Në kërkim 40-vjeçari, përdhunoi mbesën e gruas
Adoleshentja denoncon ish- burrin e tezes, i cili e përdhunoi në shtëpi dhe më pas e kërcënoi me armë që të mos iu tregonte të afërmve. Ai akuzohet edhe se kishte planifikuar për të trafikuar në Itali.
Policia ka shpallur në kërkim prej pak ditësh 40- vjeçarin Krenar Lika, me profesion teknik telefonash celularë, me akuzat e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura, të kanosjes me armë e armëmbajtjes pa leje.
Lajmi u bë i ditur për Shekullin, nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës si dhe nga burime të komisariatit të Policisë së Kamzës. Sipas tyre, vajza ishte parë nga Lika në rrugë, në afërsi të një karburanti pranë Urës së Institutit, kur e kishte ftuar të shkonin në shtëpi bashkë, ndërsa aty ishte edhe motra e Likës.
Pasi mbërritën në banesë, vajza vuri re se ndodhej vetëm me Krenar Likën, i cili nuk e zgjati shumë të kryente marrëdhënie me të. Në fund, kur gjithçka kishte përfunduar, ai kërcënoi vajzën me armë se do ta vriste nëse tregonte. Kur e ëma zbuloi nëpërmjet një shoqeje të së bijës ngjarjen, vajza 15- vjeçare iku nga shtëpia dhe përfundoi sërish në banesën e Likës.
Ky i fundit i premtoi vajzës së ish-kunatës së tij se do të iknin në Itali, ku ajo do të punonte si prostitutë ndërsa më pas ata do të martoheshin.
Ndërkaq, e ëma denoncoi në polici zhdukjen e vajzës që ndenji për disa ditë tek ish- burri i tezes. Policia arriti të gjente vajzën, por agresori mësohet se kishte mundur të largohej nga Shqipëria, ndërsa ai tashmë është në kërkim me disa akuza të rënda.