, deklaroi Shezai Rrokaj, kreu i grupimit të LSI-së në këshillin bashkiak. Sipas tij, dy nga anëtarët e LSI-së janë bërë gati për mbledhje. Përfaqësues të kësaj force politike sqarojnë se në rast se do të kishte një qëndrim, një lëvizje apo mesazh ashtu siç pretendohet nga opozita, atëherë do të ishin të 5-të anëtarët që do të bojkotonin mbledhjen e këshillit bashkiak. Anëtarët e LSI-së kanë deklaruar se ka pasur diskutime lidhur me projektvendimin e lojërave të fatit, për të pasur një qëndrim unifikues.
Të majtët
Aldrin Dalipi, kreu i këshilltarëve bashkiak të majtë, ka sqaruar se në mbledhjen e njoftuar për ditën e enjte kanë qenë të 25 anëtarët opozitarë. Vendimet mund të mos merreshin, por është e drejta e këshilltarëve të qëndrojnë në sallën e këshillit bashkiak. Dera nuk është mbyllur asnjëherë për përfaqësuesit vendorë, dhe një veprim i tillë nuk mund të bëhej as nga krerët e këshillit që organizojnë mbledhjen, deklaroi Dalipi. Ndërkohë që sipas opozitarëve, mbledhja është anuluar për shkak të projektvendimit për lojërat e fatit, por më shumë edhe për shkak të një krisjeje që ka pësuar marrëdhënia mes Lulzim Bashës dhe Ilir Metës pak kohë më parë. Sipas anëtarëve të majtë, mesazhi që i ka dhënë kreu i LSI-së, Meta, nëpërmjet mungesës së këshilltarëve të tij në mbledhjen e njoftuar është një lëvizje politike e cila ngre pikëpyetje dhe shtron çështje për diskutim.
PD
Njazi Kosovrasti
Zamir Ndroqi
Arjana Bekteshi
LSI
Indrit Brahimllari
Blerina Kazaferi
Erisa Zaimi
Bushati dhe Gaçi
Opozita: Kryetari, një amvisë shtëpie
Ka reaguar ashpër opozita pas ngjarjes së fundit në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Deputeti socialist, Artan Gaçi, ka akuzuar kreun e bashkisë për çështjen e mbeturinave, kurse një nga drejtuesit e PS-së për kryeqytetin, Ervin Bushati, dhe njëkohësisht anëtar i Asamblesë Kombëtare ka deklaruar se dështimi i mbledhjes së këshillit kristalizoi një llum interesash e pazaresh personale.
Bushati
Në një prononcim për Shqip, kreu i PS-së për njësinë 8 të kryeqytetit deklaroi se Këto pazare nëntokësore të një pushteti që nuk po ngopet kurrë me para, ndalojnë tërësisht gjithë punën e administratës së qytetit në ndihmë të banorëve të abuzuar dhe tradhtuar. Punët dështojnë sot, pasi Bashkia e Tiranës nuk ka në krye një zot të punës, por një amvise shtëpie që vetëm meremeton, sposton dhe pastron atë që ka gjetur në shtëpinë e qytetarëve. Tirana meriton një Kryetar në Dritë të Bashkisë dhe jo një Kryetar në Hije të PD-së.
Gaçi
Ndërkaq, deputeti socialist, Artan Gaçi, ka qenë vetë pranë vendit të grumbullimit të mbeturinave në Vaqar, komunë pranë kryeqytetit. Gaçi, tha se është pikërisht ky lloj biznesi i njerëzve të afërt të kryetarit të emëruar të bashkisë së kryeqytetit që ka komanduar edhe Kuvendin e Shqipërisë për të miratuar në urgjencë ligjin për importin e mbetjeve. Deputeti Gaçi, që është edhe i zgjedhur në atë zonë, tha se dëmi mjedisor që shkaktohet për banorët është i madh, por Basha po dëshmon se për të kunati është i pari: Qytetarët të Tiranës dhe të Vaqarit ndoten nga kjo fabrikë që është pa leje ndërtimi dhe pa leje mjedisore. Kjo këtu mbrapa është fabrika e plehrave e përfolur, që menaxhohet dhe ka pronarë njerëz shumë të afërt të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Kjo këtu është prova që tregon që slogani i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, që qytetarët janë të parët ka qenë një gënjeshtër propagandistike. Kjo është prova e vërtetë që qytetarët nuk janë të parët, por kunati është i pari, përfundoi deputeti Artan Gaçi.