Kriza greke, ende pa marrëveshje
“Kriza në Greqi” mbledh sërish në një takim kryeministrin Papadhimos me krerët politikë, ndërsa pas pesë orësh diskutimi, asgjë nuk ka dalë në dritë. Ende nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të plotë mes palëve mbi përmbajtjen e elementeve-bazë të një marrëveshjeje me Trojkën për programin e ri ekonomik në Greqi.
Kjo marrëveshje shihet si një parakusht për mbështetjen e re financiare të vendit. Ndërkaq, një takim i ri do të zhvillohet nesër mes kryeministrit dhe liderëve politikë. Kreu i Demokracisë së Re, Samaras deklaroi: Nuk duam recesion më të madh, sepse vendi nuk mund ta përballojë.
Kryetari i PASOK njoftoi mbledhjen urgjente të Këshillit politik të partisë këtë mbrëmje, ashtu si edhe Demokracia e Re do mbledhë kryesinë e saj, ndërsa kreu i LAOS Jorgos Karaxhaferis tha se ai nuk do të kontribuojë në shpërthimin e revolucionit, për shkak të varfërisë, që do ta mposhtë të gjithë Europën.
Në takim u ra dakord për çështjet kyçe, për reduktimin e shpenzimeve publike në vitin 2012, uljen e pagave dhe kostove të punës, rikapitalizimin e bankave, etj.
Kryeministri dhe udhëheqësit politikë do të takohen përsëri nesër për të përfunduar konsultimet rreth përmbajtjes së programit.