E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, skemë e re për dëmshpërblimin

Të gjithë ata që nuk kanë arritur të hyjnë në listat e Ministrisë së Drejtësisë për të përfituar dëmshpërblim nga ligji për të përndjekurit politikë, tashmë kanë një mundësi nëse përmbushin disa kushte. Një vendim i miratuar nga qeveria pak kohë më parë sanksionon se nëse këta individë disponojnë aktin administrativ të lëshuar nga komisioni trepalësh apo një dekoratë nderi të dhënë nga Presidenti i Republikës pas datës 1 tetor 1991, mund ta paraqesin këtë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Po kështu, sipas të njëjtit vendim, individit i lihet mundësia që ta paraqesë tashmë vetë dokumentacion që vërteton situatën e të qenit i përndjekur politik. Më herët ishte Ministria e Drejtësisë ajo që pas çdo kërkese të bërë pranë saj si i dënuar politik, bënte verifikimet e duhura për dokumentacion. Nëse ajo nuk arrinte që të vërtetonte kërkesën e bërë nga qytetari, atëherë atij i mohohej e drejta për të përfituar. Tashmë qeveria ka shtuar në ligjin ekzistues Për përcaktimin e procedurave të shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masës së dëmshpërblimit financiar për familjet e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht, pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991 një shtesë. Sipas kësaj të fundit, nëse nga Ministria e Drejtësisë emri i ish-të dënuarit nuk figuron te lista e përfituesve për shkak të mungesës së dokumentacionit, të interesuarit që preken nga ligji nëse disponojnë dokumentacion që vërteton statusin e tyre mund ta paraqesin atë. Aktualisht pranë Ministrisë së Drejtësisë është duke u punuar për të shqyrtuar dosjet që janë paraqitur për dhjetëra mijëra të përndjekur, ndërkohë që një pjesë prej tyre tashmë kanë përfituar këstin e parë apo të dytë të dëmshpërblimit. Qeveria qysh në fillim e përcaktoi ndarjen e dëmshpërblimit në gjithsej 8 këste, duke i lënë kështu mundësi vetes për të menaxhuar në një afat më të gjatë. Kostoja e dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve është mjaft e lartë, të paktën sipas një fature paraprake që Ministria e Drejtësisë çoi në Parlament në fillim të këtij viti, ku raportonte edhe ecurinë e procesit të dëmshpërblimit në total që nga fillimi i tij. Nga ana tjetër është edhe Ministria e Financave, një ministri tjetër e përfshirë në proces për shkak të pagesave të kësteve që kryen pas miratimit të listës nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

Fillon pagesa e këstit të dytë
Të gjithë ata ish-të dënuar politikë që janë gjallë dhe mbi 65 vjeç, përfitojnë të drejtën për të marrë këstin e dytë të dëmshpërblimit. Më herët qeveria kishte vendosur si limit përfitimin në dy këste për individët që ishin mbi 85 vjeç, ndërkohë që tashmë ky limit moshe është ulur. Ministria e Financave vetëm pak kohë më parë njoftoi që qytetarët që përfitojnë duhet të paraqesin pranë saj një certifikatë që vërteton moshën e tyre me kushtin që ajo të ishte e lëshuar pas marsit. Aktualisht Ministria e Financave ka filluar të bëjë pagesa edhe të këstit të dytë sipas listave të miratuara nga Ministria e Drejtësisë.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›