Kanadaja ndërpret lidhjet diplomatike me Iranin
Kanadaja thotë se po ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke mbyllur ambasadën në Teheran dhe duke përzënë të gjithë diplomatët iranianë nga Kanadaja.
Ministri i Jashtëm John Baird tha dje se qeveria e tij e konsideron qeverinë e Iranit si kërcënimin më të madh ndaj paqes globale dhe sigurisë në botë sot.
Ai tha se diplomatët iranianë në Kanada duhet të lënë vendin brenda pesë ditëve.
Baird dha disa arsye për këtë vendim, përfshirë programin bërthamor të Iranit, ndihmën ushtarake ndaj Sirisë dhe armiqësinë ndaj Izraelit. Ai tha gjithashtu se Irani është një shtet që sponsorizon terrorizmin.
Sipas njoftimeve, një shënim i shkruar në persisht është vendosur në derën e ambasadës iraniane në Otava, ku thuhet se ambasada është mbyllur për shkak të vendimit armiqësor të qeverisë kanadeze. (voa)