E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza greke sjell 200 milionë euro të tjera në Shqipëri

Gjergj Erebara

Të dhënat nga sistemi bankar tregojnë transfertat e pazakonta të emigrantëve tanë atje

Kriza e borxheve sovrane në Greqi, e cila u përkeqësua në krizë politike dhe qeverisëse gjatë muajit të fundit, ka sjellë transferta të pazakonta financiare në Shqipëri, që për dy muajt e fundit kanë arritur në 200 milionë euro. Lajmi bëhet i ditur nga burime nga sistemi bankar, të cilat shpjegojnë se këto transferta nuk kanë njohur rënie që nga fillimi i vitit. Të njëjtat burime bënë të ditur më herët se për tremujorin e parë, transfertat nga Greqia në Shqipëri arritën në 510 milionë euro. Në total, në vetëm pesë muaj, vlerësohet se emigrantët shqiptarë kanë riatdhesuar në atdhe rreth 700 milionë euro nga kursimet e veta që më parë mbaheshin në sistemin bankar të Greqisë.

Kriza e borxheve sovrane në Greqi u ashpërsua në janar të këtij viti, pasi kreditorët dhe qeveria greke gjendeshin në bisedime që përfunduan me faljen e një pjese të konsiderueshme të megaborxhit, si dhe me detyrimin e Greqisë për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore. Shkurtimi i shpenzimeve sipas trojkës së borxhdhënësve të përbërë nga BE, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, do ti japë mundësi Greqisë të shlyejë pjesën e mbetur të borxhit.

Ndërkohë, në Greqi, gjatë muajve të fundit, është raportuar një largim masiv i depozitave, por ky largim nuk është kthyer ende në një sulm klasik mbi bankat. Depozituesit kanë frikë se Greqia do të detyrohet të dalë nga euro, gjë që nënkupton që kursimet e të gjithë grekëve do të konvertohen në një monedhë të re. Por ekspertët thonë se monedha e re do të zhvlerësohet menjëherë me 50 apo 60 për qind kundrejt euros dhe popullsia e Greqisë mund të përballet me të njëjtën situatë si shqiptarët në vitin 1992, kur leku u zhvlerësua me shpejtësi dhe shumë njerëz humbën kursimet e së gjithë jetës. Grekët e pasur i kanë transferuar kursimet e tyre drejt Zvicrës apo Britanisë së Madhe, por për kursimtarët e vegjël, këto alternativa janë të kufizuara, pasi bankat perëndimore pranojnë depozita nga qytetarët e vendeve të tjera vetëm në rastet kur këto depozita janë 25 mijë euro e sipër.

Për emigrantët shqiptarë në Greqi, kthimi i kursimeve në atdhe është një zgjidhje e mirë dhe me kosto të ulët.

Shqiptarët po i sjellin paratë e tyre nga Greqia dhe po i vendosin në depozita ose po i përdorin për të blerë bono thesari të qeverisë, thotë një burim nga bankat, i cili nuk dëshiron të identifikohet pasi nuk është autorizuar të diskutojë këto çështje publikisht.

Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri erdhën në formën e remitancave nga emigrantët nga e gjithë bota gjithsej 688 milionë euro, ndërsa vetëm në pesë muaj dhe vetëm nga Greqia, këtë vit janë transferuar mbi 700 milionë euro. Gj. Erebara

Kriza greke sjell 200 milionë euro të tjera në Shqipëri burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›